Pretenca
Akuza: Do të hetojmë policët që ndryshuan dëshminë në gjyq. Gilmando Dani të dënohet 18 muaj burg
Prokuroria e Tiranës i kërkon gjykatës të burgosë për katër vjet Emiljano Shullazin, ndërsa Gilmando Dani të qëndrojë në qeli për 18 muaj. Prokurori Adriano Dyrmishi ka lexuar dje pretencën, ndërsa pohoi se oficerët e policisë që ndryshuan dëshminë në gjykatë do të hetohen nga prokuroria. Sipas akuzës, fakti penal ka ndodhur më 8 nëntor 2011, rreth orës 17.30 në rrugën “Stavri Thelemi” në Tiranë, ku policia ka konstatuar tre persona të dyshimtë me precedentë penalë. Patrulla kërkoi që ndaj tyre të ushtrohej kontroll. Njëri prej tyre është larguar, ndërsa dy të tjerët, Shullazi e Dani, u kontrolluan. Gjatë kontrollit u janë gjetur një pistoletë, një maskë fshehjeje, 7 celularë, një palë syze maskimi. Këta persona janë shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr. 2. Bazuar në procesverbalin e kapjes në flagrancë dhe në deklarimet e dhëna të punonjësve të policisë, rezulton se armën e ka nxjerrë nga brezi Emiljano Shullazi.
Sipas prokurorisë, autopatrulla ka konstatuar tre persona që po qëndronin në afërsi të një lavazhi, ku njëri nga këta u identifikua si Emiljano Shullazi. Ata kanë ndaluar mjetin dhe sa kanë zbritur, njëri është larguar. Policët kanë dalluar që ai mbante në dorën e djathtë një armë pistolete. Në këtë moment, njëri nga dy personat e tjerë dhe pikërisht Shullazi, ka hedhur sipër një makine të parkuar, një pistoletë që e kishte në brez, ndërsa Dani është munduar që ta shtyjë pistoletën për ta hedhur në tokë. Është bërë bllokimi i tyre dhe shoqërimi për në komisariat.
Sipas prokurorisë, për të provuar akuzën janë thirrur në gjykatë për dëshmi punonjësit e policisë Fisnik Sinani, Erlin Milo dhe Ferit Saliaj, të cilët kanë bërë ndalimin dhe kontrollin, si dhe kanë bërë procesverbalin. Ata kanë deklaruar rrethana të ndryshme për ngjarjen nga sa kanë dhënë në deklarimet e tyre para prokurorisë, ku ata shpjegonin me hollësi se armën pistoletë e ka nxjerrë nga brezi Emiljano Shullazi. Këto dëshmi janë kundërshtuar. Megjithatë, gjykata nuk i ka pranuar. “Punonjësit e policisë, Fisnik Sinani dhe Erlin Milo, kanë konsumuar elementet e veprës penale të ‘dëshmisë së rreme’”, pohoi prokurori dje në gjykatë. Më tej ai tha se dëshmitë e dhëna para OPGJ-ve të këtyre punonjësve të policisë duhet të merren në konsideratë, pasi ata kanë hartuar edhe një procesverbal. “Pikërisht kjo provë shkresore, e papërsëritshme, e hartuar në momentet e para, e bën të pabesueshme dëshminë e punonjësve të policisë në gjykatë”, thotë Dyrmishi. Në fund të pretencës pohon se në caktimin e llojit dhe masës së dënimit gjykata të ketë parasysh rrezikshmërinë e veprës. “I kërkojmë gjykatës të ketë parasysh faktin që i pandehuri paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe ka qenë i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale. Organi i prokurorisë çmon se aplikimi i llojit të dënimit me burgim të të pandehurve do të realizojë ndëshkimin dhe njëkohësisht riedukimin e tyre, me qëllim parandalimin në kryerjen e veprave të tjera penale në të ardhmen”, thotë akuza. S.Çobo
Rrezikshmëria shoqërore
I kërkojmë gjykatës të ketë parasysh faktin që i pandehuri paraqet rrezikshmëri shoqërore dhe ka qenë i dënuar më parë për vepra të ndryshme penale
Parandalimi i krimeve
Dënimi me burg do të sjellë ndëshkimin dhe njëkohësisht riedukimin e tyre, me qëllim parandalimin në kryerjen e veprave të tjera penale në të ardhmen
Dëshmia e rreme
“Punonjësit e policisë, Fisnik Sinani dhe Erlin Milo, kanë konsumuar elementet e veprës penale të ‘dëshmisë së rreme’”
Shullazi ka hedhur sipër një makine të parkuar një pistoletë, ndërsa Dani është munduar që ta shtyjë pistoletën në tokë