Dosja e prokurorisë. Rrëfimet: Na zhvishte, abuzonte dhe na fotografonte nudo
Sokol Çobo – Zbardhet aktakuza ndaj pedofilit amerikan Karl Stefan Kaminski me fëmijët shqiptarë në qytetin e Durrësit. Ngjarjet kanë ndodhur në vitet 2003-2006, në një banesë që amerikani e kishte marrë me qira. 70-vjeçari ka arritur të kryejë marrëdhënie seksuale me fëmijët nën moshën 14 vjeç. Kanë qenë dëshmitë e fëmijëve dhe familjarëve të tyre që kanë zbuluar skandalin, ndërsa prokuroria ka paraqitur në gjykatë edhe filmimet dhe fotografitë që Kaminski ka bërë në Shqipëri. Sipas rrëfimeve të tyre, Kaminski ka abuzuar me ta, madje duke i filmuar dhe fotografuar nudo. Gazeta “Shqip” ka siguruar dosjen e Prokurorisë së Tiranës, në të cilën detajohen të gjitha akuzat ndaj amerikanit që nga ardhja në Shqipëri, arrestimi në Gjermani dhe ekstradimi drejt SHBA-së, ku Kaminski po vuan një dënim të marrë në vitin 1988.
Dosja e prokurorisë
Procedimi penal mban numrin 3358 dhe është regjistruar në vitin 2011 në ngarkim të pandehurit: Karl Stefan Kaminski i datëlindjes 01.06.1942, lindur e banues në Masaçusets, USA. Akuzohet për veprën penale marrëdhënie seksuale me të mitur më shumë se një herë, me pasoja të rënda. Rezulton e provuar se Prokuroria e Tiranës, mbi bazën e kallëzimit të ardhur nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm, ka regjistruar procedimin ndaj Kaminskit (i identifikuar në Shqipëri me emrin David Gerard Golderstein). Nga hetimet ka rezultuar e provuar se më datë 03.07.2006 i pandehuri ka qenë duke udhëtuar në afërsi të Rosenheimit, në Gjermani, ku është kontrolluar nga autoritetet e këtij vendi. Gjatë kontrollit, Kaminski ka paraqitur një pasaportë belge me gjeneralitete David Gerard Golderstein, tërësisht e falsifikuar, shkak për të cilin ai është dënuar me një vit e katër muaj burg. Pas përfundimit të dënimit të mësipërm i pandehuri më datë 02.11.2007 është ekstraduar dhe dorëzuar autoriteteve amerikane, për shkak se atje kërkohej për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata e këtij vendi për abuzime seksuale me të mitur. Në momentin e dorëzimit të këtij shtetasi janë dhënë edhe provat materiale autoriteteve amerikane, CD, materiale filmime, të cilat pas transkriptimeve të bëra janë kthyer përsëri në Gjermani, duke menduar se abuzimi me të mitur nga shtetasi i mësipërm kishte ndodhur pikërisht atje. Autoritetet gjermane, pas verifikimeve të kryera, kanë arritur të identifikojnë se abuzimet e kryera me të mitur nga shtetasi Karl Kaminski kanë ndodhur në Shqipëri, shkak për të cilin janë dërguar materialet hetimore në rrugën procedurale të parashikuara në ligj.
Pas kryerjes së veprimeve të mësipërme janë marrë edhe deklarime shtetasve U.B., J.L., B.N., B.L., L.C., të cilët provojnë faktin se gjatë vitit 2003-2006 ata kanë jetuar me qira në banesën e shtetasit R.S., i afërm i tyre, ndërkohë në këtë banesë ka qenë me qira edhe një shtetas i huaj, i prezantuar me emrin David Goldenshtein. Gjatë kohës që ai jetonte me qira në këtë banesë, sipas deklarimeve të shtetasit B.N., ka abuzuar seksualisht me të dhe shtetasin E.C., dy të mitur nën 14 vjeç. Njëkohësisht, i pandehuri zhvishte deklaruesit e mësipërm e bënte fotografi nudo, duke i premtuar atyre se do ti fshinte fotot. Ndërkohë sipas deklarimeve të shtetases L.C., e ëma e E.C., rezulton se ky i fundit aktualisht ka probleme psikiatrike dhe trajtohet prej dy vitesh. Nga përmbajtja e deklarimeve e shtetasit H.C. rezulton se shtetasi E.C. ka shfaqur probleme të rënda të sëmundjes psikike dhe aktualisht është invalid i plotë me diagnozën “skizofreni forma refraktare” dhe nuk është në gjendje të komunikojë.
I pandehuri ka jetuar në Durrës në periudhën 2003, kohë në të cilën shtetasi B.N., U.B. dhe E.C. kanë qenë të mitur nën 14 vjeç, pasi të gjithë janë të datëlindjes së vitit 1990, provuar me certifikatat personale të lindjes së tyre administruar në procedimin penal të mësipërm.
Rrethanat e mësipërme provohen më së miri edhe me procesverbalin e marrjes së dokumenteve dhe konkretisht të një flete drejtimi për në KEMP të shtetasit E.C., në përmbajtjen e të cilit janë përshkruar hollësisht problemet e rënda shëndetësore të këtij personi, si rezultat i abuzimeve të kryera nga i pandehuri.
Marrëdhënie seksuale konsiderohet çdo lloj bashkimi seksual që plotëson dy kushte, konkretisht bashkimin seksual kundër natyrës, si dhe realizimin e kënaqjes së epshit seksual, pra në rastin konkret marrëdhënie seksuale orale i plotëson dy kushtet e sipërcituara, interpretim doktrinal, qëndrim i mbajtur edhe në Gjykatën e Rrethit Tiranë (vendimi nr. 572 akti datë 06.05.2008). Edhe në “Fjalorin e gjuhës shqipe” (interpretim gramatikor) me fjalën homoseksual kuptohet dëshira ose prirja për të pasur marrëdhënie seksuale me një njeri të të njëjtit seks. Pra, siç konstatohet, në rastin konkret janë konsumuar plotësisht elementet e veprës penale.
Duke qenë se i dyshuari është shtetas amerikan, duhet theksuar se në Traktatin e Ekstradimit midis SHBA-së dhe Mbretërisë Shqiptare datë 1 mars 1933, marrëveshje e cila është e vlefshme edhe sot, është parashikuar si pjesë e ekstradimit vepra penale e parashikuar nga neni 100/2 i K.Penal, (artikulli i marrëveshjes konkretisht: Turpërim me violencë, dështim, turpërim fëmijësh nën moshën 15 vjeç).
Detaje
Banimi: I pandehuri ka jetuar në Durrës në periudhën 2003, kohë në të cilën shtetasi B.N., U.B. dhe E.C. kanë qenë të mitur nën 14 vjeç, pasi të gjithë janë të datëlindjes së vitit 1990
Abuzimi: Gjatë kohës që ai jetonte me qira në këtë banesë, sipas deklarimeve të shtetasit B.N., ka abuzuar seksualisht me të dhe shtetasin E.C., dy të mitur nën 14 vjeç
Problemet: Sipas deklarimeve të shtetases L.C., e ëma e E.C., rezulton se ky i fundit aktualisht ka probleme psikiatrike dhe trajtohet prej dy vitesh
Gjykata e shpall në kërkim, prokuroria kërkon ekstradimin
Gjatë hetimeve paraprake, Gjykata e Tiranës, mbi bazën e kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, me vendimin nr. 150 akti datë 10 shkurt 2012 ka caktuar masën e sigurimit “arrest me burg” në mungesë. Kaminski aktualisht ndodhet i arrestuar dhe vuan dënimin në USA për një vepër penale tjetër nga data 02.09.2007 sipas urdhërarrestit të Municipal Court of California, Santa Clara County Distrikt të datës 30 qershor 1988. Njëkohësisht, me vendimin më datë 10 prill 2012 të Gjykatës së Tiranës është vendosur deklarimi i ikjes së të pandehurit të mësipërm, duke qenë se kërkimet e bëra nuk kanë dhënë rezultat. Nga aktet procedurale të administruara në procedimin e mësipërm, rezulton se i pandehuri në periudhën 1974-1977 ka qenë i arrestuar të paktën dy herë për abuzim me të mitur. Vepra penale e mësipërme ka cenuar marrëdhënie juridike të vendosura për të siguruar lirinë e paprekshmërinë seksuale dhe zhvillimin seksual të personit të mitur. Në lidhje me rrethanat e sipërcituara u është bërë edhe letërporosi autoriteteve amerikane për marrjen në pyetje të të pandehurit për ngjarjen.