Tiranë
Plagosja
Një atentat tjetër ka ndodhur dje në zonën e ish-Parkut të Autobusëve në Tiranë, kur një djalë i ri ka mbetur i plagosur pas një atentati ndaj tij. Burimet policore të kryeqytetit thanë se rreth orës 12.00, në afërsi të Rrugës së Kavajës, në ambientet e një lokali, ka ndodhur një plagosje me armë zjarri, ku ka mbetur i plagosur në pjesën e këmbës Fatjon Kushova, 20 vjeç, me banim në Tiranë. Menjëherë strukturat e policisë shkuan në vendngjarje dhe kryen veprimet e para hetimore, duke bërë të mundur dokumentimin e saj. Falë shkëmbimit të menjëhershëm të informacioneve u arrit identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar të kësaj plagosje, i cili dyshohet të jetë Leart Kurti, 22 vjeç, me banim në Tiranë. Autori dhe i dëmtuari dyshohet se kanë pasur një konflikt të mëparshëm mes njëri-tjetrit, kështu që dje, Kurti ka shkuar te lokali ku po qëndronte Kushova, bashkë me një vajzë të re, dhe ka qëlluar ndaj tij.