E mundshme një fitore e subjekteve anti-BE. E fortë edhe hija e së djathtës ekstreme


Hesht orakulli i Delfit. Madje as kasandrat që janë aq të shpeshta në Greqi nuk parashikojnë dot më. Sot, Greqia shkon drejt kutive të votimit për zgjedhjet e parlamentit të ri, një votë e parakohshme, e cila po mbahet në kushtet e një situate shumë të rëndë për të gjithë kombin grek, veçanërisht për popullsinë e thjeshtë. E ndërsa Greqia shkon drejt kutive të votimit, e gjithë Europia, veçanërisht zyrtarët e lartë të BE-së, i kanë sytë drejt saj. Kjo, sepse vota greke, ndoshta më shumë se ajo franceze, ka të bëjë me të ardhmen e kontinentit. “Do të fitojmë ne”, thotë me bindje Viki Iatrou, duke valëvitur para Parlamentit flamurin bardheverdhë të Pasokut, ndërsa lideri socialist Venizellos, ka lançuar të premten në darkë apelin e fundit të partisë së tij drejtuar zgjedhësve. Por për të dhe mbështetësit e tjerë të së majtës fitorja mund të mos dojë t’i “nderojë” këtë herë. Një tjetër zgjedhës thotë se është i sigurt se për herë të parë në demokracinë greke nuk do të ketë vetëm një fitues të zgjedhjeve. Dhe ky është një fakt, madje frika e të gjithëve është pikërisht një rezultat i copëzuar, i cili do të shkaktojë një tërmet me pasoja të paparashikueshme për euron. Numrat në prag të hapjes së votimeve njoftojnë “shtrëngatë”: të paktën 8 parti do të kenë mundësi që të kalojnë pragun e 3% për të hyrë në Parlament. Por askush nuk do të ketë këtë herë mundësinë që të qeverisë i vetëm. Numri një i Bankës së Greqisë deklaron se këto zgjedhje rrezikojnë që ta kthejnë vendin dhjetëra vite mbrapa. Brukseli, nga ana e tij, që është një prej donatorëve të paketës së shpëtimit financiar në Greqi, shpreson që Pasoku dhe Demokracia e Re të bashkojnë forcat dhe të qeverisin sërish si gjatë qeverisë teknike. Sipas Brukselit, kjo do të ishte garanci, se kushtet e dhënies së paketës, pra vazhdimi me shkurtime të shpenzimeve, do të plotësoheshin.


Por sondazhet dhe parashikimet ndryshe nuk heqin nga parashikimet edhe raste apokaliptike financiare, si për shembull një fitore të së majtës së ndarë. Në një rast të tillë ka shumë mundësi që marrëveshja mes Greqisë, FMN-së dhe BE-së të prishej dhe, sipas disa analistëve, kjo do të ishte një tjetër tragjedi greke. Kjo do të pasohej me një dalje nga eurozona dhe, rikthim në monedhën e mëparshme dhe po sipas këtyre analistëve, efekti domino do të prekte gjithë zonën euro. Por grekët nuk gjejnë dot arsye të votojnë partitë e mëdha, të cilat ishin shkaktare të krizës dhe më pas shkaktaret e vendimeve për shkurtimet buxhetore që ua kanë reduktuar të ardhurat grekëve këto dy viteve të fundit në masën 25%.


Kandidatët


Demokracia e Re


Partia e qendrës së djathtë, e drejtuar nga Antonis Samaras, është e favorizuara e sondazheve


PASOK


Partia Socialiste pritet të marrë jo më shumë se 20% të votave, ndërkohë që në zgjedhjet e vitit 2009 mori 43%


KKE


Komunistët, të cilët ia atribuojnë shkakun e krizës kapitalizmit, mund të arrijnë në 10%