Spektakli i së shtunës ka qenë plot surpriza. Graciano është banori që ka lënë shtëpinë në përballje me Gentën, ndërsa ka hyrë në shtëpi ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, z. Ettore Sequi. Grupi i Liamit është penalizuar, duke shkuar të katërt në nominim për shkelje rregullash
Banorët kanë përjetuar sërish ethe emocionesh, ndërkohë që publiku tashmë ndjek me kujdes çdo gjë që ndodh në shtëpi. Graciano është banori i radhës që del nga shtëpia, ndërkohë që një sërë surprizash të këndshme ishin rezervuar për ta.
Ariani: Historia e Gentës, thirrje për të gjitha femrat shqiptare
Teksa ka komentuar dy banorët në nominim gjatë kësaj jave, opinionisti i “Big Brother”, Arian Konomi, është ndalur veçanërisht te Genta. “Graciano ka rënë pak në heshtje këtë javë. Megjithatë, për moshën e tij dhe atë pak eksperiencë që ka, jam i befasuar se si ka reaguar ndaj nominimit”, ka thënë Konomi. Për sa i përket Gentës, ai nuk ka dashur të komentojë atë personalisht, por historinë e saj, duke e marrë si shembull edhe për shumë histori të tjera. “Dua të flas për Gentat shqiptare që jetojë në një realitet që nuk është “show”, por një realitet i madh shqiptar. Ajo që i ka ndodhur Gentës nuk është rastësi, edhe pse erdhi në mënyrë rastësore dhe dëshmoi një realitet të dhimbshëm të femrave shqiptare që jetojnë në zona të thella, ose pak kilometra larg qyteteve të mëdha, që shfrytëzohen pasionet e tyre sentimentale, aq më tepër kur shantazhohen, kjo është gjëja më e ulët. Ky program ka meritën, sepse nxjerr këto probleme që dhjetëra emisione të tjera nuk do arrinin dot. Genta duhet të qëndrojë brenda shtëpisë, sepse do mbështetjen tonë”, ka theksuar Arian Konomi.
Ambasadori Ettore Sequi hyn në “Big Brother”
Gjatë spektaklit të së shtunës, shtëpia e “Big Brother” ka pritur një mysafir të veçantë. Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, z. Ettore Sequi, ka hyrë në “Big Brother”. Zoti Sequi ka finalizuar me banorët atë që gjatë javës është quajtur “Java Europiane”. Shtëpia ka qenë e mbushur me fije të kuqe, të cilat banorët nuk duhet t’i këpusnin, por t’i kalonin, duke simbolizuar barrierat që Shqipëria duhet të kalojë për procesin e integrimit në BE. “Faleminderit për ftesën që vjen në kuadrin e muajit të Europës. Unë vij nga një iniciativë shumë e rëndësishme si ‘Java e kinemasë europiane në Tiranë’. Europa është e rëndësishme për Shqipërinë, sidomos për të rinjtë, sepse lejon përmirësimin e jetës për të gjithë qytetarët dhe në mënyrë të veçantë për të rinjtë. Shqipëria ka një pasuri të madhe, të rinjtë, të cilët janë kurajozë, të gjallë dhe që duket se tashme janë europianë dhe unë dua t’i ndihmoj. Ky është një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, sepse përkon me 100-vjetorin e pavarësisë”, ka thënë ambasadori Sequi. Ai mbante një glob me 9 pyetje, zgjedhur mes 50 pyetje që banorëve u është dhënë për të mësuar lidhur me Europën. Pas çdo përgjigje të saktë, z. Sequi ka ndihmuar banorët që të presin fijen e kuqe që i ndante nga harta e Europës. Situatat e krijuara janë gazmore, por banorët arrijnë t’i përgjigjen saktë. I pyetur nga Arbana se si mund të ndikojnë të rinjtë për hyrjen në Europë, z. Sequi është përgjigjur: “Të rinjtë mund të influencojnë duke qenë europianë, të kërkojnë që në jetën e tyre të përditshme të aplikojnë ato vlera që janë tipike të Europës, si barazia mes gruas dhe burrit apo femrës dhe mashkullit, të drejtat njerëzore, të respektosh rregullat dhe shumë gjëra të tjera”. Ambasadori u ka dhuruar bluzën që mbante simbolin e javës europiane.
Liami përplaset me Ermalin: Ti bisedon nëpër cepa
Gjatë klipit, shfaqet Liami i cili kërkon vazhdimisht që Ermali të debatojë me të. Kjo gjë bëhet shkas për një përplasje të fortë mes dy djemve gjatë spektaklit. Ermali e ka akuzuar Liamin se ajo flet në skutat e shtëpisë dhe përpiqet të nxisë të tjerët. “Unë çuditem edhe vetë që këta thonë se nuk flas. Që nga dita e parë që kam hyrë unë jam i vetmi person që kam debatuar. Është Liami ai që me tre-katër veta bisedon nëpër cepa dhe unë jam i vetmi që dal me mendime të hapura. Ai është kunadhja dhe çuditem si përpiqet të akuzojë një tjetër me veprimet që ai bën vet”, ka thënë Ermali. Liami e ka kundërshtuar duke i thënë se në fund të një reality-show, të gjithë banorët janë më aktivë dhe përpiqen të nxjerrin diçka, por Ermali debaton sërish. “Të gjitha këto gjëra që Liami përpiqet të nxjerrë është strategjia e tij e vogël, por ai nuk arrin të më nxehë mua. Unë kam ardhur deri këtu dhe nuk dua ta prish këtë që kam arritur”, thotë Ermali. Arian Konomi e pyet Liamin se pse ai këmbëngul që të debatojë me Ermalin dhe ai shprehet se ai sheh çdo gjë që ndodh brenda shtëpisë, sepse kështu është gatuar.
Taka të larta për Gertën
Në ditët e para të hyrjes në shtëpi, Gerta është komentuar për takat e larta, rrobat e shtrenjta dhe look-un e saj. Me kalimin e javëve, ajo tashmë është mësuar të mbajë edhe të sheshta. Pikërisht për këtë gjë, Vëllai i Madh kishte rezervuar një surprizë për të, por edhe për banorët e tjerë të shtëpisë. Liami merr një kuti në dhomën e rrëfimit, e cila hapet vetëm në sallon. Ata shohin se aty janë një palë këpucë me taka shumë të larta. Gerta i vesh e shkon të marrë një zarf në dhomën e gjumit. Një surprizë e këndshme për banorët. Ata marrin veshje dhuratë nga dyqani “Krienko”.
Dritani, mesazh nga e ëma
Gjatë javëve të qëndrimit në shtëpi, Dritani ka folur pak për jetën e tij private. Ai tashmë konsiderohet si pjesë e grupit të Liamit, por edhe ai ka pikat e dobëta. Në dhomën e rrëfimit ai ka folur më parë për lidhjen që ka me të ëmën. Për këtë arsye, Vëllai i Madh kishte vendosur t’i bënte një surprizë. Në sallon bie telefoni dhe Dritani flet me të ëmën, e cila e inkurajon për lojën.
Genta sfidohet nga Safet Shirka
Që në natën e hyrjes në shtëpi, Genta ka spikatur për bejtet dhe batutat e saj. Për ta sfiduar, përballë saj, i ftuar gjatë spektaklit ka qenë një personazh interesant. Ai ishte Safet Shirka, i njohur që nga “Albanias Got Talent”. Duke sajuar një bejte për të, Arbana e fton Gentën të shohë një klip ku ajo krijon vjersha.
Largohet Graciano
Genta dhe Graciano kanë qenë përballë njëri-tjetrit në nominimin e javës. Ndryshe nga sa mund të pritej, ata kanë qëndruar shumë afër. Arbana i ka ftuar gjatë spektaklit të shohin një klip me dinamikat e tyre. Ata gjenden në dhomën e surprizave, ndërsa pjesa tjetër në sallon, të pyetur nga Arbana, tregojnë se cili duhet të largohet. Gjatë javës Françeska ka thënë që Gerta qan për lojë, ndërsa Ermali ka thënë për të që është e rrezikshme. Genta supozohej që të ishte pjesë e grupit të tyre. Nga ana tjetër, Gerta ka thënë për Gracianon që ai viktimizohet dhe kjo i bën të dy të ndihen keq.
Penalizohet grupi i Liamit, shkojnë në televotim
Gjatë javës disa nga banorët kanë thyer rregullat bazë të lojës. Liami, Gerta, Dritani dhe Arbri kanë folur me kode për nominimet duke bërë strategji. Arbana u kujton banorëve se një nga rregullat bazë të lojës është që ata nuk duhet të flasin për nominimet, sepse këtë e bëjnë në dhomën e rrëfimit, kur bëjnë zgjedhjet e tyre. Për këtë arsye, Vëllai i Madh kishte vendosur t’i penalizonte. Të katër banorët, Liami, Gerta, Dritani dhe Arbri kanë shkuar direkt në televotim.