Itali, djali i Umberto Bossit me diplomë shqiptare

Pinjolli i ish-liderit të Lega Nord rezulton i diplomuar në një universitet privat në Shqipëri… brenda një viti

Djali i ish-liderit të Lega Nord, Umberto Bossi, i dorëhequr nga posti i tij pak kohë më parë për shkak të akuzave për korrupsion, rezulton të jetë diplomuar në Shqipëri.

Hetuesit e Prokurorisë së Napolit dhe Milanos, të cilët po merren me zbardhjen e skandalit që kishte të bënte me shpërdorimin e fondeve të partisë, ku ishte përfshirë fillimisht financieri i Lega Nord, por më pas edhe vetë kreu i kësaj partie, Bossi, kanë zbuluar dokumentin në fjalë.

Nga ajo çfarë kanë publikuar ditën e sotme mediat italiane, rezulton se i biri i Umberto Bossit, Renzo Bossi, disponon një diplomë universitare të cilën e ka marrë pranë universitetit privat ‘Kristal’, në Tiranë, në degën administrim biznesi, në datën 29 shtator të vitit 2010.

Siç vihet re në diplomën e Bossit duket se ai ‘shkëlqen’ në pothuajse të 29 lëndët që presupozohet se ka ndjekur në universitetin shqiptar, sidomos në lëndët kontabilitet financiar, matematikë dhe statistikë. Mirëpo, e gjitha kjo histori ka një kontradiktë brenda vetes.

Kjo, pasi djali i Umberto Bossit e ka marrë diplomën e maturës në qershor të vitit 2009 në Itali, dhe duke qenë që sipas diplomës së universitetit shqiptar ai rezulton i diplomuar më 29 shtator të vitit 2010, i bie qëi ta ketë mbaruar fakultetin brenda një viti.

Kjo ka bërë që hetuesit të cilët po merren me çështjen, të dyshojnë se djali i Bossit nuk e ka frekuentuar fare fakultetin dhe se diploma është blerë me fondet e fushatave elektorale të Lega Nord. 3 maj 2012 (gazeta-Shqip)

Autor te 3 Maj 2012. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Erebara Gjergj

    Ky eshte ne fakt nje sukses i madh per ne. Aty ku deshtuan te gjitha universitetet italiane, triumfoi Kristal.
    Mendoj se duhet ta bejme pakete turistike. “Vizitoni Shqiperine, det, mal dhe antikitet. Per cdo prenotim familjar, ofrohet nje diplome universitare falas me rezultate te shkelqyera, asnje note nen 8.”

  • Prometeu2

    Tani Kristal do ta perdor kete fakt ne fushate promocionale, t’u thote shqiptareve qe pinjollet e familjeve politike ne Itali shkollohen ne Shqiperi!