Projekti
Vendimi i Ministrisë së Financave rrezikon të rëndojë barrën fiskale
Taksa e tatimit mbi fitimin, e cila aktualisht paguhet një herë në muaj, do të ndryshojë formulë të shlyerjes së detyrimit nga bizneset. Sipas variantit të ri, të vendosur nga Ministria e Financave, taksa me shkallë tatimore 10 për qind do të parapaguhet një herë në tre muaj. Neni 30 në projektligj ndryshon, sipas të cilit: “Gjatë periudhës vijuese, tatimore, tatimpaguesi parapaguan, në llogarinë e organeve tatimore, këste tremujore të tatimit mbi fitimin, jo më vonë se data 15 e muajit janar, prill, korrik dhe tetor. Kur tatimpaguesi realizon fitim, këstet mund të paguhen në baza mujore, jo më vonë se data 15 e çdo muaji”.
Taksa zë një peshë prej 17.2 për qind në totalin e të ardhurave tatimore dhe me rënie në vitet e fundit, pas uljes së shkallës tatimore nga 20 për qind që ishte.
Bizneset janë ankuar shpesh se të parapaguash një taksë pa ditur ende gjendjen finale të tatimit shkakton kosto shtesë, të palogjikshme, ndërsa nuk kanë munguar rastet me gjoba nga ana e administratës tatimore. Por ministria mendon se duke e vendosur parapagimin një herë në tre muaj mund ta lehtësojë situatën. Për këtë çështje të re, bizneset gjykojnë sërish të kundërtën, pasi barra bëhet më e rëndë, duke i mbledhur detyrimet të gjitha njëherësh në tre muaj.
Ndryshimet mbi skemën e parapagimit të tatim-fitimit, do të hyjnë në fuqi në janar të vitit 2013, megjithatë, vendimi final do të merret pas diskutimeve në qeveri.
“Arsyeja kryesore e propozimit të këtij projektligji lidhet me përmirësimin e indikatorëve të Shqipërisë në raportet vjetore të Bankës Botërore “Doing Business”. Konkretisht, në bazë të ligjit ekzistues të tatimit mbi të ardhurat dhe e evidentuar në indikatorin “Paying Taxes”, për nënkomponentin e tatimit mbi fitimin, një subjekt bën 13 pagesa gjithsej për pagimin e taksës, 12 prej të cilave janë parapagim i kësteve dhe një është e lidhur me deklaratën vjetore”, sqaron Ministria e Financave në relacion.
Ministria thotë gjithashtu se, marrja e detyrueshme nga administrata tatimore e këtyre pagesave paraprake rezulton në faktin që tatimpaguesve u mohohet mundësia e përdorimit të fondeve që mund të kenë rëndësi të madhe për mbijetesën e veprimtarisë së tyre tregtare dhe që administratës tatimore do t’i duhet gjithsesi t’i rimbursojë në të ardhmen.
Të ardhurat nga tatimi mbi fitimin për vitin 2011 arritën në rreth 19.7 miliardë lekë nga 17.6 miliardë të mbledhura një vit më parë, me një rritje të ndjeshme prej 12 për qind, dhe 6.7% më pak se plani i rishikuar. Muaji gusht shënoi nivelin më të ulët të arkëtimeve, me 26 për qind më pak, në raport me 2010-n, kurse maji vlerën më të lartë, me 104 për qind.