Tirana dhe Flamurtari sigurojnë Europën. Priten verdikte për fundin e tabelës
Altin Manallari – Skënderbeu dhe Teuta kanë fituar të dyja ndeshjet e tyre, duke ruajtur distancën prej 1 pike mes tyre, për të përcjellë në javën e fundit zbulimin e titullit kampion. Dy kryesuesit luanin në fushat e tyre, ndaj kundërshtarësh në pikë të hallit, me lakun në fyt. Konkretisht, Skënderbeu i vendit të parë sfidoi në stadiumin e vet Apoloninë e vendit të parafundit, duke vuajtur disi, por duke shënuar dy gola të artë në pjesën e dytë, fillimisht me Muzakën dhe pastaj me sulmuesin kryesor, Daniel Xhafaj. Tri pikë të tjera për kuqebardhët, që tashmë duket se nuk do të ndalen më drejt titullit, i cili do të përcaktohet gjithsesi zyrtarisht dhe matematikisht javën e ardhshme. E cila është java e fundit e garës dhe e gjen ekipin korçar në një transfertë të afërt gjeografikisht, në fushën e Pogradecit, kundërshtar i cili e sheh veten tashmë mes dy zjarresh: të humbasë dhe të zbresë direkt nga Superiorja, nëse Apolonia fiton ndeshjen e vet me Tomorin në Fier, ose të fitojë dhe t’i provojë shanset e veta edhe në një ndeshje ekstra, të ashtuquajturin “play-off”. Teuta e vendit të dytë ka fituar thellë, 5-3 ndaj mysafirëve pogradecarë, që mbajnë edhe pas kësaj jave vendin e 12-të në renditje. Durrsakët e Hasan Likës kanë shpërthyer në gola, duke realizuar plot pesë të tillë, aq sa nuk i kishin parë tifozët bregdetarë prej vitesh të tëra brenda 90 minutave, si për të shfryrë në formë autokritike për hapat falsë në dy ndeshjet pararendëse, që mund t’u kushtojnë titullin “djemve të detit”. Dy skuadrat, që e kanë zyrtarizuar tashmë pjesëmarrjen në Europë përmes kampionatit, Tirana dhe Flamurtari, luanin transferta të vështira. Bardheblutë e Rubios përplasnin brirët me Laçin, në fushën asnjanëse të Krujës, aty ku kurbinasit kishin 8 ndeshje radhazi pa humbur, por kësaj radhe janë dorëzuar 0-1 përpara 24 herë kampionëve të vendit. Ndërkohë që vlonjatët kanë pësuar një humbje 1-0 në fushën e Shkumbinit, por duket se incidentet e ndodhura në këtë ndeshje do të bëhen shkas për polemika të nxehta në ditët në vazhdim. Fatale ka rezultuar humbja 0-3 e Dinamos ndaj Vllaznisë, pasi blutë ka rënë nga kategoria për herë të parë në historinë e saj 62-vjeçare. Tomori e Bylisi barazuan 2-2 ndërsa Kamza e Kastrioti u ndanë po në barazim, veçse 1-1. Java e fundit e kampionatit shqiptar të futbollit nuk do të jetë interesante vetëm për të përcaktuar titullin kampion, ku rivalët në lojë janë Skënderbeu dhe Teuta, por edhe verdiktet për fundin e renditjes, ku ende ka shumë për të thënë për skuadrat që rrezikojnë zonën e ftohtë “Play-out”-it dhe rënies direkte nga Kategoria Superiore. Në këtë javë të fundit, të 26-ën, do të zbulohet edhe skuadra që do ta shoqërojë Dinamon në zbritjen direkte nga Superiorja, ashtu sikurse dy të tjerat, që do t’i nënshtrohen “play-out”-it. E sigurt është se mes Apolonisë dhe Pogradecit do të vendoset skuadra e dytë që do të zbresë nga Superioria direkt, ndërsa po e sigurt është se ajo që i shpëton këtij verdikti nga ky duet do të luajë në “play-off”. Ndërsa tashmë është sanksionuar që Kamza dhe Tomori do të duhet të përpallen me ndeshjet “play-off” me vendet 4 dhe 5 të Kategorisë së Parë, për të siguruar qëndrimin në Superiore.
Superiore / Java XXV
DJE
Skënderbeu-Apolonia 2-0
Muzaka 29′, D.Xhafaj 90′
Teuta-Pogradeci 5-3
T.Osmani 3′ (11-m), Jakupi 18′, Nika 27′, Tairi 39′, A.Hoxha 58′ / Eminhazeri 48′, Baze 70′, Kllogjeri 72′
Laçi-Tirana 0-1
Bala 26′
Shkumbini-Flamurtari 1-0
Diop 58′ (11-m)
Tomori-Bylis 2-2
Bakiu 56′, 87′ / Izucuku 44′, Shoshi 89′
Dinamo-Vllaznia 0-3
Gjini 8′, Petrovic 11′, Gocaj 25′
Kamza-Kastrioti 1-1
Karapici 59′ / Sefa 76′
Klasifikimi
Skuadrat N P
1. Skënderbeu 25 54
2. Teuta 25 53
3. Tirana 25 50
4. Flamurtari 25 42
5. Kastrioti 25 38
6. Vllaznia 25 34
7. Laçi* 25 33
8. Shkumbini 25 33
9. Bylis 25 32
10. Tomori 25 28
11. Kamza 25 27
12. Pogradeci* 25 19
13. Apolonia 25 18
14. Dinamo* 25 13
* Dinamo është penalizuar nga UEFA me -3 pikë, ndërsa Laçi dhe Pogradeci janë ndëshkuar nda Komisioni i Disiplinës respektivisht me -6 dhe -3 pikë
