Drejtësi për popullin dhe për politikën

NDUE DEDAJ – Pallati i drejtësisë është vënë në fokusin e politikës si asnjëherë. Përplasja për zgjedhjen e nënkryetarit të KLD-së. Diskutimi i stërgjatë mbi Gjykatën Administrative. Gjyqtarë të lartë që iu ka mbaruar mandati dhe vonesat në zëvendësimin e tyre. Kontrolli i Ministrisë së Drejtësisë në organin e Prokurorisë dhe polemika rreth tij etj. Politika, ndonëse shtiret si e moderuar, duket se nuk bën asgjë tjetër nga çka bërë historikisht në regjimet pa demokraci, dirigjimin e drejtësisë. Seancat gjyqësore në ngarkim të një deputeti, ish-ministri, apo funksionari tjetër shtetëror në kryeqytet jepen me të gjitha detajet, me zë dhe figurë, me prononcime të dyfishta, të vetë të paditurve dhe avokatëve të tyre, shpesh duke bërë dhe politikë me to, kurse gjyqet apo mosgjyqet atje poshtë, nuk i ka askush në hesap, përpos atyre që marrin dënimet dhe lënë dyerve të drejtësisë, xhepat.

Dilema dhjetëvjeçare: bimë narkotike apo kërp industrial?!

Edhe pse janë dhënë 267 vite burg, vetëm në një proces, nga njëra prej gjykatave tona, ajo e Shkallës së Parë Shkodër, ngjarja ka kaluar pa bujë, madje thuajse nuk ka përbërë as lajm. Bimë narkotike, apo kërp industrial? Kjo është dilema e madhe prej më se dhjetë vitesh në komunën e Shkrelit, Malësi e Madhe. Do ta kishte lakmi subjektin e një drame të tillë edhe vetë teatri absurd i Beketit, që banorët e një zone të tërë të binin në ujdi për të kultivuar drogë ditën për diell, në arën e vet të trashëguar gjysh pas gjyshi, buzë rrugës nacionale, ku venë e vinë ministra e kryeministra, policë e inspektorë, diplomatë e turistë, qytetarë të Malit të Zi fqinj etj. Dy do të ishin qendrat narkotike të vendit, Lazarati (realisht) në Jug dhe Shkreli (i mospranuar nga pala e akuzuar) në Veri. Po, nëse në të parin, zor se mund të hyjë policia, pos duke e vëzhguar nga ajri me helikopterë gjelbërimin e kopshteve të hashashit, apo duke i pritur thasët me kanabis sativa në ndonjë kryqëzim rruge, larg fshatit heretik, përkundrazi për këtë “polin” tjetër është hapur një proces gjyqësor, që ka çuar në pranga dhjetëra vetë. Do të ishte vërtet superlajm, jo vetëm për Shqipërinë, por për krejt rajonin: një popull i tërë që kultivon masivisht drogë! Ashtu si dhe e kundërta, nëse gjyqin do ta fitonin një ditë fermerët, kjo do të ishte historia më e paqenë e drogës në Shqipëri. Vërtet thuhet se vendimet e gjykatave nuk gjykohen dhe ne rezervohemi të shprehemi rreth vendimit që dënon 38 (diku thuhet 53) banorë të Shkrelit me 267 vite burg, nën akuzën e mbjelljes së lëndëve narkotike, po kur dëgjon palën e paditur, që gjatë një emisioni televiziv pretendon se kishte kultivuar kërp industrial, habitesh se si tërkuza është zgjatur nga viti 2000 e deri sot. Teksa vazhdon ta pyesësh veten, a ka në të vërtetë një “kartel” të drogës në Shkrel? Vështir ta besosh. Ky precedent mbase do të ishte zgjidhur ndryshe, nëse do të ishte trajtuar më parë në prizmin social-politik, ata njerëz dhe shoqata e tyre mund të mos ishin cilësuar si organizatë kriminale që kultivon lëndë narkotike, por shtetas në nevojë, që në vend që të mbillnin grurë, misër, fasule, patate, pra të zhvillonin veprimtari bujqësore normale, ia hynë një zanati tjetër që nuk e njihnin, mundet dhe pak i dyshimtë, duke u përpjekur dhe ata t’i përshtateshin ekonomisë së tregut. Kjo është çështja. Por shqiptarët ende nuk kanë një shtet serioz të vetin, as njëqindvjetorin e tij. Në këtë rrafsh fermerët janë kategoria më e përhumbur e shoqërisë sonë tranzitore, edhe kur detyrohen të hedhin karrot me qepë në lumë, se nuk ua pranon tregu vendas, që mbushet me perime të ardhura nga jashtë, dhe kur shteti lejon që patatet nga Egjipti të hyjnë pa doganë, edhe kur mbjellin bimë industriale që iu del “drogë”. Shkurt, ata nuk munden as të mbijetojnë, pasi nuk përkrahen dhe mbrohen nga shteti.

 

Një gjyq njerëzish të thjeshtë dhe pandëshkueshmëria e VIP-ave të korrupsionit

Nuk ka si të mos bëjë përshtypje fakti se lajmi nga Shkodra kaloi pa u ndier, paçka se ato që janë dhënë, janë vite burgu që do t’i vuajnë njerëz me një mijë halle dhe jo stinë konvaleshence ndokund në brigjet spanjolle a kroate. Për asnjë çështje tjetër nuk janë dhënë dy shekuj e gjysmë burg. Dhe për një tragjedi kombëtare si ajo e Gërdecit, ku humbën jetën 26 njerëz, u dhanë më pak se njëqind vite heqje lirie. Mendoni për një çast sikur vendimi me 267 vite burg të ishte dhënë për ndonjë çështje korrupsioni shtetarësh të lartë, do të kishte gjëmuar Shqipëria, BE-ja, Amerika, i gjithë rruzulli. Mirëpo të gjithë zyrtarët e lartë të akuzuar kanë dalë pa u lagur, janë kthyer nga gjykata në shtëpi si kokrra e mollës. Dhe kanë thënë pastaj ndërkombëtarët se këtu ka pandëshkueshmëri të krimit të lidhur me politikën, krim që rëndom e ka emrin korrupsion. Thamë se nuk do të komentojmë mbi gjyqet, por një gjë nuk mund të mos e vëresh: nga njëra anë deklaratat triumfatore prej të ndershmish të atyre që kishin fituar gjyqet e mëdha në Tiranë dhe, nga ana tjetër, çiltërsinë, thjeshtësinë e malësorëve të Mbishkodrës, që shprehen se u vjen turp nga fëmijët, të afërmit e të njohurit. A keni dëgjuar ndërkohë shtetarë të lartë të këtij vendi, ministra, parlamentarë, prokurorë a gjyqtarë të përfolur, të thonë këtë fjalë të artë? Askënd. Sepse turpit i druhet vetëm ai që është i virtytshëm dhe atje lart, në majat e pushtetit, ky tipar fisnikësh pak gjasa ka të ketë mbijetuar, siç do t’u kishte hije zyrtarëve të lartë të një vendi demokratik. Të pandehurit e Shkrelit do t’i drejtohen Gjykatës së Strasburgut dhe avokatinë e tyre atje do të ishte e udhës ta bënte vetë qeveria shqiptare, pasi ka qenë ajo që ka nxitur dhe lejuar projektin anglez për të hyrë në Shqipëri shumë vite më parë.

Reporterët e rajonit bëjnë me dije se në aktivitetin e tyre fermerët në fjalë u mbështetën nga fondacioni anglez “Partneritet për rritje”, i cili që nga viti dy mijë ka zbatuar në atë komunë projektin e rritjes së kërpit industrial, ku nga ajo bimë do të prodhoheshin një sërë produktesh, si vaj kërpi, thasë me fije kërpi, litar kërpi, duke u rritur edhe numri i të punësuarve. Pra, asgjë ilegale, asgjë jashtë syve të shtetit dhe policisë, përkundrazi me lejen e shtetit. Dhe teksa rrekesh t’i gjesh një arsye këtij procesi, referuar njërës nga të përditshmet, kryetarja e Gjykatës së Lartë, gjatë një takimi me ambasadorin britanik në Shqipëri, është shprehur se besimi i publikut te drejtësia nuk është në nivelet e dëshiruara, pasi cilësia e dhënies së drejtësisë dhe autoriteti i gjykatave është ende i dobët. Sipas saj, vonesat në gjykime dhe endjet e qytetarëve në dyert e gjykatës janë dukuri të përditshme që mbartin strese dhe pakënaqësi, ku ceket dhe roli që lipset të luajnë politikëbërësit për ndryshimin e gjendjes, bashkëpunimi i dy pushteteve të tjera, ekzekutiv e legjislativ, përballja e gjyqtarëve shqiptarë me pengesa serioze të natyrave të ndryshme etj. Por kjo situatë në drejtësi nuk i përligj procese të tilla si “Shkreli”. Në dhjetë vjet me siguri kanë ndërruar komisarë policie, prokurorë e gjykatës në Shkodër, por ai që ka mbetur ka qenë pikërisht ky proces! Askush nuk i ka vënë kapak atij me kohë, ndoshta dhe ngase Kodi Penal çalon në këtë punën e drogës, ku siç shprehën specialistët duhet reformuar pikërisht pjesa që parashikon veprat penale që lidhen me të.

 

Në vend të epilogut

I je bashkuar dhe ti shqetësimit qytetar, publik dhe politik për një drejtësi efikase dhe të vjen ndër mend një detaj nga intervista e ish-ambasadorit amerikan, John L. Withers II, dhënë kohë më parë “Zërit të Amerikës”. Ato ditë, pas ngjarjes së rëndë të Gërdecit, kujton ai, takova një grua që kishte të varur në qafë një medaljon, ku mbante fotografinë e të birit që kishte humbur jetën aty. “A do të vihet drejtësia në vend, zoti ambasador?” – më pyeti ajo. Unë iu përgjigja po, pasi kisha besim te qeveria dhe autoritetet e shtetit shqiptar. Tani më vjen keq që kjo nuk ndodhi dhe asaj gruaje i kërkoj ndjesë. Penalizimi i njerëzve me imunitet është i pamundur, ata janë gjithmonë të fortë e të paprekshëm, ngase mburoja e tyre është pushteti, pavarësisht dukut parimor të fjalimeve politike, se pushtetet janë të ndara etj. Drejtësia nuk është e lirë as nga vetja, nga metastazat e korrupsionit që e gërryejnë përbrenda. Ndaj sa gra me “medaljon” në qafë si ajo grua ka në këtë vend, ku dikush ka humbur të birin, dikush bashkëshortin, dikush vëllain, para të cilave askush nuk kërkon ndjesë, dorëhiqet, mban përgjegjësi. Pakkush ndalet të reflektojë thellë, politikisht, moralisht e juridikisht mbi njerëzit dhe odisenë e proceseve të tyre penale e civile dhe jo vetëm. Drejtësia është pjesa më e atakuar dhe e kritikuar e institucioneve të shtetit shqiptar, si dhe sfida e presidentit të ardhshëm. Teksa kambanat kanë filluar të bien që tani dhe deri atëherë mbase mund të jetë vonë. Ndoshta këto nënkupton debati politik e publik për drejtësinë, apo zhvillime si konferenca mbi lidershipin e gjyqësorit, ku trojka e ambasadorëve (Arvizu, Wollfarth dhe Sequi) u shpreh për heqjen e imunitetit të zyrtarëve dhe gjyqtarëve etj. Do të ishte e tepërt që të kujtohej marrja e ftesës për integrim, ku siç dihet drejtësia është një kryekusht.

Autor te 4 Maj 2012. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry