Durrës
Blutë e Shijakut vunë në pranga dje një të kërkuar shqiptar nga Interpoli për shfrytëzim të prostitucionit dhe shfrytëzim në formën e skllavërisë. Shtetasi Fatmir Mema, 49 vjeç, banues në Xhafzotaj të Durrësit u kap nga policia lokale pasi është shpallur në kërkim ndërkombëtar më 17 prill të këtij viti dhe kanë lëshuar urdhër-arresti ndërkombëtar për të. Autoritetet e drejtësisë së Katanzaros në Itali e kanë dënuar me 20 vjet burgim për kryerjen e veprave penale të shfrytëzimit të prostitucionit dhe shfrytëzimit në formën e skllavërisë, të parashikuara në Kodin Penal Italian. Policia njoftoi se materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme prokurorisë në funksionim të ekstradimit të tij.