Vlerësohet se ka ardhur fundi i epokës së dy partive dominuese, raporton NYT
Gjatë dy viteve të fundit, gjatë së cilave Greqia ka kërkuar për ndihmë financiare nga jashtë, udhëheqësit e saj e kanë patur vështirë të qeverisin pavarësisht se dispononin në parlament maxhorancë të fortë. Tani, ndërsa ky vend po shkon drejt zgjedhjeve që do të mbahen të dielën më 6 maj, pritet që asnjë parti të mos marrë vota mjaftueshëm për të krijuar një qeveri të shëndoshë, duke bërë që kaosi politik të jetë e vetmja formë e mundshme qeverisëse.
Zgjedhjet në Greqi, ato në Francë si dhe një dallgë në rritje protestash kundër masave për disiplinë financiare në të gjithë Europën, pritet të jenë vendimtare në të ardhmen e euros.
Qeveria e ardhshme do të përballet me nevojën për të zbatuar marrëveshjen e disiplinës financiare me donatorët ndërkohë që do të vuajë nga thellimi i mëtejshëm i recesionit dhe rebelimi shoqëror.
Greqia ka humbur 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto që nga viti 2009 dhe papunësia është rritur në 21 për qind. Mes të rinjve, papunësua është 50 për qind dhe kjo ka krijuar një situatë shpërthyese.
Dy partitë që kanë dominuar politikën greke prej dekadash, Socialistët e qendrës së Majtë dhe Nea Demokracia e qendrës së djathtë, tashmë kanë humbur shumicën e elektoratit dhe ekstremet po lulëzojnë duke sulmuar paketën e ndihmave.
“Ky është fundi i një epoke. Një sistem politik i diskretituar dhe marrëveshja me popullsinë ka ardhur në fund,” thotë Stavros Lygeros, një komentator politik dhe autor i librit “Nga Kleptokracia te Falimenti”, ku flitet gjerësisht për kolapsin ekonomik të Greqisë.
“Problemi është se nuk ka asgjë që mund ta zëvendësojë atë. Rendi i vjetër ka vdekur, por rendi i ri nuk ka lindur ende.”
Aktualisht Greqia udhëhiqet nga kryeministri i kompromisit Lucas papademos, një ish zëvendëspresident i Bankës Qëndrore Europiane që është instaluar si teknokrat me mbështetjen e politikës kryesore. Ai kërkoi zgjedhje të parakohshme pasi e konsideroi misionin e tij të përmbushur me nënshkrimin e paketës së fundit të ndihmës.
Donatorët parapëlqejnë që Papademos të vijojë të qeverisë si një forcë stabilizuese, por ndërkohë grekët e shohin atë si më të shqetësuar për kreditorët e Greqisë se sa për vetë popullin që qeveris.
Ndërkohë, Socialistët dhe Nea Demokracia janë njësoj jopopullore me votuesit, të cilët pritet t’i ndëshkojnë këto parti pikërisht për mbështetjen që i dhanë paketës së ndihmës. Në të shkuarën, këto parti kanë ndarë mes tyre më shumë se 80 për qind të votave, por të dyja bashkë pritet të marrin këtë herë më pak se 40 për qind.
Situata është kaq e luhatshme sa edhe kompanitë më të specializuara të sondazheve e kanë patur të vështirë të kryejnë parashikime. “Modelet tona të analizës shoqërore bazihen te e shkuara, pra te një shoqëri që në fakt sot nuk ekziston”, thotë Costas Panagopoulos, president i një kompanie sondazhesh.
Koalicioni i të Majtës Radikale, i quajtur Syriza dhe që kundërshton marrëveshjen e shpëtimit, beson gjithashtu që Greqia duhet të qëndrojë në Eurozonë. Kjo parti pritet të dalë e treta dhe slogani i tyre është: “ata zgjedhin pa ne, ne do të lëvizim pa ata.”
Ndarja e votave do ta bëjë shumë të vështirë krijimin e një qeverie të re. 5 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)
