Ftohen shqiptarët të marrin pjesë në votimet e nesërme. Kërkohet ndërhyrje e ndërkombëtarëve


Tre Kuvendet shqiptare të luginës së Preshevës e kanë dënuar arrestimet e djeshme, duke i konsideruar si nxitëse të destabilizimit të situatës politike dhe sigurisë në zonat e banuara nga shqiptarët. “Aksioni i xhandarmërisë është provokuese dhe ka nxitur  shqetësime dhe pasiguri  në mesin e popullatës shqiptare në Bujanoc dhe Luginë”, u tha sot në seancën e jashtëzakonshme të tre kuvendeve shqiptare të Kosovës Lindore të mbledhura në Bujanoc. “Aksioni  i djeshëm ka shkelur në mënyrë flagrante procedurat edhe normat ligjore, e është krejtësisht në shërbim të krijimit të frikës dhe konfuzionit të përgjithshëm në mesin e popullatës shqiptare vendore, sidomos në prag të zgjedhjeve të 6 majit 2012”, thuhet në deklaratën e tre kuvendeve shqiptare. Ndërkaq Kuvendi, ka deklaruar se praktikat e drejtësisë politike dhe selektive serbe nuk janë në shërbim të ndëshkimit të krimeve të luftës dhe zbulimit të së vërtetës, por: “ky është një proces në shërbim të politikave ditore të shtetit, që me të tilla veprime rivërteton mungesën e vullnetit politik dhe të kompetencave shtetërore për tu ballafaquar me të kaluarën e errët, respektivisht me përfshirjen e mundshme të strukturave të dikurshme shtetërore në krime të luftës; posaçërisht në hapësirën e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës”, thuhet në deklaratë, ku është kërkuar ndërhyrje ndërkombëtare në Luginën e Preshevës si masë parandaluese për agravimin e situatës në rajon. “Kuvendi i Këshilltarëve shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kërkon ndërprerjen e procedurave nga ana e Prokurorisë për Krime Lufte në Beograd,duke e konsideruar të montuar politikisht, si dhe zbardhjen e të gjitha krimeve të kryera ndaj popullatës civile shqiptare në Luginën e Preshevës, por edhe respektimin e plotë të Amnestisë ndaj ish-pjesëtarëve të UCPMB-së”, përfundon deklarata, në të cilën ftohen qytetarët që ti përgjigjen masivisht zgjedhjeve të 6 Majit.


5 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)