Plan masash nga vendorët dhe ndërkombëtarët për ruajtjen e sigurisë
Nesër pritet që zgjedhjet lokale serbe të zhvillohen edhe në 90 qendra votimi në Kosovë. Autoritetet vendore e ndërkombëtarë të sigurisë në Kosovë, kanë deklaruar se tashmë janë marrë të gjitha masat për të mbajtur nën kontroll situatën e sigurisë më 6 maj, por pa dhënë shumë detaje. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për mediat kosovare se: “Sa u përket zgjedhjeve lokale serbe të paralajmëruara se do të mbahen në Kosovë, policia e ka planin e hartuar me kohë për parandalimin e mbajtjes së zgjedhjeve të tilla. Ndërsa, sa u përket zgjedhjeve parlamentare e presidenciale, në bazë të marrëveshjes së arritur, Policia e Kosovës do të ofrojë siguri për të gjithë qytetarët gjatë këtij procesi zgjedhor”, u shpreh Kelani. Zgjedhjet parlamentare e presidenciale të Serbisë pritet të mbahen në 28 zona dhe 90 vendvotime në tërë territorin e Kosovës. Lehtësimin e këtyre zgjedhjeve do ta bëjë misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, ndërsa përgjegjës për siguri – karshi Policisë së Kosovës, do të jenë misioni evropian për sundimin e ligjit EULEX, dhe misioni ushtarak i NATO-s. Zëdhënësja e EULEX-it, Irina Gudeleviç më herët ka deklaruar se misioni evropian do të veprojë në përputhje me mandatin që ka dhe do të kontribuojë për ruajtjen e rendit dhe qetësisë. “Në përputhje me mandatin që ka, EULEX-i do ta mbështes këtë proces dhe misioni bashkëpunon ngushtë me policinë dhe KFOR-in, për t’ia mundësuar OSBE-së të zbatojë detyrat e veta. Ajo që është më rëndësi të theksohet është se të gjithë mund të kontribuojnë për ta mbajtur një situatë të qetë”, njoftoi ajo. Ndërkaq NATO javën e kaluar shtoi radhët me një kontingjent prej 700 trupash. Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, ka deklaruar për mediat kosovare se KFOR-i nuk ka të bëjë asgjë me zgjedhjet serbe dhe se trupat e tij e kanë rolin tretësor për sigurinë në vend. “Përgjegjës në radhë të parë janë Policia e Kosovës dhe EULEX-i “, tha Novicki. Por megjithë masat e marra, NATO, Prishtina dhe Beogradi kanë paralajmëruar për mundësinë e përshkallëzimit të gjendjes në veri të Kosovës, në kohën e zgjedhjeve serbe. Në një intervistë për DW, komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, ka deklaruar dje se forcimi i trupave me batalionin gjermano-austriak është një masë paraprake. “Jam i sigurt se ne jemi të gatshëm të evitojmë tendosjet apo incidentet e mëdha në këtë fundjavë zgjedhore. Në veçanti kur dihet se OSBE-ja, në marrëveshje me Beogradin dhe Prishtinën, ka marrë përsipër përgjegjësinë për drejtimin e këtyre zgjedhjeve”, ka thënë Drews. Në veri të Kosovës ende ekzistojnë të ashtuquajturat rrugë alternative. Mbylljen e këtyre rrugëve e ka kërkuar edhe NATO-ja. Drews thotë se KFOR-i nuk është mision i shtetit juridik dhe se kjo është detyrë e EULEX-it.
5 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)