Arrestimet e fundit krijojnë tension mes shqiptarëve dhe qeverisë së Serbisë
Kuvendi konsideron se arrestimi i tetë qytetarëve të Komunës së Bujanocit më 4 Maj 2012 është i papranueshëm dhe në funksion të destabilizimit të situatës politike dhe të sigurisë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Aksioni i xhandarmerisë janë provokuese dhe kanë nxitur shqetësime dhe pasiguri në mesin e popullatës shqiptare në Luginë, u tha sot në seancën e jashtëzakonshme të tre kuvendeve shqiptare të Kosovës Lindore agjencia informative “Presheva Jonë”. Gjatë kësaj seance u lëshua edhe në deklaratë politike mbi aksionet e fundit të policisë serbe, e cila arrestoi tetë të rinj shqiptarë.
Referuesit dënuan ashpër aksionet e policisë serbe dhe thanë se “aksioni ka shkelur në mënyrë flagrante procedurat dhe normat ligjore, sidomos ne prag te zgjedhjeve te 6 majit 2012…”
Kuvendi konsideron se praktikat e drejtësisë politike dhe selektive serbe nuk janë në shërbim të ndëshkimit të krimeve të luftës dhe të zbulimit të domosdoshëm të së vërtetës, por përkundrazi ky është një proces në shërbim të politikave ditore të shtetit, që me të tilla veprime rivërteton mungesën e vullnetit politik dhe të kompetencave shtetërore për t’u ballafaquar me të kaluarën e errët, respektivisht me përfshirjen e mundshme të strukturave të dikurshme shtetërore në krime të luftës.
“Aksioni i fundit, dhe ata të mëpashëm tregojnë për vazhdimësi të politikave shtetërore për ta maskuar mungesën e vullnetit politik të qeverisë për t’i përmbushur obligimet ndërkombëtare ndaj Luginës së Preshevës dhe kriminalizojnë të gjithë shqiptarët,” thuhet në deklaratë.
“Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kërkon ndërprerjen e procedurave nga ana e Prokurorisë për Krime Lufte në Beograd, duke e konsideruar të montuar politikisht, si dhe zbardhjen e të gjitha krimeve të kryera ndaj popullatës civile shqiptare në Luginën e Preshevës, por edhe respektimin e plotë të Amnistisë ndaj ish-pjesëtarëve të UCPMB-së.
Duke kërkuar nga popullata shqiptare te reflektojë gjakftohtësi dhe maturi, Kuvendi i këshilltarëve shqiptarë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë fton qytetarët që t’i përgjigjen masivisht zgjedhjeve të 6 Majit,” vijon më tej deklarata. 5 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)