Histori njerëzore


Mori shtetësinë në spital, pak para se të mbyllte sytë


Edhe pse e rrallë, akti i marrjes së qytetarisë amerikane u zhvendos në vendin ku ndodhej i sëmuri.


Pak ditë pas marrjes së shtetësisë, Seferi u nda nga jeta në spitalin e Shën Vincentit në Xheksonvill.



Duke pëshpëritur i shtrirë në shtrat, detari Neki Seferi shqiptoi “Po” pas leximit të betimit dhe më vonë u largua nga kjo botë i plotë. Kishte realizuar dëshirën në tokën ku ëndrrat bëhen realitet. Gjendja shëndetësore e tij nuk e lejonte të merrte pjesë në ceremoninë tipike të marrjes së shtetësisë dhe përfaqësuesit e Shërbimeve të Qytetarisë dhe Emigracionit janë shfaqur në dhomën spitalore, duke befasuar të moshuarin dhe familjarët e tij. Ngjarja është bërë publike në Florida të Shteteve të Bashkuara, ku jetonte 78-vjeçari Neki Seferi. Dokumenti i shtetësisë amerikane i është dorëzuar teksa ndodhej në shtratin e spitalit, ku jepte e merrte mes jetës dhe vdekjes. Një flamur i vogël amerikan u vendos mbi kraharorin e tij, teksa ndodhej në terapi intensive. Ndërkaq familjarët mbanin dokumentin e shtetësisë dhe ndjeheshin krenarë për realizimin e zyrtarizimit të ëndrrës amerikane. Lajmi është publikuar nga e përditshmja amerikane “The Florida Times – Union”, pjesë e grupit mediatik “Morris Communications”. Pak ditë pas marrjes së shtetësisë, Seferi u nda nga jeta në spitalin e Shën Vincentit në Xheksonvill (Jacksonville) në Florida, pa mundur ta shijojë plotësisht këtë realitet. U ndje më mirë pas këtij akti qytetar dhe zyrtar, aq sa u mendua se shpëtoi nga vdekja, por ndërhyrja në zemër dhe mbase emocionet e forta nuk e lanë të shijonte më tej këtë realitet që e renditi në regjistrin e shtetasve amerikanë me të drejta të plota. Sipas nipit të tij, Ervin Seferi, gjyshi kishte dy ëndrra: të jetuarit në Shtetet e Bashkuara dhe marrjen e shtetësisë. Shtatë vite më parë, Nekiu u zhvendos nga Shqipëria në SHBA, po nuk mundi të bëhej lehtë qytetar amerikan. Verifikimet dhe procedurat e autoriteteve, të diktuara nga rritja e terrorizmit global, e shtynë në kohë plotësimin e kësaj ëndrre. Sëmundja, gjendja e rënduar shëndetësore diktuan te të afërmit mendimin se ai mbase nuk do të arrinte ta merrte shtetësinë. “Ndihej i lumtur dhe po përpiqej të fliste, por ishte shumë i lodhur”, u shpreh për median amerikane nipi i tij. Neki Seferi u bë qytetar amerikan pas një operacioni në zemër. “Munda ta shihja gëzimin në fytyrën e tij”, u shpreh për median vendase Ashuin Sharma, avokati i familjes. Pas thënies “Po”, Seferi fillimisht u duk se po bëhej mirë, po më pas gjendja e tij u keqësua dhe me dëshirën e tij iu hoq mbështetja mjekësore që e mbante në jetë. Ai vdiq natën e së premtes në spital pas pushimit të zemrës.


Në bazë të dispozitave të Aktit të Emigracionit dhe Natyralizimit, edhe pse e rrallë, akti i marrjes së qytetarisë amerikane u zhvendos në vendin ku ndodhej i sëmuri. Kur nisi të përmirësohej, njerëzit e afërt dëshmuan se ai e mori në dorë flamurin dhe certifikatën e qytetarisë.


***


Neki Seferi kishte lindur në një fshat të Durrësit në vitin 1933 dhe ishte në prag të 79-vjetorit të lindjes. Familja e tij, siç raporton e përditshmja amerikane, ishte shumë e varfër. Kjo nuk e lejoi atë të vijonte shkollimin. Megjithatë dëshira për të marrë një zanat ishte më e fortë se kushtet dhe ndoqi natën një shkollë dyvjeçare për detarinë. Pas saj u bë pjesë e Flotës Tregtare duke shërbyer si marinar, kryesisht në anije peshkimi 12 mijë tonë. Në vitin 1990 doli në pension pas plot 33 vjetësh në punë. Në vitin 2005 udhëtoi me të shoqen drejt Shteteve të Bashkuara për t’iu bashkuar pjesës tjetër të familjes që kishte emigruar në Xheksonvill pas fitimit të lotarisë amerikane. Gruaja e tij, Nurija e mori shtetësinë pas pesë vjetësh qëndrim dhe Nekiu ishte pjesëmarrës në ceremoninë e së shoqes, ndërsa qëndronte me shpresë se dhe ai do t’i gëzohej së njëjtës ceremoni që po zgjatej në kohë. Në epokën e rritjes së terrorizmit global, edhe kontrollet e autoriteteve të emigracionit janë shtuar dhe avokati që ndiqte çështjen e tij e përshpejtoi procesin kur mësoi nga nipi i Nekiut se gjyshi i tij nuk do të jetonte gjatë për shkak të gjendjes shëndetësore. Pasi mori shtetësinë, Nekiu arriti të ngacmonte me shaka të shoqen që deri në atë moment i mburrej se ishte bërë para tij shtetase amerikane. Që në fillim të mbërritjes në SHBA, Nekiu ishte habitur dhe i kishin bërë përshtypje rrugët e mëdha. Sipas të nipit, ai shpesh thoshte se janë rrugët që tregojnë fuqinë e një vendi. Përveç gruas, Nekiu ka një djalë, Naimin, i cili jeton në Xheksonvill dhe një vajzë, Norën, që jeton me familjen e saj në Rovigo, qytet në veriperëndim të Italisë. Ai la pas gjithashtu nipin dhe tre mbesa. Lamtumira e fundit iu dha të shtunën në tokën e ëndrrave që bëhen realitet, larg Shqipërisë së tij.


 


“The Florida Times – Union”


Është e përditshmja më e madhe në Xheksonvill të Floridës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo është njëkohësisht gazeta më e vjetër e shtetit të Floridës dhe nisi të botohet në vitin 1864. Gazeta tashmë zotërohet nga kompania mediatike “Morris Communications”.