Kur debatohet për Kadarenë

Kadri Ujkaj, kritik letrar

 “Kritika akademike del mbi komentet e rastit: Një libër e lexon dhe pas shumë vitesh punon mbi të, i kthehet prapë e shqyrton…, kurse kritika militante varet nga moti dhe nga lagështira në ajër…”     Umberto Eko

Ne, shqiptarët, një nga kombet më të vjetër në Ballkan, si popull dhe si gjuhë me amë “pellazgjishten-model krijues në rajon dhe më gjerë për gjuhë të tilla prestigjioze si greqishtja dhe latinishtja” (Robet d’Angely, “Enigma” fq. 214), po aq edhe më i riu me historinë e shkruar, jo për fajin tonë, ndoshta po kaq jemi edhe një precedent në botë me historinë tonë “të dokumentuar” aq mrekullisht që nga prehistoria (“Kush e solli Doruntinën?”, i vlerësuar si një nga 100 kryeveprat e letërsisë botërore) në post-histori, d.m.th deri në ditët tona, nga vepra totale e një krijuesi universal si Kadare, i përkthyer në rreth 40 gjuhë, me tirazhin më të madh të vajtjes te lexuesi ynë apo i huaj.

Mjafton vetëm kjo që t’i obligojë studiuesit tanë të letërsisë për t’iu rikthyer herë pas here, profesionalisht, larg komplekseve si kryqëzata të shpirtit të lirë veprës së tij.

Të vjen keq që ka studiues apo studiuese, t’i quajnë veprat e Kadaresë me interes thjesht “historik” apo “ekzotik”. Mjerisht të tillë brumi janë jo vetëm të huaj, por edhe “hulumtues” shqiptarë, narcistë që shkumëzojnë, mjeshtër të stilit kaçiram, që vazhdojnë të mjerojnë në “letrat” tona.

Ndërsa debatet apo replikat publike, në masmedia, Kadare-Qose, me të cilat askush s’ka të drejtë të abuzojë, i kam vlerësuar kurdoherë si komponentë të fuqishëm të edukimit të vetë kombit tonë me ndjenjën solide dhe transparente brenda vetvetes të identitetit kombëtar, po aq edhe të shëndetshme për mjedisin tonë shoqëror, ndryshe si vetëdije civile kundër çdo strehëze kulti në jetën e debatit tonë publik civil.

Në thelbin e vet ky debat, kujtdo që njihte respektin e ndërsjellë mes tyre si krijues, pavarësisht edhe ndonjë teprimi, shprehje e zemërimit ballkanik, për çka do të na paralajmëronte Homeri përmes figurës brilante të Akilit, i sillte në mendje anatemat e Konicës kundër Naimit, nisur, thjesht, nga një fakt jashtë jetës artistike te Poeti ynë Kombëtar, siç ishte respektimi i moralit bektashian nga Naimi në rastin e martesës së tij, fatkeqe, çka Konicës, si kritik letrar, i pati bërë, pa të drejtë, reaksion.

“Kritika letrare asht matja, asht’ pesha e nji prodhimi shpirtnuer, asht’ shkurt bota e vlerave, filozofia e artit. E nëqoftëse ndonjëherë përgjigja e saj asht’ mohuese dhe e vrazhdë, asht’ kot me ju rebelue. Njisoj si me ju rebelue vendimeve të preme të nji gjyqtari të pagabueshëm. E zanat e atyre që kanë me dalë kundërshtarë të kësaj kritike, dhe zanat e atyre që mendojnë me kritere të stërvjetrueme se aty ku ka bollëk duhet të ketë edhe mall të mirë ne u përgjigjemi: Janë egjra që kërkon me mbytë grunin e frytshëm”, – nënvizonte kritiku letrar i mirënjohur, profesor Arshi Pipa.

Edhe pse romanin “Dasma”, bie fjala, edhe vetë Kadare e ka konsideruar si vepër të dështuar, ndryshe përjetuar sipas skemës së socrealizmit, prof. Pipa në parathënien e pabotuar të romanit “Kronikë në gur”, në këndvështrimin psikoanalitik “Dasmën” e quan: “Një përqeshje me lëvizjet revolucionare dhe aksionet komuniste”.

 

2

Po kaq, s’mund të injorohet fakti se në rastin konkret të anatemimit të Kadaresë nga prof. dr. Rexhep Qose etj. filozofikisht, jemi para momentit: “Kur vepra letrare sërishmi njësohet me autorin, personazhi, veprimi dhe idetë me autorin, kurse rikthimi i vlerave letrare merr manifestimin e rikthimit të ideve të autorit, atëherë gjithë kjo merr tonin e një temperature revanshi” (prof. S. Hamiti “Letra shqipe-Sprovë poetike”, fq. 21):

Kadare real, vërtet ishte komunist në vitet ‘70, por po aq kurrsesi s’do të guxonte të manifestonte në strukturën partiake ku “militonte” ato ide që manifestonte Kadare ireal përmes personazheve të tij si: Besnik Struga, Arbeni, Viktori, Faiku apo Zana, vajza e një zëvendësministri, përfaqësues autentik i partisë-shtet, të cilën autori e “detyron” të flirtojë me Markun, djalin e një të deklasuari… etj., etj. në romanin “Dimri i Madh” fundi i të cilit nuk vjen aspak entuziast apo i lumtur: Asnjë i tillë, asnjë i lumtur, asnjëri “burim frymëzimi” – jashtë ngjarjes si realitet historik, por vetëm i zymtë, qoftë fati i Besnikut, qoftë fati i Zanës: “Besniku humbet Zanën, Zana humbet Besnikun”…

Kështu që askush, mendoj, s’ka shkak estetiko-filozofik ta trajtojë si identik me të, ndryshe të identifikojë jetën politike të autorit (Kush ishte, kush e mbrojti, Enveri apo Ramizi, ky apo ai kritik, forum, funksionar etj.) me jetën e veprës së tij artistike. Po aq sa vjen krejt jashtëloje, si kofini pas të vjelave “ironia bezdisëse me kritikën e socrealizmit” nën këshillimin e së cilës, mjerisht, “u formua” e gjithë elita letrare e ditëve tona. Kjo, sepse kritika në fjalë, pa pikë dyshimi, qe e detyruar të jetë, unanimisht, kujdestarja më fanatike e boshtit ideologjik etj., etj… gjëra që sot nuk zhbëhen dot do të thoshte Konica. Kështu, provokimi apo revanshi retorik vinë si lëndë e huaj-parazitare, që nuk ka asgjë të përbashkët me instinktin krijues, me damarin e gjeniut sipas Kroçes, çka shihet kthjellët edhe te “Dimri i Madh”, i cili me filozofinë estetike, që ofron, i kapërcente bindjet ideologjike të autorit, pra merr frymë plotësisht i lirë në hapësirën hermesiane.

Sikur tingëllon po aq hipokrite tentativa spekuluese, me antikonfirmizmin e mirënjohur kadarejan nën diktaturë, se gjoja Kadare na e paska mohuar disidencën e tij për arsye modestie. Aq më naiv vjen, në këtë sens, arsyetimi infantil i kompromiseve nën diktaturë nga ana e Kadaresë, që nuk po ia falkanë ata, “revolucionarët…”, siç i cilëson Oriana Fallaçi, të cilët na dashkan që Kadare të bëjë lojën e tyre, meqenëse ky i fundit “paska ngrënë dikur bukë në një çanak me ta” (Th.Note, St. “Disidenca shqiptare”, fq. 21, më 3.03.2012). Kadare krijues, “…që me sa duket s’mund të ishte asgjë më shumë prej natyre duke mbetur përgjithmonë një mjeshtër shembullor…” (po të perifrazonim vlerësimin e Bjelinskit dedikuar Pushkinit, kur flasim për prozën fondamentale të tij, duke filluar me “Qyteti pa reklama”, “Gjenerali…”, “Kronikë në Gur”, “Pallati i ëndrrave” etj., ndërsa poezia përgjithësisht, i shërbeu si zëdhënëse e kompromisit ekzistencial) jo rastësisht, por si krijues modern, i çliruar plotësisht nga psikologjia e kafazit apo e nënshtrimit, do të konfirmonte: “Unë nuk kam qenë disident, unë jam shkrimtar s’kam kërkuar titull tjetër” (“Gazeta Shqiptare”, më 12.03.2002).

Askush në Austri nuk rebeloi, kohët e fundit, kundër veprës artistike të shkrimtarit të mirënjohur botërisht Gynter Grax, nobelist, kur ky, publikisht, vetëdeklaroi faktin e hidhur se paska qenë bashkëpunëtor i nazizmit gjatë Luftës II Botërore. Kriteri më i shëndetshëm në raportin e kritikut letrar me veprën artistike, nënvizonte prof. Arshi Pipa, është prioriteti që duhet t’i jepet vlerësimit në raport me gjykimin e saj.

Madje në SHBA, kohët e fundit, ka marrë jetë si një profil i ri alternativ i vlerësimit kritik të veprës letrare, rrënjësisht ndryshe nga kritika letrare tradicionale, i ashtuquajturi

protonizëm, i cili “duke mos u ndaluar fare tek mangësitë synon vetëm nxjerrjen në pah të anëve pozitive dhe të së bukurës në veprën letrare apo artistike, të cilën trajton”

(Gjekë Marinaj, “Protonizmi: Nga teoria në praktikë”, fq.4).

Duke mirëkuptuar cilindo studiues serioz në ndalesat kritike ndaj veprës së Kadaresë, përfshirë edhe romanin “Dimri i Madh”, pjesë e atij realiteti letrar, dua të theksoj se, në fund të fundit, vlera universale e një vepre letrare s’mund të kushtëzohet nga natyra e regjimit, por nga vitaliteti i brendshëm i saj, ndryshe nga thelbi gjenerues i mesazheve me vlera universale që ajo ofron në çdo kohë tek lexuesi Jashtë kësaj domethënieje estetiko-filozofike vepra letrare do të ishte, thjesht, një trillim pa pikë interesi.

“Kritika akademike del mbi komentet e rastit: Një libër e lexon dhe pas shumë vitesh punon mbi të, i kthehet prapë e shqyrton…, kurse kritika militante varet nga moti dhe nga lagështira në ajër…”, nënvizon Umberto Eko, kritik dhe eseist i shquar italian.

Ishte ndjenja e përgjegjësisë profesionale në sfondin e një konformizmi postmodern, shprehje e intelektualizmit organik ndër më absurdët, që më nxiti në pasurimin e mendimit kritik ndaj veprës së Kadaresë, e ritheksoj duke mos neglizhuar as “Dimrin e Madh”, i thënë me gjuhën e Homerit Kalë Troje me “grekun” brenda në këndvështrimin psikoanalitik, i lumtur se dhashë diçka, qoftë edhe sa pesha e një “kokrrize rëre”, siç do të shprehej Bjelinski, në kahje të kulturës e të qytetërimit tonë, që sot në botë përfaqësohet denjësisht nga Kadare, “shkrimtari universal me një traditë narracioni që e ka origjinën nga Homeri”, siç u shpreh kritiku anglez, profesor John Carey, kryetar i jurisë, kur i dorëzoi Kadaresë çmimin e parë, të versionit ndërkombëtar “Man Booker”, 2005 për letërsinë.

 Anëtar i Seminarit shkencor ndërkombëtar “Shkodra në Shekuj”.

Autor te 5 Maj 2012. Kulturë. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry