Dosja
Kamera 2, me fushëpamje nga Piramida, filmoi vrasjet. IT-ja: Pamjet ia dhashë gardistes, e thërrisnin Vina
Kamerat e sigurisë të instaluara në godinën kryeministrore kanë filmuar një nga vrasjet gjatë ngjarjeve të 21 janarit. Më pas, këto pamje, janë kopjuar nga specialisti i IT-së, Armando Kasa, duke ia dorëzuar një kopje punonjësve të Gardës dhe një kopje e ka ruajtur në sirtarin e punës. Sipas kërkesës për gjykim, rezulton e provuar se prej orës 19:24.00 deri në orën 19.36.31 (21 janar 2011) është bërë kopjimi i pamjeve të njërës prej kamerave të sistemit të survejimit të Këshillit të Ministrave. Rezulton se kopjimi është bërë për kamerën nr.1 (që ndodhet në tarracën e KM) dhe të kamerës nr.2 (që ndodhet në portën e hyrjes së Ministrave, në e Piramidës), kamera që ka pasur si fushë pamje dhe të paktën një prej vrasjeve të ndodhura. Gjatë dëshmisë në prokurori në muajin prill të vitit të kaluar, Kasa ka pohuar se: “në momentin kur kam futur USB-në në kompjuterin tim, kam vënë re se u shfaqen dy foldera me emërtime teknike të vetë sistemit. Këtu pashë se njëri kishte kapacitet më të madh dhe tjetri më të vogël. Unë zgjodha atë me kapacitetin më të madh dhe e hodha në një CD-DVD, të cilën ia dorëzova një punonjëse të Gardës, femër të cilën e thërrisnin Vina. Folderin me kapacitet më të vogël e hodha në një CD-DVD tjetër dhe e lashë në zyrë”. Ndërkohë, Kasa ka dhënë një tjetër dëshmi, kësaj here në datën 9 mars 2012, në cilësinë e personit ndaj të cilit po bëheshin hetime. “Pasi mbaroi procesi për rreth 20 minuta maksimumi (i kopjimit), ia kam dorëzuar këtë DVD një punonjësi të Gardës që nuk e mbaj mend. Pas kësaj kam vazhduar me punë të tjera. Jam rikthyer në zyrë duke u marrë përsëri me gjëra rutinë dhe ndërkohë USB-ja qëndronte e hapur. Mendova që pjesën tjetër ta hidhja në një CD dhe me sa mbaj mend e kam hedhur në një CD jo dvd, pasi nuk kishte përmasa shumë të mëdha. E kam lënë në sirtar dhe rreth orës 23:00, nuk e mbaj mend orën fiks, jam larguar në shtëpi”, ka thënë Kasa. Prokuroria thotë se i pandehuri ka qenë personi që ka bërë kopjimin e dy kamerave, përkatësisht të kamerës 1 dhe 2. Më pas kë bërë veprime për asgjësimin e pamjeve të kamerës 2, ndërsa ka vënë në dispozicion të eprorëve të tij sekuenca filmike të kamerës 2. “Nga konstatimi i pamjeve të administruara në fashikullin e hetimit, rezulton se pamjet e kamerës 2, zgjasin vetëm pak minuta dhe përmbajnë pamje të kohës pas vrasjeve të ndodhura më datë 21.01.2011”, thuhet në kërkesën për gjykim. S.Çobo