Kryesocialisti pritet nga kryetari i Bashkisë së Firences, kandidat për kryeministër

Itali

Edi Rama takon “yllin” e së majtës italiane

 “Sikur të mos kishte persona si Renzo Bossi që i blejnë ato diploma, do të ishte më mirë”

Kryetari i PS-së, Edi Rama, i cili zhvilloi vizitë në Firence të Italisë, është pritur dje në një takim të posaçëm nga kryetari i bashkisë së këtij qyteti, Matteo Renzi. Gjatë takimit me kryebashkiakun e Firences, Matteo Renzi, njëherazi një ndër ideologët kryesorë dhe yjet në ngjitje të së majtës italiane, Edi Rama, ka folur në detaje për programin e së majtës shqiptare “Për një rilindje kombëtare”, si dhe format e ndryshme të bashkëpunimit në funksion të modernizimit të qeverisjes dhe ekonomisë. Kryebashkiaku i Firences e priti Edi Ramën i shoqëruar nga këshilltarja për universitetin, Cristina Giachi, dhe presidenti i Këshillit Komunal, Eugenio Giani, i cili ka bashkëpunuar me Ramën kur ai ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës, qytet i binjakëzuar me Firencen që prej 2001. Po ashtu, Matteo Renzi do të shprehej për rastin Bossi, se të dyja vendet tona, Italia dhe Shqipëria, duhet të evitojnë që të kenë universitete që japin diploma false. E kjo vlen, tha kryebashkiaku i Firences, si për vendin tuaj ashtu edhe për vendin tonë, padyshim që sikur të mos kishte persona si Renzo Bossi që i blejnë ato diploma, do të ishte më mirë: “Unë besoj se Lega Nord në Itali po demonstron fytyrën e vërtetë më të trishtë dhe më të shëmtuar. Ndodhi me Umberto Bossi-n me të gjithë ato çka ka thënë dhe ka bërë në këta muaj. Ndodhi me financimin publik të gjërave shumë të diskutuara, madje ilegale që nga marrja e fondeve për të marrë diamantet dhe investimet në Tanzani. Tani Bossi, që ka bërë tri herë provimin e maturës në Itali, sepse nuk arrinte ta merrte, ka shkuar me paratë e financimit publik dhe është regjistruar në një universitet në Londër dhe ka marrë një diplomë në Tiranë. Besoj se nuk shkon. Është e dukshme se Italia, Renzo Bossi, Padania, siç e quajnë ata, ka bërë një figurë të shëmtuar. Padyshim që sikur të mos kishte persona si Renzo Bossi që t’i blejnë, do të ishte më mirë”, tha ai. Edi Rama ka zhvilluar më herët një takim me të rinjtë shqiptarë studentë në Firence, me të cilët ka biseduar për programin “Për një rilindje shqiptare”. Të rinjtë e kanë pyetur Edi Ramën se çfarë do të ndryshojë në Shqipëri me qeverisjen e Partisë Socialiste. Rama i është përgjigjur: Unë do të isha shumë i kënaqur në qoftë se në katër vjet ne do të kishim një sistem taksimi të ndershëm, ku infermierët, mësuesit, policët dhe të gjithë rrogëtarët të paguanin më pak taksa dhe të shërbeheshin më mirë nga shteti dhe ku kryeministri, ministrat, deputetët, zyrtarët e lartë të paguanin më shumë taksa dhe t’u shërbenin më mirë njerëzve”. Unë do të isha shumë i kënaqur në qoftë se pas katër vjetësh ne do kishim një administratë publike që do të ngjante më shumë me ju sesa me Saliun kur ta shikojë”. Gjatë vizitës së tij, Edi Rama ka zhvilluar dhe një sërë takimesh informale me qytetarë shqiptarë me banim në Firence dhe strukturat e Partisë Socialiste në këtë qytet.

Autor te 5 Maj 2012. Kryesoret, Politikë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Paskali vl

    kandidat per kryeminister Mateo Renzi ???!!!!