Vizita


Presidenti i Republikës, Bamir Topi, së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi, në krye të delegacionit zyrtar, u nis dje drejt shtetit të Vatikanit, me ftesë të Atit të Shenjtë, Papa Benediktit XVI. Presidenti Topi dhe Zonja e Parë do të priten në një audiencë të veçantë nga Papa Benedikti XVI, në prani të personaliteteve të larta të sekretarisë së shtetit të Vatikanit.


Zyra e shtypit e Presidencës bën të ditur se audienca që do të zhvillohet në zemër të Selisë së Shenjtë, do të ketë në qendër të tij bisedime mbi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira midis vendit tonë dhe shtetit të Vatikanit, ruajtjen e vlerave të bashkëjetesës ndërfetare, si dhe kontributin e bashkësive fetare në jetën e vendit dhe rolin e shtetit në ndihmë të tyre. Gjatë kësaj vizite, Presidenti Topi pritet të zhvillojë edhe një takim zyrtar me sekretarin e shtetit të Vatikanit, kardinalin Tarcizio Bertone.