Spanjë
Tekniku i katalanasve, Pep Guardiola, thekson: “Për 4 vjet me radhë ne kemi fituar rreth 90 pikë dhe sërish thuajse fituam edhe këtë herë”
Trajneri i Spanjës, Del Boske, thur elozhe për trajnerin e Barcelonës: “Askush nuk do të mundet ta përsërisë suksesin e Guardiolës”
“Se cila është skuadra më e mirë, atë do ta vendosë historia”. Këto janë daljet e tij të fundit para mediave si trajner i katalanasve. Dhe Pep Guardiola flet pikërisht në retrospektivë, për një bilanc të katër sezoneve te Barça. “Kurrë nuk kam pasur synim që të hyja në histori, thotë Pep. As ditën e parë dhe as të fundit. Unë u përpoqa të ndërtoja vetëm historinë time brenda klubit. Thjesht doja ta bëja punën time sa më mirë që të ishte e mundur, si kushdo tjetër që bën një punë. Është koha që do të tregojë se kush kanë qenë më të mirët. Po ashtu, jeta ime dhe humori im nuk kanë ndryshuar nga titujt e fituar. Mendoja ndryshe kur isha lojtar, por më pas e kuptova”. Vlerësimi për skuadrën e tij mbetet maksimal, edhe pse maksimumi që mund të fitohet është Kupa e Mbretit në Spanjë: “Ne kemi bërë sërish një sezon të madh”. “Për 4 vjet me radhë kemi fituar rreth 90 pikë dhe sërish thuajse fituam edhe këtë herë, shtoi ai. Kur një ekip bën 90 pikë për 4 vjet me radhë, do të thotë se është ekip i madh. Më mbetet vetëm t’u heq kapelen lojtarëve të mi. Një ekip mund të fitojë në fund dhe për të fituar duhet të kalosh kundërshtarin. Nuk ke ç’bën tjetër”. Tekniku i Barçës ka hedhur disa shigjeta edhe në drejtim të Realit. “Nuk më vjen turp që ka thënë se në këtë sezon kanë ndodhur gjëra të çuditshme. Gjesti i Kristiano Ronaldos ndaj Havi Martines? Në futboll duhet të dish të fitosh dhe të dish të humbësh. Në jemi sjellë gjithmonë në mënyrë korrekte, ata…”. Trajneri i Spanjës, Visente del Boske, ka lavdëruar Pep Guardiolën për sukseset që ka arritur nën drejtimin e Barcelonës. Del Boske mendon se Guardiola ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm për një periudhë të shkurtër. “Jam krenar me faktin që Spanja ka trajnerë, të cilët para së gjithash janë njerëz të mëdhenj. Sa i përket suksesit të Guardiolës, mendoj se askush nuk do ta përsërisë atë çfarë ka arritur të bëjë ai në këtë periudhë”, ka thënë Del Boske. Guardiola në përfundim të këtij edicioni do ta braktisë Barcelonën, kurse vendin e tij do ta zërë Tito Vilanova, i cili aktualisht është ndihmës.