Thellohet skandali i diplomës te “Kristali”

Arsimi fals, profesori i degës: Nuk e mbaj mend djalin e Umberto Bossi-t

Shpresa Mezini - Renzo Bossi-t nuk i ka pëlqyer asnjëherë të mësojë. Këtë e vërteton më së miri historiku i kualifikimeve të tij të vështira, për të përfunduar tek ato false. Në korrik të vitit 2009, kur ishte 21 vjeç, arriti të pajisej me diplomën e pjekurisë pas katër tentativash të dështuara, ndërsa së fundmi mësohet se diplomën e shkollës së lartë e ka përfituar duke paguar një shumë të konsiderueshme parash në Universitetin Kristal, me qendër në Tiranë, më datë 29 shtator të vitit 2010. Ndonëse kishte kaluar më shumë se një vit nga certifikimet akademike, Renzo me numër amze 482, u vlerësua me rezultate të mira si 8-a, 9-a apo 10-a në 29 provimet e Fakultetit të Menaxhim-Biznesit në degën e Ekonomisë në këtë institucion. Kështu shtetasi italian arriti të vlerësohej me nota të mira, në të gjitha lëndët që në Universitetin Kristal studiohen vetëm në gjuhën shqipe, ndonëse nuk e njeh aspak këtë gjuhë. Duke iu referuar dosjes “The Family”, që aktualisht është në duart e prokuroreve të Napolit dhe Milanos, rezulton që 24-vjeçari të ketë shlyer në një vit të gjitha provimet e parashikuara për tre vjet, çka bie ndesh me ligjin. Duke marrë shkas nga artikulli që denonconte këtë skandal të publikuar në faqet e gazetës italiane “La Republica”, aktualisht mësohet se hetuesit italianë duan të hedhin dritë mbi fondet e paguara për diplomën e “Trotës” apo “Krapit”, nofka këto që identifikojnë ndryshe djalin e Umberto Bossi-t, çka lidhen me inteligjencën e tij. Në kasafortën e Francesco Belsito-s, ish-financierit të Ligës së Veriut, më pas i përjashtuar prej saj u zbulua dosja “The Family”, ku u gjet edhe diploma shqiptare e të birit. Nga përgjigjet telefonike, mes Belsito-s, i lidhur me Ndrangeten dhe Nadia Dagrada-s, përgjegjëse për çështjet administrative të partisë, flitej për shpenzimet e Ligës, ku veç gjobave, vizitave mjekësore, ristrukturimeve apo makinave, shfaqet edhe diploma shqiptare e djalit të Umberto Bossi-t. Por, sikur të mos mjaftonte, në dosje u gjet edhe një diplomë tjetër e përfituar po në Universitetin Kristal për Pierangelo Moskagiuro, truproja e zv/presidentes së Senatit Rozi Mauro, e larguar nga Liga e Veriut. Moskagiuro u diplomua për Sociologji, në Fakultetin e Shkencave Politike.

Prokuroria

Dje pasdite, Prokuroria e Tiranës njoftoi se ka nisur hetimet për zbardhjen e rastit të marrjes së diplomës nga djali i Umberto Bossi-t, diplomë e lëshuar nga Universiteti Kristal, i pozicionuar në kryeqytet. Organi hetimor njoftoi ngritjen e një grupi që do të merret me hetimin e diplomave të personave përgjegjës. Task Forca nisi verifikimin e sistemit TIMS për hyrjet dhe daljet e Renzo Bossi-t në territorin shqiptar, ndërkohë sqarojnë se nëse rezulton se ai s’ka shkelur kurrë në tokën shqiptare, do të procedohen penalisht lëshuesit e diplomës. Nga ana tjetër, zyrtarisht thuhet se Universitetit Kristal, i është kërkuar dokumentacioni përkatës, që vërteton deklaratën e bërë ditën e enjte, sipas së cilës Bossi i ka kryer studimet e larta në degën menaxhim biznesi, duke respektuar ligjet në fuqi.

Aleanca Kuq e Zi: Diploma false, të dorëhiqet Tafaj

Pas lajmit se djali i një politikani italian është diplomuar në mënyrë të dyshimtë në një universitet shqiptar, përfaqësues dhe mbështetës të Aleancës Kuq e Zi protestuan dje para Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Sipas AK-së, MASH është kthyer në një vatër krimi dhe se Myqerem Tafaj nuk e meriton postin që mban.

“Ne jemi sot këtu përpara Ministrisë së Arsimit për t’i dhënë shkarkimin e merituar z. Myqerem Tafaj, nëse ai bën rezistencë ne do të nisim revoltat për dinjitet në të gjitha fakultetet e vendit deri në mosbindje studentore”, tha kryetari i Aleancës Rinore Kuq e Zi, Adriatik Lapaj. Ai tha se ky sistem arsimor i ngritur i gjithi mbi korrupsion për 22 vjet i ka ndërlikuar jetën të rinjve shqiptarë, ndërsa sot për turpin e tyre na nxinë faqen duke fabrikuar diploma false. “Nuk do të ndalemi deri kur ministri i Arsimit i kapur në flagrancë për paaftësi të shkarkohet, ne e shpallim këtë ministri vend krimi”, theksoi Lapaj.

 

MASH: Grup pune për të inspektuar rastin

Lidhur me lajmin e publikuar në media, për diplomimin e qytetarit italian Renzo Bossi, në institucionin e arsimit të lartë privat “Kristal”, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, bën të ditur se ka kërkuar menjëherë informacion të hollësishëm nga institucioni i arsimit të lartë “Kristal” dhe ka ngritur një grup pune për të inspektuar rastin në fjalë. Ndërkohë një grup monitorimi i MASH, dhe Agjencisë së Akreditimit të Arsimit të Lartë po vazhdon inspektimin në të gjitha Institucionet e Arsimit të Lartë Privat, për zbatimin e ligjshmërisë dhe standardeve, sipas një kalendari të miratuar kohë më parë.

Intervista: Profesori i Universitetit Kristal

Nuk e mbaj mend djalin e Bossi-t

Marsel Kalemi, profesor në Universitetin Kristal në Tiranë, për lëndën “Bazat e marketingut”, në një intervistë për radion italiane “Capital” deklaron se emri i Renzo Bossi-t i duket familjar, por nuk mban mend t’i ketë dhënë mësim ndonjëherë. Profesori sqaron se universiteti është i rregullt, i licencuar nga shteti dhe i njohur nga të gjithë.

 

A njihet diploma e Universitetit Kristal në Itali apo në vende të tjera?

Varet, është një universitet i regjistruar nga qeveria. E njohin të gjithë.

 

Në këtë universitet, në 2010-n është diplomuar djali i Umberto Bossi-t. E njihni?

Emri më duket familjar, por nuk e di.

 

Ky person është diplomuar brenda një viti. Sa zgjasin mesatarisht studimet në këtë universitet?

Tre vjet.

 

Dimë që ka edhe kurse të tjera specializimi me afat më të shkurtër?

Po, një ose dy vjet. Por një student duhet të kryejë tre vite studimi ose katër për t’u specializuar.

Intervista marrë nga radio italiane “Capital”

Autor te 5 Maj 2012. Kryesoret, Sociale. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • Tirana Sot

    Doploma false nuk ka marre vetem Djali i Skandalit ne fjale por edhe shume funksionare qe aktualisht nuk duhet te ishin ne ato vende pune. Komisioni i Larte i Inspektimit Arsimore eshte mire qe te filoje ti shikoje me lupe te gjitha diplomat e ketyre 5 viteve. Eshte paguar nje shume prej 3500 eurosh per nje diplome. Nga ana tjeter ndihemi te pashprese sepse rasti do te perfundoje ne zyra te drejtoreve te korruptuar dhe do zgjidhet me nje rast tjeter korruptiv. Ne te tille menyre jane zgjidhur edhe raste te tjera si rasti i evazionit fiskal te ” Kollonave” disa muaj me pare, rasti i kompanive te medha te importit me leshimin e faturave te tvsh etj etj…