Dukuria 


Dështimi financiar i Greqisë bëri të qartë se korrupsioni dhe ekonomia në hije janë kthyer në problem të madh për Europën. Bashkimi Europian ka arsye të shqetësohet. Fjala nuk është më për disa kartëmonedha euroje, që kalojnë ilegalisht nga njëra dorë te tjetra, ose para që nuk taksohen. Kriza financiare e Greqisë u ka hapur sytë funksionarëve të BE-së dhe u ka bërë të qartë si bëhen përgjegjëse për shkatërrimin e ekonomive popullore ryshfetet dhe favoret e bëra në sasi të madhe. Sipas indeksit të korrupsionit të “Transparency International”, i cili përfshin 183 vende, probleme ekzistojnë në Hungari, Bullgari, Kroaci, Çeki dhe Itali. Greqia ndodhet në vendin e 80 në listë. Por edhe Gjermania nuk është pa ryshfete. Ajo ndodhet në mes të listës europianë sa i përket korrupsionit. Kurse në botë, Gjermania ndodhet në vendin e 14. “Korrupsioni i shkakton çdo vit ekonomisë europiane dëme prej 120 miliardë eurosh”, thotë komisioneria për çështjet e brendshme të BE-së, Cecilia Malmström. “Kjo i përgjigjet rreth një përqindëshi të prodhimit të brendshëm europian bruto dhe është gati sa një buxhet vjetor i BE-së”. Korrupsioni dallon nga vendi në vend për mënyrën se si bëhet, por ai mbetet fenomen i vazhdueshëm, i cili dëmton njësoj vendet anëtare të BE-së dhe BE-në në tërësi. Ai shkakton uljen e investimeve, pengon tregun e brendshëm dhe zvogëlon financat publike. Bashkimi Europian është i detyruar të veprojë kundër korrupsionit. Përndryshe rrezikohet besueshmëria dhe besimi i qytetarëve. Sipas sondazheve të fundit eurobarometër të Komisionit të BE-së, shumica e europianëve mendojnë se korrupsioni është shtuar në tre vitet e fundit. Gati treçereku i tyre e shohin korrupsionin si një problem të vazhdueshëm dhe besojnë se ryshfetet jepen në të gjitha nivelet qeveritare. Shumë ekspertë kërkojnë të bëhen përparime në këtë lëmi. “Nuk ka marrë asnjëherë masa që të kenë synime të caktuara”, thotë për BE-në Dominik Enste nga Instituti Gjerman i Ekonomisë në Këln. Në luftën kundër korrupsionit dhe ekonomisë në hije mund të shihen qasje në vende të veçanta, por jo në gjithë BE-në. “Kësaj teme i kushtohet vëmendje e madhe duke pyetur në mënyrë kritike nëse të dhënat që jepen nga vende të ndryshme duhen pranuar pa kushte”, pohon ai. Enste kujton se Greqia është futur në bashkimin monetar europian duke falsifikuar të dhënat e deficitit. Edhe Nienke Palstra nga “Transparency International” reagon në këtë mënyrë: “Ne përshëndesim shtimin e vëmendjes ndaj temës së korrupsionit, por pas fjalëve duhet të vijnë tani veprat.” Vendeve të Europës nuk u mungon pasqyrimi i problemeve. Ato e dinë prej kohësh ku ndodhen problemet dhe se si mund të bëhen ndryshime. Ajo që mungon është vullneti i nevojshëm. “Një nga problemet më të mëdha është angazhimi i mangët i politikanëve dhe marrësve të vendimeve në luftën kundër korrupsionit”, akuzon komisionerja Malmström. Ekzistojnë kuadrot e detajuar në nivel ndërkombëtar dhe europian, “por është treguar se zbatimi në vende të caktuara është shumë i ndryshëm.” Vetëm në mes të vitit të kaluar BE-ja vuri në vijë paketën e masave kundër korrupsionit. Një risi ishte raporti europian për luftimin e korrupsionit, i cili “do të tregojë në të ardhmen mangësitë dhe pikat e dobëta në 27 vendet anëtare, si dhe gatishmërinë politike për të vepruar”, thotë Malmström.


Raporti, i cili bazohet në analiza e informacione, si dhe institute e ekspertë të pavarur, do të publikohet çdo dy vjet. Ekspertët ekonomikë, si dhe “Transparency International”, mendojnë se ky është hap i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm. Sepse, në nivel të BE-së, nuk janë krijuar mundësitë që sjelljet e gabuara të gjykohen juridikisht. Korrupsioni pengon madje zgjerimin e BE-së, sepse vendet kandidate, Kroacia apo Serbia nga Europa Juglindore e rrezikuar prej korrupsionit, janë marrë prej kohësh nën vëzhgim, mendon Enste: “Ajo që mund të shikohet tani është se faktikisht zgjerimit i janë vënë frena.” Sipas mendimit të tij, ky nuk është disavantazh. Sepse respektimi i kritereve të pranimit në BE, “mund të ruajë BE-në që të mos përjetojë të njëjtat probleme si tani me Europën Juglindore dhe krizën e borxheve.” Nienke Palstra sheh po ashtu shanse në krizë. Për të bisedimet e pranimit janë “shkaqe të jashtëzakonshme” për të nxitur reformat.