Gjigandi i internetit Facebook ka përcaktuar objektivin e vet për çmimin me të cilin do të shesë aksionet në ofertën e parë publike mes 28 dhe 25 dollarë amerikanë për aksion, gjë që i jep kësaj kompanie vlerën totale tregtare prej 85 deri në 95 miliardë dollarë, bën të ditur BBC.


Vlera fillestare në treg të hapur e aksioneve të Facebook-ut do të jetë shumë më e madhe se sa ajo e shënuar nga të gjitha kompanitë e internetit. Google nxorri për shitje aksionet e veta më 2004 dhe vlera fillestare e kompanisë pas daljes në bursë qe 23 miliardë dollarë.


Oferta Fillestare Publike (IPO) është një term që përdoret për kompanitë, të cilat, ndonëse kanë funksionuar si shoqëri aksionere, listojnë aksionet e tyre për shitje të lirë në bursë për herë të parë.


Vlera tregtare e Facebook që do të listohet në bursën e kompanive të teknologjisë së re Nasdaq, do të jetë e përafërt me atë të gjigandëve tashmë të konsoliduar si Amazon dhe Cisco.


Besohet se Facebook do të fillojë promovimin e vetes të hënën e ardhshme ndërsa aksionet do të jenë për shitje më 18 maj.


Pritet të shiten rreth 10 për qind e aksioneve aktuale të kompanisë, gjë që do të krijojë të ardhura prej 12 miliardë dollarësh për të.


Facebook u krijua vetëm 8 vjet më parë dhe ka aktualisht 900 milionë përdorues. Fitimet e saj vitin e kaluar qenë 1 miliardë dollarë. 4 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)