Abonetë e studentit “janë zhdukur” nga qarkullimi. Ato mund t’i gjesh të shiten nën dorë, me dyfishin e çmimit. Abonetë e muajit maj kanë dalë në treg, por shiten me çmim shumë më të lartë nga vlera që është publikuar. Në pikat e autorizuara të shitjeve nuk gjen abone studenti, sepse shitja e tyre bëhet vetëm në “tregun e zi” me çmim 400 deri në 600 lekë më shumë se çmimi real prej 600 lekësh. Në Tiranë ka disa linja autobusësh, të cilat kanë pikat e tyre të autorizuara për shitjen e aboneve. Kategoria e studentëve duhet të përfitojnë ulje çmimi në transportin publik dhe aboneja për ta shitet me gjysmën e çmimit të abonesë së përgjithshme. Por studentët e kryeqytetit nuk kanë mundësi që ta përfitojnë këtë abone. Në asnjë prej pikave të shitjes të autorizuara nga Bashkia e Tiranës, gazetarët e “Fiks Fare” nuk gjetën abone studenti. Të gjithë punonjësit e këtyre pikave ngrinin supet kur i pyesnim për abonetë e studentit, disa të tjerë na u përgjigjën se është shumë e vështirë për t’u gjetur, pasi ka kohë që nuk qarkullojnë. Këtë verifikim, gazetarët e “Fiks Fare” e kryen më 1 maj, kur normalisht duhet të fillonte shpërndarja e aboneve, por abonetë nuk “mbërritën” asnjëherë aty ku duhej. Pak metra larg pikave shtetërore të shitjes së aboneve, në kioska gazetash apo pranë fakulteteve mund të gjesh abone studenti me dyfishin e çmimit. Ky çmim i afrohet atij të aboneve të përgjithshme dhe studentët nuk përfitojnë asgjë.
Ku janë kartat e studentit?
Pajisja e të gjithë studentëve të Tiranës me një kartë studentore që do t’u krijonte shumë lehtësira, duket se mbeti vetëm një premtim fushate edhe për këtë vit që po përfundon. Kryetari i Bashkisë së Tiranës nuk e ka mbajtur premtimin e tij elektoral sipas të cilit do të pajiste studentët e Tiranës me kartë studentore gjatë vitit shkollor 2011-2012. Në nëntor të vitit të kaluar, kryetari i Bashkisë së Tiranës, zoti Lulzim Basha ka nënshkruar një marrëveshje me rektorët e universiteteve në Tiranë dhe u premtua se për një periudhë dyjavore, duke nisur nga dita e nënshkrimit të marrëveshjes, studentët do të pajiseshin me kartën e studentit. Ndërkohë që viti shkollor po shkon drejt përfundimit studentët e Tiranës kanë pohuar se nuk u është thënë asgjë në lidhje me pajisjen e tyre me kartën studentore. Sipas premtimit të bërë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, gjatë fushatës elektorale karta e studentit do të sillte përfitime kryesisht në transportin urban dhe shërbimin shëndetësor, por sigurisht që ajo do të ishte funksionale për çdo shërbim të ofruar nga Bashkia e Tiranës. Studentët e Tiranës janë shprehur për “Fiks Fare” se nuk u është dhënë ende një afat se kur ata do të kenë në duart e tyre kartën e studentit, ndërkohë ata pranojnë se mbulojnë shpenzimet e tyre vetëm me ndihmë të familjarëve. Gazetarët e emisionit “Fiks Fare” janë interesuar në sekretaritë e të gjitha fakulteteve shtetërore në Tiranë. Në të gjitha këto fakultete, punonjëset e sekretarive ngrenë supet kur i pyet për kartat e studentit. Në këto fakultete nuk ka asnjë informacion të saktë për pajisjen e studentëve me kartat e tyre. Në vitin 2009 studentëve në Tiranë u është shpërndarë një kartë studenti kundrejt vlerës 100 lekë. Edhe në atë periudhë përfaqësues të universiteteve në Tiranë u shprehën për lehtësira që do t’u mundësonte kjo kartë studentëve. Por kjo kartë nuk u shërbeu asnjëherë studentëve, pasi asnjë institucion nuk e njihte atë.