Ivica Daciç ka ringjallur sloganet e Sllobos dhe po sillet njësoj si ai me shqiptarët


Poster i Ivica Dacic në Serbi. Ish-zëdhënësi i Miloshevicit sulmon shqiptarët për të fituar vota


Ivica Daciç, kryetar i Partisë Socialiste të Serbisë, që është praktikisht partia e themeluar nga Kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviç dhe bashkëshortja e tij Mira, ka rrezik të bëhet kryeministër i Serbisë ose së paku, do të dalë si forca e tretë politike dhe ajo vendimtare për qeverinë e ardhshme, bën të ditur media ndërkombëtare.


“Ndërsa Serbët përgatiten për të votuar në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të dielën (nesër më 6 maj), 46 vjeçari karizmatik që pëlqen muzikën e Frank Sinatrës dhe ka përdorur Obamën, Putinin dhe Titon si modele nga ku ka huazuar stilin e vet, ka fituar së fundmi mbështetje të gjerë mes serbëve duke përzjerë patriotizmin, pragmatizmin dhe thirrjet për drejtësi shoqërore,” shkruan korrespondenti i NTY në Europën Lindore Dan Bilefsky.


“Duke iu përgjigjur zemërimit popullor ndaj politikës aktuale të vendit, ai ka ndryshuar paksa një slogan të famshëm të Millosheviçit,” shpjegon më tej Bilefsky. Millosheviçi e bëri slogan deklaratën e tij në Kosovë më 1987 “Askush nuk lejohet t’ju rrahë ju”, një ngjarje që qe hapi vendimtar drejt luftës së përgjakshme të ish-Jugosllavisë. Daciç sot thotë “askush nuk lejohet t’ju gënjejë ju.”


Përveç të qenit një trashëgimtar i drejtpërdrejtë i politikës së Millosheviçit, Daciç ka bërë të gjitha përpjekjet për ta forcuar këtë trashëgimi, veçanërisht sa i përket marrëdhënieve me shqiptarët në Kosovë apo në Luginën e Preshevës. Një muaj më parë ai dërgoi policët serbë për të rrëmbyer dy policë kosovarë dhe bëri poza para shtypit me fotografitë e policëve kosovarë të poshtëruar ndërsa këtë javë, urdhëroi arrestimin e disa të rinjve shqiptarë në Luginën e Preshevës për spektakël politik në prag të zgjedhjeve.


Sondazhet e nxjerrin Daciçin në vend të tretë, por për shkak se dy konkurrentët e tij, Boris Tadiç dhe Tomislav Nikoliç nuk do të kapin dot 50 për qind të parlamentit të ardhshëm, pesha e Daciç në politikën serbe do të jetë më e madhe se sa numri i votave të tij. Mes dy konkurrentëve, Tadiç njihet si “proeuropian, por shpesh ka luajtur me nacionalizmin ndërsa Tomislav Nikoliç është një ish ultranacionalist që tashmë është prezantuar si proeuropian.


Duke folur para mbështetësve të vet nëpër Serbi, Daciç ka përdorur me bollëk parulla nacionaliste të llojit: “Ne flasim serbisht kështuqë e gjithë bota mund të na kuptojë,” ndërsa nga turma janë dëgjuar parulla të llojit: “Heroj, bëhuni gati për betejë!”


Politikanët serbë, njësoj si të gjithë homologët e tyre në Ballkan i kanë ndryshuar parullat dhe politikat e veta sipas interesit të momentit, por fakti që Daciç po zgjeron pushtetin e vet në Serbi falë politikave të veta antishqiptare, ka alarmuar sakaq diplomacinë perëndimore, e cila ka deklaruar se po ndjek nga afër situatën.


Analistët thonë se një nga shkaqet e popullaritetit të Daciç është edhe pakënaqësia në rritje ndaj presidentit aktual Boris Tadiç, i cili është i pëlqyer në Bruksel dhe Uashinton. Brukseli e ka shpërblyer shpesh Tadiç, fillimisht me heqjen e vizave më herët se sa për Shqipërinë e Bosnjën e më pas me dhënien e statusit të vendit kandidat për anëtarësim.


Vetë Daciç ka punuar dikur si zëdhënës i Millosheviçit dhe e ka transformuar partinë e ish-mentorit të vet në një parti socialdemokrate, duke braktisur një pjesë të ideologjisë së vjetër por pa hequr dorë nga krenaria deri në fodullëk i Serbisë. 5 Maj 2012 (gazeta-Shqip.com)