Ati i Shenjtë vlerëson bashkëjetesën fetare në Shqipëri. Pranon ftesën e kreut të shtetit shqiptar


Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi, u pritën paraditen e sotme nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI, në një nga mjediset kryesore të Kishës Katolike të Vatikanit, në Romë. Pasi falënderoi Papën Benedikti XVI për nderimin e veçantë, dhe njëkohësisht pasi nënvizoi kënaqësinë e vlerësimin e madh për këtë takim të rëndësishëm, Presidenti Topi shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përkrahjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shtetit të Vatikanit, konsolidimit të demokracisë dhe institucioneve shqiptare, sidomos në drejtim të ruajtjes e forcimit të bashkëjetesës e harmonisë fetare në Shqipëri.  Duke risjellë në vëmendje e me krenari faktin që “tashmë janë shënuar më se 20 vjet të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Vatikan, në rang Nunziature Apostolike”, kreu u shtetit vuri në dukje “rolin e madh të Kishës Katolike në zhvillimet shpirtërore, kulturore e arsimore në shoqërinë shqiptare”, duke shprehur besimin se “Vatikani do të jetë gjithmonë në krah të përpjekjeve e aspiratave të popullit shqiptar për t’u bërë pjesë e rëndësishme dhe e dobishme e familjes së madhe evropiane”. Nga ana e tij, Papa Benedikti XVI, theksoi se Selia e Shenjtë do të vazhdojë të mbështesë plotësisht Shqipërinë në të gjitha përpjekjet e saj për zhvillimin të mëtejshëm të vendit në të gjitha fushat, por dhe në realizimin e aspiratës integruese për në Bashkimin Evropian, edhe në kuadër të kremtimit të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së saj. Ati i Shenjtë vlerësoi lart gjithashtu edhe bashkëjetesën e harmoninë ndërfetare që ka karakterizuar popullin shqiptar gjatë gjithë historisë së tij shekullore, duke e konsideruar si “një shembull unik të evidentimit të vlerave më të mira paqedashëse njerëzore”. Në kuadër të vitit jubilar të 100-vjetorit të Pavarësisë, Presidenti i Republikës e ftoi Atin e Shenjtë, Papa Benediktit XVI që të vizitojë Shqipërinë, ftesë e cila u pranua me shumë kënaqësi dhe vizita do të realizohet në një kohë të përshtatshme.


5 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)