Lala-Hanover, lamtumira më e rëndë e të gjitha kohërave

Klubi i ka përgatitur një festë gala “xhuxhit luftarak”

Altin Manallari - Largimi i Altin Lalës nga Hanover 96, ku ka milituar për 14 vite me radhë, tashmë është e sigurt. Mesfushori shqiptar iu bashkua më 1998 skuadrës së njohur të futbollit gjerman dhe deri në maj 2012 ai ka qenë gjithnjë aty. Por tani ka vendosur tashmë që karrierën e tij, e cila po shkon drejt mbylljes, ta vazhdojë te skuadra amatore e Bajernit të Mynihut II. Nën titullin “Lala, lamtumira më e rëndë e të gjithave kohërave”, gazeta e njohur gjermane “Bild” i ka kushtuar shumë rëndësi largimit të mesfushorit shqiptar nga Hanoveri, madje duke e quajtur edhe “Fundi i një ere”. Të shtunën, më 5 maj 2012, Altin Lala, aktualisht në moshën 36-vjeçare, do të mbajë të veshur për herë të fundit bluzën e Hanoverit me numër 8 në një ndeshje zyrtare, atë të nesërm kundër Kaiserslauternit në stadiumin “AWD Arena” në orën 15.30. Ndërkohë që pas kësaj ndeshjeje, rreth orës 17.20 klubi dhe tifozët do të festojë kualifikimin për të dytin vit radhazi të të kuqve në Europa League. Por këto festime do të kenë edhe një tjetër qëllim, atë të lamtumirës së merituar të “luftëtarit” më të madh që ky klub ka pasur deri tani, Altin Lala. “Largimi i Lalës është ndarja më e rëndë e të gjitha kohërave për Hanoverin!”, shkruante dje gazeta “Bild”. “Është një moment shumë i veçantë për mua, pasi ky klub më ka hyrë nën lëkurë, tha dje Altini. E gjithë jeta ime futbollistike është e lidhur me Hanoverin. Ndeshja e fundit do të jetë shumë emocionuese për mua”. Respekti për Altinin dhe karrierën e tij në këtë klub është gjigant. “Po, është e vërtetë, një lamtumirë kaq të madhe nuk e kemi bërë kurrë deri tani”, theksoi presidenti 68-vjeçar Martin Kind. Dhe nuk i kursen elozhet për shqiptarin fisnik: “Altini i ka merituar të gjitha të mirat e kësaj bote. Këtu te ne ai është shfaqur jo vetëm si një lojtar i jashtëzakonshëm, por edhe si një person i admirueshëm. Altini i ka shfrytëzuar të gjitha shanset e jetës. Unë i dëshiroj atij të gjitha të mirat”. Ja disa të dhëna të një karriere të pabesueshme me Hanoverin: Më 30 korrik ‘98 debutoi me fitoren 2-1 ndaj KSC, me të cilët luante edhe kampioni i botës Guido Bukvald! Më 23 gusht ‘98 shënoi golin e parë në fitoren 1-2 në Gytersloh. Më 11 gusht ’02 debutoi në Bundesligë në fitoren 1-2 të Hamburgut. Më 31 janar ‘07 shënoi golin e parë në Bundesligë. Në fitoren 5-0 kundër Hertës së Berlinit rezulton edhe goli i tij i vetëm në ligën elitare gjermane. Pas asaj ndeshjeje festoi i gjithë qyteti. Po ashtu e njëjta gjë pritet të ndodhë këtë të shtunë, ku i gjithë Hanoveri do të festojë lamtumirën e tij. Normalisht, lojtarët e Hanoverit do të dalin në fushë me tufa me lule dhe një dhuratë të vogël përpara ndeshjes. Më pas do të vijë edhe nderimi i madh për Lalën. Spikeri i stadiumit, Aleks Jakob, premton: “Do të jetë një atmosferë e mrekullueshme. Sigurisht që ne do t’i bëjmë një surprizë të bukur atij”. Pra një Gala për Lalën! Hanoveri dëshiron t’i bëjë një lamtumirë dinjitoze shqiptarit, që tashmë është një prej ikonave të tij. Tifozët po i shkruajnë kartolina të posaçme “xhuxhit luftarak”, që sezonin e ardhshëm do të luajë për ekipin e dytë të Bajernit të Munihut. “Kartolinat e lamtumirës” kanë dalë në treg, dhe tifozët duhet të shkruajnë një mesazh për Lalën, apo “Mister 100%”, siç thirret ai te Hanoveri.

Autor te 4 Maj 2012. Sport. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry