Rriten shanset e fitores së kandidatit të majtë për presidencën franceze


Liberali François Bayrou, që nuk fitoi vota të mjaftueshme për të kaluar në balotazh, ka kaluar publikisht në anën e sfiduesit të Presidentit aktual Sarkozi


Tri sondazhe parashikojnë një fitore të Hollande me 52,5 për qind: Institutet BVA, Opinionway-Fiducial dhe Ipsos-LOGICA parashikojnë që Sarkozi të fitojë vetëm 47.5 për qind të votave


Në të gjitha anketat e zhvilluara pas debatit, Hollande ka qenë dukshëm më bindës sesa kundërkandidati i tij, Presidenti aktual i Francës, Nikolas Sarkozi


Sondazhet e bëra 24 orë nga vota e raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë, flasin për një fitore të kandidatit të majtë, Hollande. Gjatë dy javëve të fundit ai ka qenë me 8 deri 10 pikë në avantazh ndaj kandidatit të djathtë, Presidentit aktual të Francës, Sarkozi, por duket se tashmë ka edhe një ndihmë tjetër në krah. Liberali François Bayrou, që nuk fitoi vota të mjaftueshme për të kaluar në balotazh, ka kaluar publikisht në anën e sfiduesit të Presidentit aktual Sarkozi. Presidenti i Francës, Nikolas Sarkozi ka marrë edhe një goditje të rëndë në luftën për rizgjedhje në postin e presidentit. Liberali François Bayrou, i cili nuk ka arritur në raundin e parë që të fitojë vota të mjaftueshme për të kaluar në balotazh, ka kaluar publikisht në anën e sfiduesit të Sarkozisë, socialistit François Hollande. Si arsyetim ai ka përmendur gjahun e Presidentit për të fituar vota në kampin e ekstremizmit të djathtë. Kjo është hera e parë në dekadat e fundit që një kandidat liberaldelnë mbështetje të një kandidati të majtë. Pak para raundit vendimtar të zgjedhjeve presidenciale në Francë, socialisti François Hollande është ende qartë përpara: në bazë të anketave të ndryshme, rezultatet e të cilave u publikuan të enjten mbrëma, 57-vjeçari mund të grumbullojë të dielën 52.5 deri në 53.5 për qind të votave të elektoratit. Në këtë mënyrë ai ndodhet përpara Presidentit konservator Nikolas Sarkozi, për të cilin parashikohet se do të fitojë 46.5 deri në 47.5 për qind të votave të përgjithshme. Megjithatë Hollande ka shënuar një rënie të lehtë në krahasim me sondazhet e mëparshme. Sipas një sondazhi të kryer nga “TNS Sofres”, Hollande mund të arrijë të fitojë rreth 53,5 për qind të votave, ndërsa Sarkozi rreth 46.5 për qind, çfarë do të thotë 1.5 pikë më shumë se më parë. Edhe në sondazhin e kryer nga Instituti Harris Interaktive, Sarkozy ka shënuar një ngritje me dy për qind. Sidoqoftë edhe me këtë ngritje Sarkozi do të pësonte humbje të dielën. Gjithashtu edhe Instituti CSA e sheh në epërsi Hollande me 53 për qind. Tri sondazhe parashikojnë një fitore të Hollande me 52,5 për qind: Institutet BVA, Opinionway-Fiducial dhe Ipsos-LOGICA parashikojnë që Sarkozi të fitojë vetëm 47.5 për qind të votave. Në duelin e vetëm të drejtpërdrejtë televiziv të dy kandidatëve të mërkurën mbrëma, Hollande dukej më bindës për francezët se sa Sarkozi. Në të gjitha anketat e zhvilluara pas debatit, Hollande ka qenë dukshëm më bindës sesa kundërkandidati i tij, Presidenti aktual i Francës, Nikolas Sarkozi.