Operacioni
Sinaj e Paja lëviznin me motor dhe të armatosur, duke grabitur biznese e femra
Policia e Shkodrës ka arritur të zbulojë pesë grabitje me armë dhe të arrestojë autorët e tyre, të cilët ishin kthyer në makthin e qytetarëve. Dy personat, tashmë të arrestuar, përkatësisht Albert Paja, 23 vjeç, dhe Klodian Sinaj, 23 vjeç, që të dy nga qyteti i Shkodrës, në bashkëpunim me njëri-tjetrin lëviznin me motorë e skafandra dhe u dilnin para njerëzve. Nën kërcënimin e armës dhe dhunës që ushtronin, u merrnin varëset e floririt. Gjithashtu, sipas policisë, ata dyshohen se kanë kryer edhe grabitje në dyqane apo biznese, për të cilat po hetohet. Arrestimi i tyre është bërë pas një operacioni të koduar “Floriri”, ku u mundësua sekuestrimi dhe gjetja e provave materiale. Sipas policisë, dy të arrestuarit i kanë kryer këto krime në harkun kohor të pesë ditëve. Ngjarja e parë ka ndodhur më 29 prill, në lagjen “Perlat Rexhepi”, ku i është vjedhur nga qafa një varëse floriri shtetases V.K. Goditjen e dytë ata dyshohet se e kanë bërë tri ditë më vonë, pikërisht më 2 maj, ku në lagjen “Vasil Shanto” është tentuar të vidhet nën kërcënimin e një pistolete, farmacia ERI, në pronësi të shtetases I.H., të cilës i është marrë vetëm një varëse floriri nga qafa. Po në këtë datë, në lagjen “Perash”, këta persona i kanë vjedhur nga qafa një varëse floriri shtetases M. C., të cilën e kanë kërcënuar me pistoletë. Gjithashtu, më datë 3 maj, pikërisht dy ditë më parë, ata kanë bërë dy goditje të tjera, në lagjen “Mark Lula” dhe në lagjen “3 Heronjtë”, janë vjedhur nën kërcënimin e armëve dy gra të tjera. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Klodian Sinajt, u gjetën një armë zjarri model -63, me një karikator me 10 fishekë, një motor i markës “Skuter” me ngjyrë të zezë dhe gri me targë AD 573, me të cilin dyshohet se janë kryer vjedhjet, një skafandër ngjyrë e zezë, si dhe një varëse floriri me peshë 2.6 gramë. Gjithashtu nga strukturat përkatëse policore, pas kontrolleve të ushtruara në disa argjendari të qytetit Shkodër, u bë e mundur gjetja dhe sekuestrimi i disa varëseve floriri, të cilat dyshohet se dy shtetasit e lartpërmendur, pasi i kanë vjedhur, i kanë shitur te tregtarët. Burime nga policia pohuan për gazetën se dyshohet se bashkë me ta janë të përfshirë edhe persona të tjerë dhe aktualisht po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre. A. Hoti