Kontaktet: Stafet e Berishës dhe të Ramës do të komunikojnë me njëri-tjetrin për të hartuar një axhendë të të gjitha bisedimeve që do të zhvillohen


Pikëpamjet: Ekspertët e PD-së dhe PS-së do të paraqesin pikëpamjet e tyre për procesin e negociatave, formën dhe përmbajtjen e tyre


Kriteret: Më pas do të përcaktohen mbi kriteret që do të duhet të plotësojnë kandidatët, të cilët do të diskutohen nga takimi Rama-Berisha


Takimi: Në fund do të zhvillohet takimi mes dy liderëve që do të diskutojnë mbi emrat e kandidatëve të cilët do të zgjidhen në korrik


Këshilltarët e Ramës dhe Berishës do të përgatisin takimin



Zbardhet skema e zhvillimit të negociatave për Presidentin e Republikës. Sipas marrëveshjes së arritur falë edhe presionit të SHBA-së dhe BE-së, palët do të zhvillojnë negociata zyrtare me platformë të qartë, ku do të përcaktohen kriteret për presidentin e ri dhe më në fund do të flitet për emra. Fazën përgatitore të takimit të madh të liderëve do ta përgatisin stafet e Ramës dhe Berishës, të cilët do të takohen për modalitetet. Në fakt, kontaktet e para për çështjen e presidentit të ri pritet të nisin që ditën e sotme. Burime nga mazhoranca dhe opozita, bënë të ditur se këshilltarë të kreut të PS-së dhe Kryeministrit, do të flasin në fillim për platformën e bisedimeve dhe më pas për draftin që do të negociohet. Dhe vetëm në fund do të përcaktohen data, vendi dhe modalitetet e tjera.


Fule


Bashkimi Europian, përveç çështjes së presidentit, dje ka dhënë edhe një mesazh të fortë vetëm pak ditë pas dorëzimit në gjykatë të dosjes “21 Janari”. Në fjalën e mbajtur në Parlament, komisioneri Stefan Fule, deklaroi se “gjyqësori i pavarur është i rëndësishëm. Duhen rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Është themelore të hidhet dritë plotësisht për 21 janarin përmes një procesi gjyqësor të lirë nga ndërhyrjet politike. Korrupsioni, element me rëndësi është kufizimi apo heqja e imuniteteve për zyrtarët e lartë dhe gjyqtarët. Ju i jeni afruar një konsensusi politik dhe ju nxis të shpejtoni më shumë. Për imunitetin duhet bashkëpunim Prokurori e Përgjithshme – polici, ku askush nuk është mbi ligjin”. Kjo deklaratë e Fules bën të ditur se procesi për përgjegjësit e vrasjes së 4 personave do të ndiqet me vëmendje nga ana e Bashkimit Europian. Komisioneri për Zgjerim, dje i ka hapur takimet në Tiranë, me kreun e opozitës, Edi Rama. Në këtë takim është rënë dakord që opozita të japë votën për reformën zgjedhore dhe atë parlamentare, me qëllim nisjen e negociatave për presidentin e ri. Ndërkaq, në takimin me Presidentin Topi, kreu i shtetit dhe komisioneri Fule u ndalën edhe në procesin e rëndësishëm të zgjedhjes së presidentit, proces i cili duhet të jetë sa më transparent dhe konsensual, pasi shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë një figurë presidenciale me integritet të lartë profesional, moral e njerëzor, që të gëzojë simpati të gjerë në popull, të jetë mbi partitë politike dhe të shërbejë vërtet si simbol i bashkimit kombëtar.


 


Gjykata Administrative


Pas tre vitesh Kuvendi miratoi draftin e shumëkërkuar nga biznesi “Për krijimin e Gjykatës Administrative”. Me 122 vota pro dhe një abstenim, ky draft u kalua. Në seancë mungoi Kryeministri Berisha, ndërsa abstenoi socialisti Majko dhe ish-ministri Alibeaj nuk votoi.


“Themelore të hidhet dritë plotësisht për 21 janarin përmes një procesi gjyqësor të lirë nga ndërhyrjet politike”