Kandidimi “Nano” dhe sëmundja dasuese e së majtës

Jetmir Shpuza - “Partia Socialiste ishte një mollë e kalbur që unë e ndava përgjysmë”. Kjo thënie në formë shakaje që i atribuohet në tavolina Berishës si autor i saj, duket të ketë një fije të vërtete brenda, tek vështron me vëmendje historinë politike të 10 vjetëve të fundit. Jo se Berisha e ka thënë vërtet një gjë të tillë. Por për fatin e forcës së majtë kryesore politike, qëkur brenda saj hynë konfliktet e brendshme. Dualitetet apo konfliktet mes liderëve të së majtës, në fillim brenda një partie e më pas të ndarë në dy parti të ndryshme (molla e kalbur e ndarë më dysh) qenë përcaktuese për ta nxjerrë si fillim në opozitë e pastaj për ta mbajtur atje, me apo pa të drejtë, kushedi deri kur.

Në mandatin e dytë qeverisës, Partia Socialiste u përfshi në një debat që mori përmasa të mëdha, po që kryesisht përqendrohej mes dy liderëve: Fatos Nanos dhe Ilir Metës. Ndonëse Nano triumfoi në Kongresin e dhjetorit 2003 duke e nxjerrë Metën me gjithë përkrahësit e tij nga të gjitha strukturat drejtuese të PS-së, ky lloj “triumfi” nuk vlejti për palën fituese, pasi qe parathënie e humbjes së madhe të Partisë Socialiste në zgjedhjet e përgjithshme të 2005-s. Ilir Meta arriti të qëndrojë me kokëfortësi, duke themeluar partinë e vet dhe duke përçarë elektoratin e majtë (a nuk u nda molla më dysh?).

Po humbja e zgjedhjeve të 2005-s solli ndryshime në drejtimin e Partisë Socialiste, ashtu siç solli edhe lindjen e një konflikti të ri, atë mes ish-kryetarit Fatos Nano dhe kryetarit të sapozgjedhur Edi Rama. Lëvizjet e filluara e të lëna përgjysmë nga Nano gjeneruan dhe ndasi mes anëtarëve dhe simpatizantëve të kësaj force të madhe politike. Në terren lufta bëhej më e ashpër, pasi provinca e ka më të ndjeshme tendencën përjashtuese, eliminuese. Kujdes me ata të Nanos… Në këtë mënyrë, pavarësisht përmasave, elektorati i majtë po e ndjente përçarjen.

Shtoji kësaj edhe konfliktin e rinisur mes PS-së dhe LSI-së pas vitit 2007 dhe hyrja e tyre të ndarë në zgjedhjet e vitit 2009, plus koalicionin në vazhdim të LSI me Partinë Demokratike… Konfliktet mes 3 liderëve, Nano-Meta, Rama-Nano, Rama-Meta përcaktuan këtë situatë kontradiktore për forcën politike të së majtës, Partinë Socialiste: ndërsa ajo merr një numër jo të vogël votash më tepër se rivalja e saj, Partia Demokratike, por vazhdon të rrijë në opozitë, qoftë nga përçarja me LSI-në, qoftë nga përçarjet e brendshme që demotivojnë një pjesë të elektoratit të saj.

Po të kishte mundësi të dilte një lider i katërt, që ta bashkonte të majtën dhe ta largonte nga ndasitë e 3 të mësipërmve, të sillte një frymë që të besohej masivisht nga elektorati, ndoshta do të ishte mënyra më e mirë për të filluar një erë të re për të majtën politike shqiptare. Po një i tillë nuk duket në horizont dhe as ka gjasa të shfaqet shpejt. Duam apo nuk duam, Rama, Nano, Meta janë tre njerëzit më të fuqishëm që ka prodhuar e majta, që kanë mbështetësit e tyre (pavarësisht më pak njëri e më shumë tjetri) dhe që vazhdimi i konflikteve mes tyre do të vazhdojë ta mbajë të përçarë elektoratin e majtë. Hë për hë, një bashkëveprim, unitet apo koordinim, aleancë mes të treve mund të sjellë edhe një bashkëveprim dhe rritje të elektoratit në favor të së majtës.

Shfaqja jo e papritur e Nanos në momentin që afrohet zgjedhja e Presidentit të Republikës gjithsesi sjell risi dhe shkundje për skenën politike shqiptare të mbërthyer në ngërçe pa rrugëzgjidhje. Duke qenë kandidat i vetëshpallur, natyrisht ai mbështetjen kryesore e kërkon te forca e vet politike, te grupi parlamentar i Partisë Socialiste, duke e shprehur publikisht këtë pretendim. Takimet e tij në selinë e Partisë Socialiste me drejtuesit e saj, Ramën, Ruçin, zgjojnë vëmendjen publike në maksimum, sidomos nga aktivistë të Partisë Socialiste dhe tek elektorati i saj, të cilët shohin me vëmendje edhe nuancat e një shtrëngimi dore.

Kandidatura e Nanos shërben edhe si një pikë komunikimi mes PS-së dhe LSI-së, duke u parë edhe si një shpresë bashkimi në horizont. Dhe për më tepër, figura e Nanos arrin të marrë mbështetjen e njëhershme të dy forcave politike disi të ndryshme dhe jo pa divergjenca mes tyre, si PDIU dhe PBDNJ, të cilat u shprehën qartazi se ishin për Nanon president. Lëvizjet e Nanos mund të sigurojnë aleatë të rinj për PS-në në zgjedhjet e afërta parlamentare. Sipas llogarive matematike, një mbështetje e Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim plus 3 votat tashmë të deklaruara të PDIU-së dhe PBDNJ-së e nxjerr Nanon president në votimin e katërt ku mjaftojnë 71 vota, ndonëse ai vetë po kërkon një proces konsensual. Dhe ky bashkim vote i dy forcave politike të majta mund të jetë premisa për një konfigurim të ri politik, për një ribashkim të së majtës rreth këtyre tri figurave që qenë edhe protagonistët e përçarjes së saj (Nanos, Ramës dhe Metës), duke sjellë njëkohësisht edhe ribashkim dhe çlirim energjish të elektoratit të majtë, të zhgënjyer nga lufta e brendshme përçarëse që e la Berishën në pushtet me historinë e mollës së ndarë më dysh.

 

Autor te 8 Maj 2012. Opinion. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry
  • http://www.facebook.com/people/Sinan-Hibro/1200773092 Sinan Hibro

    Ore Shpuza , a je i marre apo shtihesh ? C’eshte ky ribashkim i te majtes rreth ketyre tri figurave …? Ore po edhe brenda nje berthame si familja ( burri , gruaja e femia /jte ) nuk mund te arrihet bashkimi qe kerkon ti .Te me falesh, por nuk do te bej me komente per shkrimet e tua.

  • agron

    Po me pelqen komenti. nese e majta nuk bashkohet,nuk ka prespektive qe te largohet berisha nga pushteti. duke mbeshtetur nje kandidature si nano per president,mujnd te ulen gjakrat dhe te vendoset nje paqe mes partise socaliste dhe LSI.

  • Ergys

    Shpuza ne kete shkrim po me duket me i orientuar nga e majta,flet per bashkimin e saj,ndryshe nga disa shkrime te tjera ku sulmon Ramen. Me sa kuptoj tendenca eshte per kete bashkim,mes Ps dhe Lsi. Autori shpreh deshiren e nje te majti per te largu Berishen nga pushteti.

  • Tefta

    Pa LSI harrojeni se do te vini ne pushtet

  • Ylvi

    Pa LSI Nuk vini ne pushtet

  • Pavaresia

    Edhe ne se do te ndodhi keshtu, asgje e mire nuk i vjen vendit. Keto qe po zhvillohen keto dite, jane lojra politike njesoj si ne nje kazino. ,,Ujku vec qimen nderron….”.

  • Zaçe SEJDI

    Koment i pa sakte.Nano eshte ne lojen e Berishes ai gjithemone ka dale ne skene kur ka patur nevoje saliu.Nano kerkon percarjen e te majtes dhe qe saliute rrije prape ne pushtet Shikoni cfare thot saliu thone dhe Malaj Bello Islami Arasani Blushi .Keta jane persona te blere nga saliu.Dhe Iliri kerkon te mbijetoje duke marre vota nga e majta prandaj afrohet me PS.Iliri po te jete burre te rrezoje saliun ne parlament dhe te vemi ne zgjeshje me qeveri teknike.Ndryshe saliu eshte prap ne pushtet sepse ai do te manipuloje prape votat.