Të gjithë në Francë i kanë sytë te François Hollande, kandidati socialist, i cili mund të shndërrohet të dielën në presidentin e ardhshëm të vendit. Teknokrati deri dje i rezervuar dhe i tërhequr është shndërruar në një njeri me shumë vetëbesim gjatë fushatës
Rreth mesditës, një ditë pas fitores së parë, Hollande del nga avioni privat në aeroportin e “Quimper”, një qytet i vogël në Britani. Ndërsa ecën drejt terminalit, duket i qetë dhe thuajse i qartë, por në fytyrë i lexohet edhe lodhja nga sfida e gjatë.
Në orët e vona të një nate më parë ka fluturuar në Paris nga Tulle, distrikti i tij zgjedhor në Jug të Francës dhe ka festuar triumfin e parë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale deri në orët e para të mëngjesit në zyrat qendrore të Partisë Socialiste. Ai ishte aq në humor të mirë, sa nisi që të japë intervista përballë shtëpisë së tij. Tani, intervistat vazhdojnë edhe në terminalin e aeroportit, ku ai thotë: “Kam marrë më shumë vota nga Mitterrand në vitin 1981”. Hollande ka veshur uniformën e kandidatit, një kostum të zi, që e ka kombinuar me një kollare blu dhe një këmishë të kaltër. Flokët e tij të rrallë i mban të krehura në mënyrë të tillë që të mbulojnë një pjesë të ballit dhe ndërsa flet me njerëzit, është buzagaz. Kjo fushatë ka ndikuar tek François Hollande. Ai e nisi si një diletant në këto punë, me pamjen e një llogaritari. Ende ka pjesëza të tilla në profilin e tij, i cili ndërkohë sa vjen e po bëhet gjithnjë e më presidencial. Gjatë muajve të fundit, përmasat e famës së tij janë rritur jashtëzakonisht shumë dhe kjo kryesisht falë mbështetjes dhe miratimit të simpatizantëve dhe rritjes së besimit në mundësinë gjithnjë e më të madhe të fitores. Një shok që e ka njohur Hollande që në vitin 1985 mezi pret që ta përshëndesë dhe ta takojë në kafenenë e aeroportit. Ai është Bernard Poignant, kryebashkiaku i Quimper. “Më kujtohet se dikur ka qenë në një pozicion shumë periferik krahasuar me atë në të cilin është tani”, thotë bashkiaku, që është dukshëm i prekur. “Njerëzit, në atë kohë, më shihnin si të eliminuar, si të djegur, por unë e dija se kjo nuk ishte e vërtetë”.
Nëse Hollande përjeton një ndjesi kënaqësie, atëherë mund të thuhet se di ta fshehtë mirë atë. Por sigurisht që ai e mban mend mirë ditën kur u dorëhoq si lideri i partisë tre vjet e gjysmë më parë. Ish-partnerja e tij, Royal, humbi zgjedhjet presidenciale si kandidate e socialistëve kundër kandidatit të së djathtës Sarkozy, në vitin 2007, dhe si rezultat i kësaj disfate, Partia Socialiste thuajse u shkatërrua. Në atë kohë, të gjithëve do t’u ishte dukur absurditeti më i madh një kandidim i Hollande kundër Sarkozy për garën presidenciale. Sot ish-partnerja e tij, Royal, po bën fushatë për të. Sondazhet parashikojnë një fitore të qartë për Hollande në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të së dielës. Nëse ato janë të sakta, atëherë Hollande do të bëhet presidenti i dytë socialist pas Mitterrand, pra socialist që zgjidhet president në Republikën e Pestë.
Ana misterioze
Nëse ky parashikim do të vërtetohet, atëherë kancelarja gjermane, Merkel, do të ketë përballë një partner të ri në Elize që ka njoftuar ndërkohë që gjatë fushatës se ka ndërmend që t’i japë fund politikave të saj të masave shtrënguese dhe se në qendër të politikës së tij, do të jetë rritja ekonomike, stimulimi i saj dhe kapërcimi i krizës. Zgjedhja e tij është shumë e rëndësishme për të gjithë kontinentin dhe kjo arsye e bën të rëndësishëm faktin e njohjes se cili është Hollande në fakt.
Çuditërisht, ndërsa kjo fushatë është duke shkuar drejt fundit, askush nuk e di se kush është në të vërtetë Hollande dhe se çfarë mund të pritet prej tij. Madje edhe Poignant, miku i tij i vjetër në Britani, nuk e ka shumë të qartë. “Hollande ka një anë misterioze. Ka qenë gjithmonë i tillë”, thotë miku i tij. Gjatë fushatës dhe në ditët para dhe pas raundit të parë të votimit, Hollande u shfaq si një njeri që luan rolin e tij të kandidatit presidencial, me një perfeksion të padjallëzuar. Asgjë që ai thotë nuk është e pakujdesshme dhe megjithatë, gjithë ky vetëkontroll nuk e ka bërë aspak të papëlqyeshëm, përkundrazi. Rutina e tij arrin në caqet e super-njerëzores. Që prej muajsh të tërë, ditët e tij nisin në orët e para të mëngjesit dhe përfundojnë shumë vonë, natën. Ndonjëherë i ka qëlluar që të vizitojë tri qytete në ditë dhe në fund të një dite të tillë, kur gazetarët që e shoqërojnë janë të shkatërruar nga lodhja, ai është sërish në formë, në alert dhe i çlodhur.
Ajo çka e dallon atë si politikan është aftësia e tij e të shprehurit të ndjeshmërisë. Hollande duket se e ndjen se çfarë duan njerëzit të dëgjojnë prej tij. Të mërkurën e kaluar, ai foli para disa punëtorëve në një fabrikë në veri të Francës, të cilët ishin në prag të humbjes së vendeve të punës. “Unë jam këtu”, u tha atyre. “Por të vish këtu ishte e lehtë. Vështirësia qëndron në ardhjen time tjetër para jush”, – dhe njerëzit që e dëgjuan, e mirëpritën fjalën e tij.
Më pas, ai ulet në një kafe në afërsi të qytetit të Amiens, rrethuar me shkollarë dhe universitarë që janë përfshirë nga frika për të ardhmen e tyre. Ai u thotë se e di se në moshën që kanë, duan që të jenë të pavarur, duan që të jenë indipendentë. Të rinjtë tundin sërish kokën, në shenjë miratimi.
Një teknokrat që shfaq ndjeshmëri
Të bësh njerëzit që të ndihen se ti i kupton ata është një dhunti. Hollande e ka një dhunti të tillë, ndryshe nga Sarkozy për të cilin marrëdhëniet me njerëzit e thjeshtë dhe me njerëzit në përgjithësi janë një barrë. Dobësia e tij është se ai është në thelb një teknokrat, një njeri i shifrave, që ka mënyrat e tij si në rastet e intervistave, apo të fjalimeve. Ai është shumë efektiv në mbajtjen e fjalimeve me ngarkesë emocionale, në përmendjen e së shkuarës së ndritshme të Francës dhe trashëgimisë së Revolucionit Francez, Rilindjes dhe socializmit. Por ka dobësi kur jep detaje të platformës së tij, sepse përdor fraza jo shumë të qarta. Duket shumë serioz dhe i mungon hera-herës aftësia për të frymëzuar njerëzit. Hollande nuk ka këshilltarë të posaçëm për median, apo paraqitjen. Ai është menaxheri i vetvetes dhe strategjia e tij ishte shumë e thjeshtë: të dukej më presidencial se presidenti. Për të arritur këtë objektiv, ai iu referua Mitterrand. Kur Hollande flet, ai kopjon gjestet e Mitterrand dhe mënyrën e tij të të folurit. Madje duket ndonjëherë sikur është rimishërim i presidentit të ndjerë. Ai e ka gjetur veten në situata të ngjashme strategjike me ato të Mitrerrand kur mundi Valery Giscard d’Estaing në vitin 1981. “Në atë kohë, thotë ai, presidenti në fuqi gjithashtu ishte fokusuar te frika ndaj së majtës, ndërkohë që Mitterrand nënvizonte dhe rrezatonte shpresë”.
Askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë presidenti do të jetë Hollande. Ai ka reputacion pragmatisti, që do të thotë se ai mund të shkojë me Merkel-in shumë më mirë nga sa mendohet sot. Por edhe pse ai konsiderohet në Francë si një socialist i moderuar, pikëpamjet e tij janë tërësisht leftiste. Për Hollande, rritja është diçka që i duhet lënë shtetit – ose Europës dhe Bankës së saj Qendrore. Ai thotë se është për një “buxhet serioz, por kundër masave shtrënguese që mund të zgjasin për një kohë të gjatë”. Megjithatë, platforma e tij përmban shumë ide të kushtueshme, që mund të kapin shifrën e 20 miliardëve shtesë. Nëse Hollande do të ketë forcën që të reformojë Francën, nga themelet, apo do të kthehet në një Shirak të së majtës, kjo mbetet për t’u parë.
Ikje nga masat shtrënguese në Europë
Refuzimi i Merkel-it për t’u takuar me Hollande së bashku me mbështetjen fillestare që ajo i dha në fushatë Sarkozy nuk do ta lehtësojnë shumë bashkëpunimin e ardhshëm. “Ishte një fakt interesant, që unë nuk u prita”, thotë Hollande. Në fjalimet e fundit gjatë fushatës zgjedhore, vetëbesimi i tij është rritur ndjeshëm dhe në to, ai ka shprehur besimin se zgjedhja e tij do të jetë edhe një largim nga politikat e shkurtimeve financiare në Europë.
Në pasditen e mbërritjes së Hollande në Quimper, ai bën një shëtitje në distriktin historik të qytetit. Rreth Hollande, i cili nuk është shumë i gjatë, mblidhet dukshëm një turmë e madhe me njerëz. Pozicioni i tij në mesin e turmës mund të dallohet vetëm nga mikrofonat e gazetarëve që e kanë mbuluar të tërin. Ai buzëqesh dhe flet sa djathtas-majtas. Dita, në fillimin e saj, ishte e stuhishme me shumë shi e vetëtima, por tani gjithçka është qetësuar. Diku përpara katedrales, Hollande nis të flasë. Ai nxit në maksimum kordat zanore, ndaj shpesh duket se është duke e humbur zërin. “Unë do t’ju mbroj. Kështu ju tha Sarkozy? Po a e mbajti fjalën ai?”.
Gjithmonë i nënvleftësuar
Hollande nuk është një njeri të cilit i pëlqen shumë që të flasë, ndryshe nga Sarkozy, por ai mbajti një fjalim të rëndësishëm në fund të janarit, në një auditor në afërsi të Parisit, kur e vuri fushatën në kontekstin e historisë së Francës dhe të socializmit. Për shumë vite me radhë, Hollande ka qenë një ushtar besnik i partisë së tij dhe nuk kishte prekur kurrë majat dhe nuk arriti që të bëhej anëtar i ndonjë administrate. Aktualisht ai është presidenti i Këshillit të Përgjithshëm të Departamentit të Distriktit të Correze.
Njerëzit në përgjithësi e kanë nënvleftësuar gjithmonë, thotë një nga menaxherët e fushatës së tij. Ai ishte me Hollande dhe gjatë fushatës për në Partinë Socialiste në vitin 1998 dhe 2008. Hollande është një person i rezervuar, që nuk i shfaq kurrë emocionet personale dhe megjithatë, është shumë miqësor dhe social dhe sa u takon të tjerëve, di të jetë i ndjeshëm. Disa javë më parë, djali 28-vjeçar i Hollande, Thomas tha: “Unë jam si im atë. Nuk di të them jo”.
Ndërsa ka drejtuar Partinë Socialiste, Hollande është njohur si “njeriu i sintezave”. Ai do të ulej në një dhomë me përfaqësues të krahëve të ndryshëm të partisë dhe do t’i linte që të paraqisnin pikëpamjet e tyre dhe në fund të takimeve, ai do të përmblidhte atë që ishte diskutuar në një mënyrë që reflektonte gjithçka që ishte thënë, por pa e shfaqur pozicionin e tij. Për Francën, do të ishte një ndryshim i jashtëzakonshëm, nëse do të kishte në krye të saj një njeri që kërkon kompromisin në vend të konfliktit.