Hetimet


Armëmbajtja: Armët janë marrë përsipër vetëm nga katër të arrestuar, të cilët kishin në përdorim gjashtë mjetet luksoze, tashmë të bllokuara


Polici privat: Gjatë operacionit u arrestua edhe Dritan Osmani, i cili rezulton se është punonjës sigurie dhe ishte i armatosur me një “Shotgun”


Veprat penale: Policia ka zbardhur veprat penale për secilin nga 24 të arrestuarit, që sot pritet t’u bëhen të ditura gjatë masës së sigurisë


Numri i të arrestuarve shkon në 24 persona


Ata lëviznin me gjashtë makina dhe të armatosur deri në dhëmbë duke kërcënuar shoferët e furgonëve



Bledi Gilaj – Përplasja në Kamzë mes policisë dhe përfaqësuesve të firmës private që ka linjën e autobusëve Kamzë-Tiranë është thelluar edhe më shumë, pasi numri i të arrestuarve ka shkuar në 24 persona, ndërkohë që prokuroria ka ndarë akuzat për secilin prej tyre. Pothuajse të gjithë të arrestuarit akuzohen për të paktën një vepër penale, atë të kundërshtimit të punonjësit të policisë, ndërkohë që sot pritet të dalin para togave të zeza për vlerësimin e masës së sigurisë, ku pritet që ata të kërkojnë lirimin nga burgu. Gazeta “Shqip” ka siguruar procesverbalet e arrestimit, ku tregohen qartë kundërshtimet e grupit të arrestuar dhe sekuestrimet e kryera në disa makina luksoze, që ishin në pronësi të familjarëve të pronarit të linjës së autobusëve, ose të aksionerëve të tjerë. Mes të arrestuarve është vetë djali i pronarit Lush Osmani, ndërkohë që është kapur edhe një polic privat, i cili kishte bashkëpunuar me ta.


Procesverbalet


Në dokumentacionin e policisë shpjegohet se pas shoqërimit të të gjithë personave, të cilët u përplasën me forcat speciale te kryqëzimi i Bathores, ku kishin dalë me armë për të terrorizuar shoferët e furgonëve për shkak të konkurrencës, fillimisht u arrestuan katër persona, mes të cilëve Lin Osmani, 32 vjeç, djali i pronarit të linjës së autobusëve Kamzë-Tiranë. Ai është arrestuar vetëm për akuzën e prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve, ndërkohë që të njëjtën akuzë kanë tre të tjerët, Albert Osmani, 26 vjeç, Eduart Sokoli, 25 vjeç dhe Alfred Palushi, 34 vjeç, të gjithë banues në zonën e Kamzës.


Pas katërshes së parë, janë arrestuar katër të tjerë, po për akuzat e moskallëzimit të krimit dhe të kundërshtimit të punonjësve të policisë. Sa i përket moskallëzimit të krimit, policia tha se ata nuk kanë pranuar të tregojnë se të kujt ishin armët e sekuestruara gjatë operacionit. Në lidhje me këto dy vepra penale, policia ka arrestuar Gëzim Osmanin, 41 vjeç, Altin Palushin, 33 vjeç, Dritan Mëhillin, 32 vjeç dhe Jetmir Prengën, 29 vjeç, respektivisht banues në Kamzë, Laprakë dhe dy të fundit në Bathore.


Ndërsa 15 të tjerë janë arrestuar për moskallëzim krimi dhe mosbindje ndaj urdhrit të policisë, pasi të gjithë kanë kundërshtuar dhe kanë tentuar të arratisen në momentin që është kryer ndërhyrja për neutralizimin e tyre. Policia tha se për këto dy vepra penale janë arrestuar: Arlind Marashi 26 vjeç, Kujtim Kola 40 vjeç, Rrok Paluca 49 vjeç, Arjan Imeraj 29 vjeç, Erjon Mëhilli 25 vjeç, Seferin Osmani 30 vjeç, Vladimir Pjetri 33 vjeç, Zef Leka 21 vjeç, Alban Nikolli 32 vjeç, Fisnik Vukaj 22 vjeç, Besnik Palushi 37 vjeç, Dritan Osmani 31 vjeç, Tonin Pepkolaj 48 vjeç, Ferit Ndreaj 30 vjeç dhe Petrit Abazaj 39 vjeç.


I fundit i arrestuar është Bardhok Osmani, 29 vjeç, i cili ndryshe nga të tjerët që kanë nga një ose dy akuza, ai dyshohet për tri vepra penale, të cilat janë kundërshtim i punonjësit të policisë, kanosje për shkak të detyrës, mosbindje ndaj urdhrit të policisë. Ajo që bie në sy është fakti se vetëm katërshja e parë ka pranuar mbajtjen e armëve pa leje, ndërsa të tjerët kanë dalë të lirë nga kjo vepër penale. Sot ata pritet që të gjithë të dalin për masë sigurie në Gjykatën e Tiranës, ku shumë prej tyre mund të procedohen penalisht në gjendje të lirë, për shkak të veprave penale të lehta të konsumuara ditën e përplasjes me policinë në kryqëzimin e Bathores. Nga hetimet paraprake rezultoi se këta shtetas ishin pronarë apo kishin lidhje familjare me pronarin e firmës “Shpresa Al”, e cila ka linjën e autobusëve dhe ishin në konflikt të vazhdueshëm me shoferët e furgonëve, që punojnë në këtë linjë. Konflikti kishte si motiv konkurrencën, pasi siç pretendohet nga vetë pronari i kësaj linje, ata po e falimentojnë në mënyrë të paligjshme.


 


 


Sekuestrimet


Arsenal armësh në gjashtë makina luksoze


Ditën e arrestimit, policia ka sekuestruar edhe gjashtë makina luksoze, me të cilat lëviznin 24 personat e arrestuar, brenda të cilave janë gjetur armë të ndryshme. Kështu, në mjetin “Mercedes Benz” me targa AA 122 AJ të sekuestruar u gjetën një automatik, një shkop druri, një pistoletë, dhe një pushkë sportive, të cilat i përkisnin Lin Osmanit. Në mjetin “Hammer” të sekuestruar u gjet një automatik, një pistoletë, dy shkopinj druri dhe një shkop bejsbolli, që i përkasin Albert Osmanit. Në mjetin e sekuestruar “Benz Rexhina” u gjet një armë gjahu teke, e cila mendohet se është me leje, dy dërrasa dhe një shkop bejsbolli. Në mjetin e katërt, “Benz ML 270”, u gjet një pistoletë, një shkop bejsbolli, një bisht lopate, një pistoletë elektrike, një thikë me sustë dhe një radio policie, të cilat i kishte Alfred Palushi. Në mjetin e pestë “Benz” u gjet një “Shotgun”, i cili mendohet se është me leje dhe dy shkopinj bejsbolli. Ndërsa në mjetin e gjashtë, “Benz ML 270”, u gjet një pistoletë TT, dy tuba plastikë dhe një ristelë. “Shotgun”-i është me leje dhe i përket Dritan Osmanit, i cili është punonjës i një firme sigurie. Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u gjet një pistoletë “Zastava”, të cilën e kishte pa leje Eduart Sokoli. Në të u gjet edhe një njollë gjaku, e cila u mor si kampion. Veç armëve, policia ka sekuestruar edhe shumë municione të ndryshme.