Shkup, zgjohen reagimet për arrestimet e dyshimta dhe pa prova

Lirohen 13 qytetarë me kombësi shqiptare, akuza për radikalizëm islamik në dyshim

Deri pasdite ka mbërritur në 13 numri i personave që janë liruar pas skadimit të afatit 48 orësh të paraburgimit për rastin e vrasjes së pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit. Avokati mbrojtës, Naser Raufi, deklaroi për INA se tashmë kanë mbetur në paraburgim vetëm 3 të akuzuarit e drejtpërdrejtë për vrasjen e pesëfishtë, si dhe 4 persona të tjerë që dyshohen për bashkëveprim, ndihmë dhe posedim armësh pa leje.
Në mëngjes u liruan 3 veta pas skadimit të paraburgimit 48 orësh, si dhe 60-vjeçarja Feride Bilalli për shkak të problemeve shëndetësore. Paraburgimi 30-ditor është dhënë për 3 të dyshuar që konsiderohen nga policia si vrasës të drejtpërdrejtë, Agim Ismailoviq, Fejzi Aziri, Rami Sejdiu, të cilët janë dërguar në burgun e Manastirit. Masa e paraburgimit është dhënë edhe për Afrim Ismailoviq dhe Halil Demiri, që janë në arrati.
Arrestimet u bënë më 1 maj, në mesin e të cilëve edhe 4 vajza e gra shqiptare, që u morën në pyetje nga gjykatësi hetues, të cilëve të mërkurën në mbrëmje iu caktua masa e paraburgimit 48 orësh.


Zbardhen emrat e pesë të dyshuarve për vrasjen në Smilkovc

MPB si kryerës kryesorë të vrasjes së pesëfishtë ngarkon Halil Demirin (27) nga Haraçina dhe vëllezërit Afrim Ismailoviq (32) dhe Agim Ismailoviq (33) nga Hasanbegi.
Dy persona të tjerë të akuzuar se kanë ndihmuar vrasjen janë Fejzi Aziri (54) dhe Rami Sejdiu (24). Siç bëhet e ditur në arrati janë Afrim Ismailoviq dhe Halil Demiri.
Mediat maqedonase tashmë kanë publikuar edhe fotografitë e siguruara të personave që akuzohen se kanë kryer vrasjen e pesëfishtë më 12 prill në fshatin Smilkovc të Shkupit, transmeton agjencia e lajmeve INA.
Ministrja e MPB-së, Gordana Jankullovska, theksoi se këta persona janë anëtarë të grupit kriminal që kanë kryer vrasjen.

 

Rrëfimi i 60-vjeçares Bilalli, e akuzuar përkohësisht si “terroriste”

“Tmerri i së martës që përjetova mos i ndodhë askujt”. Kështu nis rrëfimin për gazetën KOHA, 60-vjeçarja Feride Bilalli nga fshati Hotël i Komunës së Likovës, e cila bashkë me dhjetëra shqiptarë të tjerë, ishte arrestuar të martën herët në mëngjes nën akuzën për “terrorizëm”. E liruar pas 24 orësh keqtrajtim në stacionin e policisë në Autokomandë, Feridja thotë se asnjëherë në jetë nuk e ka menduar se ajo do të akuzohet për “vrasje” ose “ndihmë” në ekzekutimin e një krimi të pesëfishtë. “I lutem Zotit të mos i ndodhë askujt ajo që unë përjetova. Më morën në orën katër të mëngjesit, trishtuan mbesën 3-vjeçare, ndërsa nusen e djalit tim, e cila është shtatzënë, nga tmerri dhe frika e policëve e shtruam në spital. Akoma nuk e kam parë nusen”, tregon Feridja, sipas së cilës, mënyra e bastisja së shtëpisë dhe akuzat e policisë ndaj saj tregojnë se drejtësia nuk është e njëjtë për gjithsecilin.
“Në fillim kishin bastisur shtëpinë ku nuk banon asnjeri, sepse dy djem i kam në Zvicër dhe një në Belgjikë. E kishin thyer derën e hyrjes dhe kur kanë parë se askush nuk gjendet aty, erdhën në shtëpinë ku ishim duke fjetur unë, nusja e djalit dhe mbesa ime 3-vjeçare. Kur u futën me turr, u kërkova të bastisin ngadalë, sepse ma tmerruan mbesën, e cila filloi të dridhet nga frika. Edhe nusja filloi të tmerrohet, frikohesha të mos i ndodhte asgjë, sepse edhe tre javë, presim të lindë fëmijën”, kujton mëngjesin e hershëm 60-vjeçarja nga fshati Hotël.

 

Ambasadori i SHBA-së reagon i pari

“Sistemi juridik duhet të veprojë sipas rregullave”

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Poll Uolers, deklaroi se ambasada e SHBA-së në Shkup ende nuk është njoftuar me dëshmitë për personat e akuzuar në rastin e vrasjes së pesëfishtë afër liqenit të Smilkovcit. “Në botë ka ngjarje terroriste, dhe ne vetë ishim viktima të terrorizmit, dhe e di se kjo çështje këtu kuptohet seriozisht. Duhet të presim, ta shohim gjykimin dhe dëshmitë”, deklaroi ambasadori Uolers, në pyetjen e gazetarëve për atë nëse Maqedonia po përballet me rrezik nga islamikët radikalë. Ambasadori Uolers, në deklaratën e dhënë gjatë vizitës në Komunën Kisella Vodë, shfaqi shpresë se sistemi juridik do të funksionojë sipas ligjeve, në mënyrë që qytetarët të mund të kenë siguri se personat e vërtetë janë dënuar. “I ndjekim zhvillimet pas vrasjes së tmerrshme më 12 prill, dhe sinqerisht bashkëndiejmë me familjet e viktimave. E ndjekim prej afër procesin, arrestimet dhe hetimin, do ta ndjekim edhe procedurën gjyqësore. Me rëndësi është të respektohen procedurat e rregullta, në mënyrë që ata të cilët e kanë kryer këtë vepër të nxirren para drejtësisë. Sistemi juridik duhet të veprojë sipas rregullave dhe ligjeve, që qytetarët të kenë besim se janë dënuar personat e vërtetë. Ministrja Jankullovska edhe vetë tha se do ta ndjekë procedurën dhe të lejojmë që ajo të ndodhë”, deklaroi ambasadori Uolers.

Autor te 4 Maj 2012. Rajon. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry