Banorët diskutojnë për jetën që i pret jashtë dhe Liami shprehet se dy synimet e tij janë familja dhe martesa me të dashurën gjermane. Ai pranon se më pas do të donte edhe një fëmijë, pasi përndryshe martesa nuk do të kishte kuptim  


Banorët e humbasin fazën e dytë të provës së javës dhe kjo gjë shkakton mërzitje të tjera. Nga ana tjetër, Arbri vazhdon të ketë marrëdhënie të tensionuara me Liamin e Gertën, ndërsa kjo e fundit është përfshirë në debat të fortë me Gentën. Banorët komentojnë nëse të shtunën do të dalë nga shtëpia Genta apo Graciano.


Genta-Gerit: Liami të ka hedhur trutë e gomarit


Gerta i thotë Gentës se ajo i vendoste barriera komunikimi, por Genta nuk e pranon. “Tani më thua je zero, kur e kuptove këtë”, i thotë Geri Gentës. Midis dy vajzave lind përsëri një debat ku ato kapen edhe me shprehjet e thëna më parë. Genta i thotë Gerit se nëse ajo do ta dëgjonte veten e saj se si flet, do të dilte vetë nga shtëpia, pa pritur nominimin dhe votat e publikut. Geri e ofendon Gentën duke i thënë se atë e kanë përdorur në lojë dhe se tashmë loja e saj ka marrë fund dhe duhet të dalë nga shtëpia. Genta u referohet fjalëve të Liamit, i cili i ka thënë Gerit se ajo e Tani meritojnë të shkojnë në finale dhe kjo do të ndodhë, sepse sipas tij, ata janë mjaft aktivë në shtëpi. Genta i përgjigjet se Liami e ka mashtruar me këtë gjë dhe se është munduar që t’i mbushë mendjen për shumë gjëra të tilla. “Të ka hedhur trutë e gomarit, po ti s’e kupton”, i thotë Genta. Genta vazhdon më tej duke i thënë Gertës “ty të kanë bërë lavash truri”. Për një kohë të gjatë dy vajzat debatojnë me tone të larta, ndërsa Ermali përpiqet që t’i qetësojë duke u thënë se secili në shtëpi ka riskun e vet.


Liami: Synimet e mia, familja e martesa me të dashurën


Liami, Erioni e Françeska qëndrojnë në oborr duke biseduar. Liami shprehet se gjithnjë e mendon se si mund të jetë opinioni i publikut jashtë për të. Erioni përgjigjet se memoria e njerëzve për ta nuk do të jetë shumë e fortë kështu që ai nuk ka përse të shqetësohet e gjithashtu asnjëri prej tyre nuk do të mbahet mend për keq. Erioni shprehet se ajo që ka për të ndodhur, do të ndodhë e Ermali afrohet pranë tyre e i thotë se asgjë nuk ka për të ndodhur me ta jashtë. Liami shprehet se mendimi i publikut nuk është shqetësimi i tij kryesor, pasi nëse do të kishte qenë kështu, do të kishte vepruar ndryshe që në fillim. Ai shton se dy synimet kryesore në jetë jashtë janë familja dhe të martohet me të dashurën e tij. Françeska thotë se pas martese Liami do të mendojë dhe për një fëmijë e ai pohon duke shtuar se pa fëmijën nuk do të kishte kuptim martesa.


Banorët e humbasin fazën e dytë të provës


Banorët marrin zarfin me fazën e dytë të provës javore të titulluar: “Java Europiane”. Kjo fazë konsiston në formimin e puzzel-it me hartën e Europës brenda 20 minutave nga banorët si grup. Nëntë copëzat e puzzel-it ndodhen nëpër shtëpi, e flamurët e bardhë janë tregues për zonën ku ato ndodhen. “Big Brother” u ka vënë në dispozicion edhe kostume për ekzekutimin e provës. Vështirësia e pengesave është rritur dhe nëpër litarët e shtëpisë janë vendosur zile. Në mënyrë kategorike, banorët nuk duhet të prekin litarin e nëse kjo ndodh, ata duhet të kthehen në pikën e nisjes e të rinisin rrugën. Nga këto sërë provash, varet buxheti i tyre për javën që vjen. Prova ekzekutohet nga të gjithë banorët, e tek i fundit që është Liami, bie gongu, duke bërë që ata të mos e fitojnë këtë fazë të provës.


Arbri mallëngjehet për familjen


Arbri dhe Erioni dalin në oborr dhe fillojnë që të komentojnë provën. Në një moment Arbri preket dhe përlotet. Ai kujton nënën e tij dhe fillon të qajë për të e për mallin që ndien. Erioni i cili e ka humbur nënën përpara pak kohësh, mundohet që t’i japë kurajë e ta mbështesë, por duket që edhe ai është i prekur nga kjo gjë. Erioni e pyet Arbrin: “Pse u mërzite?”. I përlotur ai i përgjigjet se një natë ka parë një ëndërr me familjen e tij dhe është i shqetësuar se nuk e di si do të jenë ata dhe se si është dukur ai jashtë. “S’e di nëse kam vepruar mirë apo jo”, thotë më tej Arbri dhe Erioni mundohet që t’i japë kurajë.


Liami:  Ermali i ka futur xixat Arbrit


Gerta, Liami dhe Dritani fillojnë që të flasin për Arbrin dhe komentojnë sjelljen e tij. Gerta thotë se nuk i erdhi mirë me mënyrën se si Arbri ishte sjellë me të dhe faktin që i ka thënë “je e ulët”. “Me ma thënë edhe një herë, për Zotin ka me më pa se si jam pastaj”, shprehet Gerta, ndërsa Liami i thotë se nuk duhet që ta marrë për keq, sepse është edhe presioni që përjetojnë të gjithë në ndonjë moment të caktuar. Më pas Liami fillon që t’u tregojë se e ka pyetur Arbrin nëse ishte xheloz për afrimin e tij me Gertën, por Arbri e ka mohuar në mënyrë kategorike. Liami thotë se ai ia ka kaluar mirë me Arbrin deri tani dhe dëshiron që t’ia kalojë mirë deri në fund të “Big Brother”-it. Gjatë kohës që flasin për Arbrin, Liami fillon të komentojë edhe marrëdhënien e këtij të fundit me Ermalin. Kështu, ata bëjnë thashetheme edhe për Ermalin ku Liami thotë se Ermali ka kundërshtuar ato që ka thënë më parë. “Mua më tha se përdor Arbrin dhe Arbrit i ka thënë se ai po bën lojën edhe për tre banorë të tjerë”, thotë Liami e më pas shton “Është Ermali ai që i ka fut xixat keq Arbrit”.


Ermali-Tanit: Je i lodhur për moshën që ke


Banorët janë mbledhur në oborr e bisedojnë, ku Tani po i tregon për profesionin e tij si volejbollist e në përgjithësi për pagesën që ata marrin. Graciano i thotë Tanit: “Ti je shumë i lodhur për moshën që ke” e Ermali ndërhyn e thotë të njëjtën shprehje që Graciano ka thënë për Tanin, me arsyetimin se po të kishte pasion, do ta ndiqte më me vendosmëri këtë rrugë. Liami mbron Tanin e ky i fundit shprehet se ka shumë vështirësi në rrugën e sportit.


 


Tani-Gentës: Ti e Graciano, më të shfrytëzuarit nga banorët


Tani qëndron me Gentën në kuzhinë, ku Tani i thotë se ka ardhur momenti që ajo të ndryshojë. Genta thotë për banorët: “Të gjithëve do t’ua tregoj qejfin”, e Tani i përgjigjet se ajo nuk do të dijë nga t’ia fillojë. Genta shprehet se ka kohë në dispozicion për ta bërë këtë gjë e Tani thotë se ndonjëherë mendon se Gentës i duhet ta fillojë lojën nga e para. Ajo përgjigjet se nuk ka bërë lojë brenda BB, ndërsa Tani i vë në dukje se disa veprime ajo i ka bërë pa i njohur ende mirë njerëzit. Genta thotë se po të presë, nuk i del koha, ndaj e ka marrë përsipër rrezikun që edhe mund të gabojë. Tani shprehet se ajo, Graciano dhe një banor tjetër kanë qenë më të shfrytëzuarit gjatë kohës në BB, e kur të dalë do ta kuptojë këtë gjë. Ai shton se duke filluar nga Françeska, që është shoqe e saj, ka filluar ta kundërshtojë. Genta përgjigjet se Françeskën nuk e konsideron shoqe dhe së shpejti ka për të plasur karshi saj, paçka se deri më tani e ka respektuar e secila ka treguar veten.