Roma zyrtare pritet të japë qëndrimin për zgjedhjen e presidentit të ri


Mario Monti


Kryeministri Berisha do të zhvillojë nesër një vizitë njëditore në Romë, ku do të takojë homologun e tij italian, Mario Monti. Ndonëse zyra e Këshillit të Ministrave nuk ka bërë ende të ditur axhendën e këtij takimi, mësohet se Berisha përveçse takimit në Pallatin “Chigi” me Montin do të zhvillojë takime dhe me biznesmenë italianë. Kjo pasi, kreu i qeverisë, Berisha, do të jetë i shoqëruar nga një grup i gjerë biznesmenësh shqiptarë që do të marrin pjesë në një takim të gjerë me Confindustria-n italiane. Nga burime pranë qeverisë mësohet se këtë takim e ka përgatitur fonacioni “Fare Futuro” i ish-ministrit italian, Adolfo Urso. Në takimin që dy kryeministrat pritet të zhvillojnë me njëri-tjetrin përveç diskutimeve për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve, një temë e rëndësishme do të jetë dhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në këtë kuadër nisur nga fakti se BE do të rrisë monitorimin në vend për plotësimin e 12 prioriteteve dhe mënyrës sesi do të zgjidhet presidenti, pritet që këto tema të jenë në qendër të diskutimit mes palëve. Por mediat italiane bëjnë gjithashtu të ditur se temë kryesore këtij takimi do të jetë gazsjellësi TAP, i cili do të nisë nga Azerbajxhani dhe ende nuk e ka të përcaktuar rrugën që do të ndjekë. Por Italia ka një rol kyç për sa i përket këtij projekti dhe pas vizitës në Azerbajxhan ku Kryeministri Berisha ka kërkuar mbështetje për këtë projekt, tashmë vëmendja e palës shqiptare është drejtuar në brigjet përballë. TAP do të transportojë gaz natyror nga rajoni i Kaspikut në tregjet europiane. Rrjeti do të nisë nga Azerbajxhani, më pas do të kalojë nëpër Greqi dhe Shqipëri dhe do të përfundojë në bregun e jugut të Italisë. Ky projekt pritet të përfundojë në vitet 2017-2018 dhe vitin tjetër është koha në të cilën do të aprovohet në mënyrë përfundimtare gjurma që ky gazsjellës do të ndjekë. Kreu i qeverisë, Berisha, është treguar tepër aktiv për të kapur kohën dhe për të bërë të gjithë lobimin e duhur që Shqipëria të përfitojë sa më shumë nga ky projekt ndërkombëtar. Sipas drejtuesve të projektit, vetëm në pjesën shqiptare parashikohet të investohen 1 miliard euro ku TAP do të ketë një territor prej 200km në vendin tonë. Kryeministri Berisha e ka konsideruar këtë projekt si më të rëndësishmin për sa i përket hovit që do japë në zhvillimin e ekonomisë së vendit.


“Përzgjedhja finalizohet në muajt që vjen. Ne jemi të përgatitur për të bërë gjithçka për suksesin e këtij projekti nëse TAP përzgjidhet si më i miri”, ka theksuar pak javë më parë Kryeministri Berisha për këtë projekt. Këtë projekt madhor Berisha e ka lidhur dhe me ambicien e tij për të drejtuar vendin gjatë mandatit 2013 -2017, në të cilin ai ka theksuar se synon të bëjë gazifikimin e vendit. “Ne jemi vendi i vetëm në Europë pa gaz. Do ngrihet komiteti “Për gazifikimin e vendit”. Cilido të jetë burimi i gazit që ne do sigurojmë, do kemi projekt madhor për vitet që vijnë: Gazifikimin e Shqipërisë. Do fillohet nga puna, urojmë që të vendoset për projektin tonë TAP”, ka theksuar kreu i qeverisë në lidhje me këtë projekt tepër ambicioz.


Urso është aktualisht deputet i partisë së Gianfranco Finit. Nga burime pranë qeverisë mësohet se këtë takim e ka përgatitur fondacioni “Fare Futuro” i ish-ministrit italian, Adolfo Urso