Ndryshe Shën Prokopi i Tiranës – shembull modernie europiane

Shën Prokopi i Tiranës – shembull modernie europiane

1931
SHPËRNDAJE

Pajtori i qytetit  

Për të gjithë të krishterët e qytetit të Tiranës, pajtori i qytetit deri para furisë turke do të ketë qenë Shën Gjini, shenjtor i nderuar qysh në krye të herës nga mbarë krishterimi. Emrin e tij e ruante deri vonë një krua në fushën e aviacionit (shenjine), ndërkohë që një kishëz paleokristiane zbuluar në vitet ‘70 mban gjallë aty kujtimin e tij enigmatik. Sot mund të kundrohen vetëm tepricat: themelet e diçka nga mozaiku polikromatik, por në vendbanimin e vogël të Tyranna Maiore – siç e quante Marin Barleti – para pushtimit turk, e me gjasë edhe përpara shkizmës fetare mes Lindjes e Perëndimit aty, ka pasur një kompleks ndërtimor ende të paeksploruar. Gjithsesi, sot komunitetet e krishtera mëtojnë secili pajtorin e vet: katolikët, qysh me ndërtimin së fundmi të katedrales, janë për Shën Palin, ndërsa ortodoksët, që pas rivendosjes së tyre në këtë qytet pas pushtimit turk, kanë qenë për Shën Prokopin.

E meqë këtë vit mbushen plot 7 dekada nga përfundimi i së mbrames kishë të Shën Prokopit, le të hedhim një vështrim mbi kontekstin dhe rrethanat e ndërtimit të kësaj kishe me rëndësi të posaçme për komunitetin ortodoks, tashmë autokton, të Tiranës.

Cekasë historike

Sot është e vështirë të rindërtohet panorama shoqërore e asaj se çfarë ndodhi me trevën e Tiranës pas shfarosjes sistematike që ushtritë osmane i bënë gjatë shek. XV popullatës së qarkut të Arbanës (episcopus Arbanensis), por dimë se me vendosjen e plotë të Pax Turcica-s, aty nga shek. XVII, u zhvillua bërthama urbane e Tiranës, me një përbërje krejtësisht muhamedane në qytet e me mikro-komunitete të krishtera në periferi (më tepër ortodokse se katolike – për arsye që dihen). Burimet dëshmojnë se komuniteti ortodoks, në ndryshim nga ai katolik, është i ardhur në trevë nga viset lindore, kryesisht përmes udhës së Mbretit (via Egnatia) duke pasur dhe mbështetjen e Mitropolisë së Durrësit. Kjo mbështetje mishërohej te figura e njohur e Grigor Kostandinidhit, i ashtuquajtur Voskopojari, që më 1769 bëhet mitropolit i Durrësit.

Trans-humansat e gogëve (sikundër quheshin në qytet çobanët) të cilët kishin kolibe disi fikse në malësinë e Tiranës dhe kësolla të përkohshme në fushën e saj, u koaguluan në një jetë më sedentare, sidomos që nga viti 1769. Pas këtij viti, në fakt, regjistrohen ardhje konsistente muhaxhirësh ortodoksë si pasojë e trazirave që lindin në Shqipërinë Juglindore – zona e Voskopojës e më gjerë. Ndryshe nga ata pak ortodoksë që gjendeshin rrotull Tiranës, kjo gjindje ngërthente në vetvete një vetëdije të formuar shoqërore e religjioze. Këtu duhet kërkuar motivi se pse kjo valë u shndërrua shpejt në “komunitet” dhe ndër gjërat e para që i kërkoi kreut të qytetit, Ibrahim Bargjinit, ishte leja për ndërtimin e një kishe në periferi. Në fakt, ortodoksëve të ardhur u qe lejuar të hapnin dyqane në pazarin e Tiranës për shkak të zotësive të përmendura të tyre në fushën e artizanatit. Dhe pikërisht nga krahu i pazarit, një të shtënë pushke larg, në drejtim të jugut, rrëzë kodrës së Pashës, aty nga viti 1787 bargjinollët mirënjohës ndaj ndihmës së ortodoksëve në mbrojtjen e Tiranës nga Kurt Pasha i Beratit, lejuan ndërtimin e kishës kushtuar shenjtit Prokop. Nuk duket rastësi pra që kisha iu kushtua këtij shenjti: në hagjiografi ai paraqitet shpesh si ushtar. Ishte kisha e parë në Tiranë që pas themelimit të saj si qytet.

Kisha e vjetër e Shën Prokopit

Kisha u ngrit aty ku sot është oborri i Presidencës, në një zonë plot ujëra. Ishte një ndërtesë e ulët, që respektonte kanunet e lejuara nga administrata osmane, e që për mbërritjen lartësisë së kërkuar në brendi të saj, dyshemeja e sallës qendrore ulej pak shkallë nën kuotën e hajatit me shtylla nga jashtë. Çatia e stërmadhe me kapriatë druri, refleks i kishave të Voskopojës, e cila ndrynte brenda harqe të afreskuara, ish e mbuluar me tjegulla vendi; ndërsa hyrja për në sallën e errët plot piktura bëhej përmes dy portave. Gjelbërimi aty pranë, ushqyer edhe nga ujërat e Prroit’ Verbët, krijonte freskinë e duhur për mjediset jashtë saj ku çlodheshin besimtarët që vinin nga rruga e drejtë që lidhte me Tiranën e që kalonte mes fushës së zhveshur. Kisha, me dimensione përafërsisht 22×13 m, dhe hapësira e varrezave që gravitonte djathtas saj, valloheshin prej një rrethimi të ulët në trajtë pesëkëndëshi të çrregullt. Sikundër në mjaft faltore ortodokse të kohës, të ngritura në zona me shumicë muhamedane, rifiniturat e jashtme të saj qenë të varfra, por brendia krijonte surprizë me pasurinë e punimeve artistike në mure dhe kryesisht me ikonostasin e gdhendur në buazeri, i cili përmblidhte një seri ikonash të mëdha e të vogla.

Ndërtimi më 1874 i kishës së Evangjelizmosë brenda në Tiranë (aty ku sot është Hotel Tirana) shenjoi të ardhmen e Kishës së vjetër të Shën Prokopit. Fluksi i besimtarëve ra pasi tani përballohej nga kisha e re dhe qetësia që pllakosi mbi Shën Prokopin thyhej vetëm të kremtet e mëdha dhe në ditën e shënuar të pajtorit, më 8 korrik.

Pas pavarësisë, Tirana e përgjumur filloi të ndryshonte. Shkundjen e parë ajo e pati gjatë Luftës së Parë Botërore, por ndryshimi i strukturës urbane erdhi njëherazi me shpalljen e saj kryeqytet më 1925. Po atë vit u ftua për të realizuar planin rregullues të qendrës së re të kryeqytetit, arkitekti roman, Armando Brazini. Ky, duke u mbështetur dhe mbi projektet e paraardhësve austriakë përcaktoi boshtin e bulevardit të madh, që e përfundonte në jug me Pallatin Presidencial, në aks të t’cilit qëndronte një statujë ekuester. Redaktimi konkret i stadtregulierungsplan-it për Tiranën u udhëhoq në nivel global nga inxh. Eshref Frashëri, ndërsa sa i takon sheshit “Skënderbej”, nga De Fausto. Kështu Frashëri, në vitin pasues 1926, për shkak të gjerësisë së bulevardit dhe sistemimeve të gjera për pallatin e ardhshëm presidencial, nuk kundërshtoi shembjen e kishës së vjetër të Shën Prokopit parashikuar nga Brasini, pasi shkelja e rrugës ekzistuese nga bulevardi i ri, do ulte disi shpenzimet për shpronësime. Planet ndoqën njëri-tjetrin, ndërsa punimet për bulevardin filluan aty nga fundi i viteve njëzetë. Shembja e kishës do vinte vetëm në kapërcyellin 1937-‘38, me planifikimin e fillimit të sistemimeve për pjesën e bulevardit në jug të ministrive.

Arkitektura e re

Bashkimi në një shtet të vetëm italo-shqiptar më 1939, nxiti idenë e hartimit të një Plani të Përgjithshëm Rregullues, por kësaj here mbi bazë parametrash të mbështetur në legjislacionin e përparuar italian. Me qëllim kontrollin kapilar të territorit përmes aplikimit të menjëhershëm të ligjit dhe rregulloreve të reja urbane në mbarë Shqipërinë, asokohe u formua e ashtuquajtura Zyrë Qendrore e Edilicjes dhe Urbanistikës në krye të së cilës u vu arkitekti i ri fiorentin Gherardo Bosio. Ky vinte nga një eksperiencë e suksesshme projektimi në Afrikën Orientale dhe në Tiranë, ende pa u hartuar Plani, shtroi si prioritet realizimin e Piazza Littorios (sheshi Nënë Tereza sot). Puna për të filloi menjëherë.

Ndërkohë, një brez i ri arkitektesh shqiptarë, të diplomuar në Perëndim, kish filluar të jepte frytet e para në territor. Punët e tyre shënuan jo vetëm lindjen e stilit modern në Shqipëri, por edhe hedhjen e bazave për themelimin e një shkolle vendase të arkitekturës – rezultatet e së cilës ruajnë efektin ende sot (qoftë në sistemin universitar, qoftë në strukturat e projektimit). Më të shquarit ndër ta, Qemal Butka, Skënder Luarasi, Anton Lufi etj., arritën që brenda një kohe të shkurtër të shajnisin edhe më qibaret e ndërtimeve të bukura e funksionale duke guxuar me një moderni e freski stilistike që kontrastoi dukshëm me peizazhin urban të një Shqipërie rurale me trashëgimi ndërtimore otomane; por edhe të asaj Shqipërie disi të përparuar – e këtu kemi parasysh Shkodrën apo Korçën – ku projektuesit paraardhës, Gjergj Fishta e Kolë Idromeno, dhe sidomos arkitekti i oborrit mbretëror Kristo Sotiri, kishin ligjëruar kryesisht përmes stilemave klasiciste ose, në raste të veçanta, kishin dhënë produkte eklektike me ngjyresa të artit deco. Arkitektët e shkolluar në Europë, sidomos ata të formuar në Austri, ku shembujt e secesionistëve e të Adolf Loosit ishin ende të freskët, ndonëse vepruan në Tiranë, patën efekt katalizues në krejt arkitekturën e vendit. Një inventar i veprave të tyre ende nuk është bërë, por sa u takon realizimeve në Tiranë, zj. Vera Bushati po përgatit një botim njohës, i cili në kushtet e mungesës së publikimeve të tilla, do të jetë vërtet i vlefshëm.

Kisha e re e Shën Prokopit

Plani rregullues italian konfirmoi spostimin e kishës së vjetër aty ku vendi qe zgjedhur përpara hartimit të tij. Ndonëse në aks të bulevardit do të ngrihej Pallati Mbretenuer, komuniteti ortodoks, nuk kish pranuar të largohej shumë prej vendit të vjetër dhe u ra dakord që kisha e Shën Prokopit të spostohej më në Jugperëndim, për nga kodrat e Saukut, mbi një çukë panoramike 25 m mbi nivelin e bulevardit të ardhshëm, e me kundrajë të mrekullueshme që rrokte krejt pamjen e qytetit dhe të Tiranës së Re që po lindte.

Me paratë e shpronësimit të kishës së vjetër dhe të truallit të saj përqark u krye blerja e tokës dhe u planifikua ringritja e Shën Prokopit. Kryepeshkopi i autoqefalisë së porsanjohur (njohja zyrtare 17 prill 1937) imz. Kristofor Kisi në konsultë me këshillin qendror vendosi t’ia komisionojë punën për projektimin e kishës arkitektit të ri shqiptar, Skënder Luarasi. Ky, në linjë atërore, ishte pinjoll i një trungu veçanërisht të shquar në tradita patriotike dhe në rininë e parë qe edukuar në një mjedis familjar ku patriotizmi ushqehej jo vetëm nga vetëdija e qartë e përkatësisë shqiptare që kishin ortodoksët e qarkut Korçë-Kolonjë, por edhe nga burime intelektuale breznore që ia kishin dalë ta strukturonin këtë vetëdije drejt një pjesëmarrje aktive në jetën politike e shoqërore të Shqipërisë. Bir i Kristo Luarasit, Skënderi, që kishte mbaruar studimet për arkitekturë në Vjenë, e ku ish formuar në të njëjtin mjedis me studentët të shquar shqiptarë si Lasgush Poradeci, Qemal Butka, Eqrem Çabej, Rrok Geraj apo Selman Riza, kishte rënë shpejt në sy me projektet e tij harmonike e moderne në Tiranë e Korçë. Luarasi pranoi me entuziazëm detyrën për projektimin e kishës kushtuar Prokopit dhe realizoi padyshim një ndër projektet më të bukura për komunitetin ortodoks të Shqipërisë.

Bëhet fjalë për një konceptim tipik mbështetur në traditën hapësinore të kishave post-bizantine të Ballkanit Jugperëndimor, sipas tipologjisë së ashtuquajtur kryq me kupolë. Absidën, a kungën, si zakonisht e orientoi për nga lindja ndërsa mjediset shtojcë, që lidheshin përmes një korridori të vogël me kishën, nga jugu. Kisha ekspozohej hijshëm me hajatin e saj verior, mbulesën e së cilës arkitekti përmes një analize reduktiviste e kish abstraguar në një lojë trekëndëshash që shoqëronin harqet e ndërshtyllave. Faqata kryesore ngërthente po ashtu një monumentalitet të kërkuar dhe të arrirë. Arkitekti këtu, pasqyroi me anë të një triptiku simetrik (ku elementi qendror qe më i lartë) esencën e volumeve të brendshme të kishës. E meqenëse kisha nuk qe në dimensione shumë të mëdha, ai përdori një marifet gjenial për t’i dhënë asaj madhështi: pjerrësoi pilastrot vertikale të faqatës kryesore, të asaj që sheh nga perëndimi, ndërkohë që kurtinat e po asaj faqate i mbajti vertikale (shih maketin). Efekti do të qe vërtet mbresëlënës nëse ky pjerrësim i pilastrove do ish zbatuar gjatë realizimit të projektit në vepër – gjë e cila për shkaqe të panjohura nuk u realizua – e megjithatë, kisha e re, Shën Prokopit u bë tregues se si një vëllim modest mund të trajtohej me sukses si vëllim masiv. Modernia që përçoi arkitekti nuk duhet parë pra si konceptimin radikal i hapësirës së brendshme apo trajtim modernist i faqatave; kanonet e kishës ortodokse, ndryshe nga ajo katolike, nuk është se lejonin shumë hapësirë në këtë kuptim, por theksimi i linearizmit përmes dritëhijeve dhe gjeometrizimi i kërkuar i elementeve, të cilat të parat bien në sy të shikuesit, janë ende sot të pakapërcyera në trajtimin e kishave ortodokse në Shqipëri. Skënder Luarasi e arriti këtë nëpërmjet modelimit paraprak të vëllimit të kishës me anë të një maketi të cilin e punoi vetë dhe që i lejoi kontrollin e çdo detaji të jashtëm. Konstruksioni i kishës u konceptua prej beton-armeje, risi absolute kjo për kohën, aterial të cilin Luarasi e njihte mirë e që me inteligjencë do ta vinte në punë edhe në punimet e ardhshme të tij.

Ndërtimi u realizua nga ndërmarrja italiane Ing Lucca & Co, Milano-Napoli e specializuar për punime beton-armeje, e cila ndërkohë kishte hapur disa kantiere në Shqipëri, por drejtimin e punimeve në vepër arkitekt Luarasi e udhëhoqi vetë në bashkëpunim të ngushtë me kishtarë shqiptarë.

Prej vitit 1942, kur kisha e Shën Prokopit mbaroi (ndonëse për shkak të luftës, përurimi zyrtar i saj u bë vetëm në maj të 1945-s), e deri në vitin 1968, kur ajo u rrënua nga furia shkatërruese e revolucionit të imponuar antifetar, në murin e saj qëndronte pllaka e mermertë me mbishkrimin:

“THEMELUE NË VITIN 1940 NË KOHËN E KRYEPISKOPIT TË GJITHË SHQIPNIS IMZOT KRISTOFORIT – me pjesëmarrjen dhe bashkëpunimin e pleqësis kishtare dhe të kujdestarisë së kishës të Tiranës, ndërtue me t-ardhunat e çpronësimit të kishës së vjetër të Shën Prokopit dhe me ndihmat e popullit orthodhoks, projektue dhe drejtue prej ing. arch. Skënder Luarasit, zbatue prej sipërmarrjes Ing. Lucca e C, Milano”.

Kisha pati jetë të shkurtër, por impakt të rëndësishëm; pas ndërtimit të saj e gjithë zona filloi të quhej Kodrat e Shën Prokopit, dhe me krijimin e parkut periferik të kryeqytetit në vitet e pesëdhjeta, Parku i Shën Prokopit. Brezi të cilit unë i përkas ndiqte të dielave familjen e cila shkonte për piknik (drekën me vete e birrën jashtë) në Shën Prokop. Kjo mikrotoponimi u ruajt e gjallë deri aty nga fillimi i viteve tetëdhjetë, për t’i lënë më pas vendin toponimit të ri Kodrat e Liqenit apo Parku i Liqenit Artificial. Por funksioni i asaj kishe, ende pa dalë nga përdorimi religjioz, ish edhe më i gjerë; vështirë se mund të gjendej kund në Shqipëri vend më të mirë për të inskenuar pjesë nga filmi legjendar “Skënderbeu”. Regjisorët sovjetikë zgjodhën pikërisht mjediset e Shën Prokopit për të dhënë atmosferën e Bizantit perëndimor që ka mbizotëruar në krejt Arbëninë mesjetare – ashtu sikundër edhe në ato zona t’Italisë që kanë qenë nën ndikimin e Kostandinopojës – dhe kjo, në këtë rast, dëfton ndjeshmërinë e lartë të Luarasit ndaj traditës trashendentale të truallit mbi të cilin ai vepronte.

Kisha pret ende të ndërtohet, e me gjasë komuniteti ortodoks do ta gjejë kohën dhe mjetet për naltimin e saj, por do të ishte një akt i madh emancipimi shoqëror dhe shprehje e respektit për traditën dhe trashëgiminë arkitekturore shqiptare nëse ajo rindërtohej ashtu siç ka qenë, pra me të njëjtin projekt të ideuar prej njërit ndër themeluesit e arkitekturës moderne, ark. Skënder Luarasit, në mënyrë që parku aq i bukur aty të vazhdojë të thirret me emrin e tij karakteristik Parku i Shën Prokopit.

Prokopi i Qezarese në Palestinë

Natyrisht bëhet fjalë për Prokopin e lindur në Jerusalem në shek III, e jo për ndonjërin prej dy shenjtoreve të tjerë, që mbajnë të njëjtin emër, që ndërruan jetë përkatësisht në vitin 1053 dhe 1303. Kështu pajtori i zgjedhur për Tiranën, tipik i kishës lindore, ishte prej shekujsh një shenjtor i përnderuar fort ndër shqiptarët ortodoksë, bullgarët dhe vllehtë. Deri edhe në Kalabri qe shpënë prej ballkanasve kulti i tij, të cilët kishin formuar atje një qytezë me këtë emër. Shën Prokopi ka hyrë në historinë e kishës si i krishteri i parë vrarë në Palestinë, gjatë persekutimeve të Dioklecianit, pasi, përpos mohimit të hyjnive pagane, ai kishte refuzuar publikisht para gjykatësve të ngrinte dolli në nder të perandorëve të Romës. Kjo i kushtoi jetën më 8 korrik të vitit 303 – datë e përkujtimit të tij prej kishës ortodokse në mbarë botën. Më pas, në Qezaré të Palestinës, te vendi i martirizimit, u pat ngritë për ndër të tij një faltore. Kulti i shenjtorit qe i fortë në Tiranë, ku në rrjedhë të kohëve organizoheshin procesione e festa të posaçme më 8 korrik, ditën e Shën Prokopit dhe kjo shpjegon faktin pse në komunitetin ortodoks tiranas vërehej deri vonë njëfarë dendurie në përdorimin e këtij emri. Etimologjia e emrit Prokop, lidhet me greqishten dhe do të thotë përnxitës.

Artan Shkreli – Maj 2012