Skënderbeu-Teuta, dueli për titull në distancë

Nuk pritet aleanca, pasi kundërshtarët respektivë, Apolonia e Pogradeci, luftojnë për mbijetesë

Altin Manallari - Për të përcaktuar trofeun më të rëndësishëm të futbollit shqiptar për vitin 2012, mungojnë edhe 180 minuta, të cilat duket se do të rezultojnë vendimtare për të përcaktuar se cila mes Skënderbeut kryesues dhe Teutës me një pikë më pak do të jetë fituesi i titullit Kampion. Dueli në distancë mes këtyre dy ekipeve do të duhet të vazhdojë edhe në këto dy ndeshje të mbetura. Java e 24-t ka dhuruar jo pak surpriza, dhe për këtë arsye, pritet që edhe kjo javë të jetë jo më pak e ndezur. Të dy pretendentët kryesorë për titull do të duhet të luajnë përballë dy skuadrave, me të cilat do të bëjnë çmos për të shmangur rënien direkte në Kategorinë e Parë, përkatësisht: Skënderbeu ndaj Apolonisë në Korçë, ndërsa Teuta ndaj Pogradecit në Durrës. Me një logjikë normale, aleancat dhe tolerimet janë të shmangura automatikisht. Duket se titulli është fare pranë korçarëve. Por ndeshjet me Apoloninë këtë javë, dhe ajo ndaj Pogradecit në javën e fundit, nuk kanë për të qenë të lehta për ta, ashtu sikundër edhe durrsakët provojnë në shtëpinë e tyre rivalitetin me liqenorët dhe në mbyllje me Kastriotin në Krujë. Megjithatë, një gjë është për t’u nënvizuar nga korçarët: falë drejtimit dhe menaxhimit të ekipit, ata kanë kaluar nga java në javë nga vendi i 12 në të parin. Vlerësimet janë të tepërta. Gjithsesi, kampionati është në udhëkryq. Të shikojmë se çfarë do të ndodhë… Korçarët janë grumbulluar në këtë pragndeshje, ndërkohë që klubi ka miratuar një heshtje për shtypin. Një ditë më parë kishte folur trajneri çek i kampionëve në fuqi të vendit, Stanislav Levi, i cili kishte theksuar se do të japë maksimumin e tij për të fituar titullin dhe finalen e Kupës së Shqipërisë. Humbja me Laçin mbetet një kapitull i kontestuar nga “djemtë e detit” dhe vendi i dytë u bë streha më e re në javën e 23. Dhe ajo që do të mbetet gjatë në memorien jo vetëm të ekipit, por edhe të tifozerisë durrsake, mbetet barazimi me Kamzën në Durrës në javën e 24-t, duke mos përfituar nga frenimi i Skënderbeut në Ballsh. Kur kanë mbetur edhe 180 minuta lojë, enigma Teuta apo Skënderbeu mbetet një ekuacion i pazgjidhur. Besimi dhe shpresat e Teutës ende nuk kanë humbur. Megjithatë do të jenë zhvillimet e fundit, në fushën e lojës, ato që do të vendosin, pasi të dy rivalët përkatës nuk kanë ndërmend të tolerojnë aspak. Ndërkohë që skuadrat e treta në renditje, Tirana, duket se ka hequr dorë nga të gjitha objektivat dhe tashmë ka vendosur thjesht të respektojë kampionatin, por mendjen e ka te finalja e Kupës ndaj Skënderbeut. Këtë e ka konfirmuar vetë trajneri spanjoll i 24 herë kampionëve, Hulian Rubio, në prononcimin e tij të djeshëm, ku ka theksuar: “Ne do të nderojmë deri në fund kampionatin dhe të përgatitemi për një paraqitje sa më të mirë në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut”. Bardheblutë sot luajnë ndaj Laçit, i cili nuk rrezikon asgjë. Të gjitha skuadrat që vijnë pas laçianëve, më saktë nga vendi i shtatë e deri në fund (Vllaznia, Bylis, Shkumbini, Tomori e Kamza janë nën edhet e shmangies së zonës “play-out”, ndërsa Pogradeci, Apolonia e Dinamo, luftojnë për të mos rënë nga kategoria.

 

Tirana

Tirana, e cila objektivin e vetëm ka Kupën, ka vendosur thjesht të respektojë kampionatin. Këtë e ka konfirmuar vetë trajneri spanjoll i 24 herë kampionëve, Hulian Rubio, në prononcimin e tij të djeshëm, ku ka theksuar: “Ne do të nderojmë deri në fund kampionatin dhe duhet të përgatitemi për një paraqitje sa më të mirë në finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Skënderbeut”

Autor te 5 Maj 2012. Sport. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry