Françeska debaton me Ermalin: Tani të kam rival

Françeska është shumë e mërzitur që Ermali e ka nominuar gjatë spektaklit të së shtunës dhe ky fakt bëhet shkas për debate të shumta mes tyre. Ndonëse Ermali e justifikon veprimin e tij, Françeska diskuton me Gentën, duke i thënë se dyshon që Ermali po e sheh tani si konkurrente 

Banorët diskutojnë gjatë se cilët do të jenë ata që do të shkojnë në finale dhe të gjithë shohin Ermalin dhe Liamin në finale, ndërsa për banorët e tjerë kanë versione të ndryshme. Arbri vazhdon të ketë një qëndrim dyshues ndaj grupit të tij të mëparshëm, sepse sërish debaton fort me Liamin dhe Gertën.

Françeska: Dyshoj te nominimi i Ermalit, mos po më sheh si konkurrente

Françeska qëndron në kopsht bashkë me Gentën dhe i shpreh asaj shqetësimin që ka për faktin se Ermali e nominoi gjatë spektaklit të së shtunës. Ajo shprehet se po fillon ta shikojë më thellë këtë gjë, pasi mendon se mos ndoshta ka filluar vërtet konkurrimi midis tyre dhe se mos Ermali po fillon ta sulmojë. Genta mundohet ta qetësojë, duke i thënë se ai e ka pasur më të lehtë që ta nominojë atë, se sa pjesën tjetër të banorëve. “Ai mua ma ka thënë se nuk do të më nominojë asnjëherë, pasi më konsideron si konkurrente të fortë. Në fund të fundit janë 100 milionë lekë në lojë”, shprehet Genta. “Unë mendoj se ka pasur arsye tjetër pas asaj që shprehu atje”, i thotë Françeska. “Po të dojë të të nxjerrë, do të të nominojë edhe javën tjetër”, shprehet Genta.

Françeska, Ermalit: Do të filloj të të shikoj si rival

Ermali teksa bisedon me Liamin thotë se që në fillim ka menduar që në finale do të shkojë ai vetë, Liami, Arbri dhe Genta. Liami e pyet Erionin lidhur me mendimin e tij dhe ai thotë se mendon që në finale do të shkojë Liami, Ermali, Arbri, ndërsa nga vajzat mund të jetë Genta ose Françeska. Të njëjtin mendim ka edhe Tani, por ai thotë se Liami, Ermali dhe Genta janë të sigurt në finale, ndërsa për banorin tjetër nuk është i sigurt. Pak minuta më vonë atje afër shkon edhe Françeska, e cila fillon që të hedhë batuta ironike me Ermalin dhe i vë në dukje se ai e ka nominuar pasi e shikon si konkurrente dhe i thotë se edhe ajo do të fillojë ta shikojë si rival. “Do të rrimë një javë larg njëri-tjetrit, për të provuar veten”, shprehet Françeska, ndërsa Ermali e shikon diskutimin në kuadër të shakasë.

Liami: Po të mos fitoj, do të mërzitem

Loja me shishe vazhdon gjatë mes banorëve. Ata pyesin njëri-tjetrin lidhur me marrëdhëniet e krijuara në shtëpi, për detaje të jetës jashtë e veçanërisht për çmimin e madh. Një diskutim fillon me banorët, pas një pyetje që i bën Genta, Gertës lidhur me konsideratën që ka për Liamin apo Arbrin. Ajo thotë se nuk mund t’i ndajë të dy, por banorët thonë se ajo nuk është e vërtetë. Erioni e pyet Liamin nëse do të mërzitej po të mos ishte në finale. Liami thotë se do të mërzitej shumë, pasi për hir të kësaj loje, në datën 1 maj ka humbur punën, pasi lejen e ka marrë për tre muaj dhe afati ka kaluar. “Po nëse do të jesh në finale, por nuk do ta marrësh çmimin?”, e pyet Arbri. “Përsëri do të mërzitesha”, shprehet Liami. “Nëse fiton, do t’i japësh Gentës 500 euro?”, e pyet Ermali. “Ia kam dhënë fjalën që do të rregullojë dhëmbët me ato lekë”, thotë Liami.

Ermali dhe Françeska përballen për nominimin

Pasi fiken dritat në shtëpinë e “Big Brother”, Ermali dhe Françeska shtrihen afër njëri-tjetrit dhe ai kërkon një sqarim prej saj, lidhur me sjelljen e mëparshme, ku të dy kanë debatuar. “Nuk kisha asgjë”, shprehet Françeska. “Na trembe”, i thotë Ermali. Ajo i bën me dije se nuk kërkon që të bisedojnë, ndërsa Ermali mundohet që ta kthejë bisedën në shaka.

Françeska i vë në dukje atij se ka filluar ta vendosë veten në plan të parë dhe të evidentohet. Ajo është prekur edhe nga një fjalë që i ka thënë Ermali dhe ia vë në dukje këtë gjë. Unë thashë që s’po më pëlqen loja, ndërsa ti the: “Dil nëse nuk do”, i thotë Françeska. Ermali justifikohet, duke thënë se ajo është nervozuar dhe prandaj ai i është përgjigjur në atë mënyrë. Ndërsa Françeska i kërkon atij që të mos e vazhdojë këtë bisedë, pasi nuk kërkon ta zgjasë më. “Ti u bërë viktimë atje, sepse nuk je vigjilente, e humbet”, shprehet Ermali. “Ti më bën ta humbas”, i thotë Françeska. Ai i bën të ditur se janë banorët e tjerë ata të cilët përfitojnë prej saj dhe e sulmojnë. Ermali mendon se banorët e kanë dëshiruar zënkën midis atyre të dyve dhe mezi e presin momentin kur ai nervozohet, si në rastin konkret.

Më pas ata diskutojnë për nominimin e Ermalit kundrejt saj. Françeska mendon se Ermali ka dashur ta sulmojë dhe jo për ndonjë arsye tjetër. “Po të më konsideroje të fortë, nuk do të më nominoje”, i thotë Françeska, e cila thotë se ajo vetë nuk i nominon konkurrentët e fortë, sepse i pëlqen që ta bëjë lojën me ta në fund. “Tani ti m’u vure kundër?! Eh ç’na gjeti me këta”, thotë Ermali, ndërsa Françeska nuk i kthen përgjigje, por kthehet në krahun tjetër dhe kërkon të flejë gjumë. “Po gabon, kuptoje”, vazhdon t’i thotë Ermali.

Arbri, Gerit: Ti je ofenduese dhe injorante

Gerta shkon në krevatin e Arbrit dhe i kërkon atij që të ngrihet, ndërsa Arbri i kujton nominimin dhe thotë se mendon që ajo po mundohet të sillet në këtë mënyrë për shkak të nominimit. Ndërsa Gerta thotë se nominimi tek ajo nuk ka ndikuar fare, por ai sillet në mënyrë të tillë, duke debatuar pa arsye kur është në nominim. “Unë kur isha në nominim vetëm u kënaqa dhe atë kam ndërmend të bëj, ndërsa ti bërë sherr kot”, thotë Gerta. “Edhe Graciano kështu bëri”, i thotë Arbri. Ajo e këshillon që Arbri të mos ketë shumë besim te vetja, pasi në momentin që tregon besim më shumë sesa duhet, atëherë eliminimi mund të vijë papritur. “Ti duhet t’i bësh autokritikë vetes e jo të mendosh si mendjemadh”, i thotë Gerta. Ironitë mes Gertës dhe Arbrit shkojnë duke u ekzagjeruar dhe të dy përfundojnë në debat. Arbri i thotë Gertës që të bëjë kujdes me shprehjet e saj dhe Gerta i thotë se ai po tregohet mendjemadh, sepse mendon se është i ditur. “Ju mendoni se dini gjithçka, por ndonjëherë ia fusni kot”, i thotë Gerta, Arbrit. Ajo i thotë se është e thjeshtë si njeri dhe këtë ai do ta kuptojë me të vërtetë kur të dalin jashtë kësaj shtëpie. Arbri ia kthen “e thjeshtë të duket vetja?” e më pas vazhdon “je ofenduese, e para, dhe e dyta, je shumë injorante”. Gerta flet në përgjithësi, duke thënë “sa njerëz të trashë ka kjo botë” e Arbri i thotë “i trashë nga pesha apo nga trutë, sepse nga trutë kam dy herë më shumë se ti” e më pas shton “ti je femër dhe bën veprime që s’duhet t’i bësh”. Gerta i përgjigjet se ajo sillet në këtë mënyrë për t’u përshtatur me banorët e tjerë të kësaj shtëpie.

Arbri debaton me grupin: Turp që kapeni me gjëra të vogla

Gjatë kohës që Arbri dhe Gerta debatojnë me ironi në dhomë ndodhet edhe Liami, i cili i ulur pranë Gertës mban anën e saj dhe i kundërvihet Arbrit. Liami dhe Gerta i kërkojnë llogari Arbrit se përse ai në një bisedë me banorët e tjerë tha se nuk e shihte Françeskën si finaliste, në një kohë që më parë e ka thënë se e sheh dhe përse mendon se Erioni mund të shkonte në finale kur ai vetë e ka nominuar. Arbri i thotë Liamit: “Ky format është që fituesi apo dhe katër finalistët të japin një mesash për publikun”, dhe Liami i thotë “ti jep mesazh jo duke u viktimizuar”. Arbri i acaruar i përgjigjet se Liami është një ndër personat që e bën shpesh këtë gjë dhe i kujton rastin më të freskët, se “ti dje u viktimizove duke thënë se jam mërzitur shumë që kam humbur punën”. Liami i thotë se atij nuk i pëlqen fakti që Arbri tregohet i lëkundur në disa raste, por Arbri nuk e pranon këtë. Arbri thotë se ata i bëjnë pyetjet me tendencë, por ai asnjëherë nuk e ka bërë një gjë të tillë.

“Turp që kapeni me gjëra të vogla”, shton ai, dhe i thotë Liamit që të mos pretendojë se ai do t’ia lërë lojën atij, sepse ata janë për të njëjtën arsye dhe në momentin që ai do të luajë për Liamin, do të dilte nga shtëpia.

Autor te 8 Maj 2012. Big Brother. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry