Vali Qyrfyçi - Dy të moshuar që jetonin në shtëpinë e të moshuarve në Kavajë janë shndërruar në protagonistë të një historie jo fort të zakontë. Për t’i shpëtuar xhelozisë së partnerit, gruaja ka vendosur të mbyllë bashkëjetesën me të dhe në këmbim ka rrezikuar jetën nga goditjet me thikë. Ka qenë një pëlqim i hershëm, që zinte fill në kohën e monizmit dhe u mbajt gjallë ndër dekada, edhe pse secili pati martesa të dështuara, që i ka ribashkuar në një lidhje plot konflikte dhe drama. Dëshira për të qenë bashkë i ka përfshirë në një marrëdhënie dashurie Sulltanen dhe Maliqin, por, pavarësisht emrit që mban, gruaja ka qenë në një marrëdhënie të vështirë, në të cilën ndihej e kërcënuar dhe e trajtuar si pronë. Prej më shumë se një jave ajo kishte vendosur t’i jepte fund bashkëjetesës me Maliqin, për të cilin në shtëpinë e të moshuarve në Kavajë tregojnë nën zë se ka vrarë një grua. Ndërkohë, 66-vjeçarja, partnerja e tij, ka përfunduar në reanimacionin e kirurgjisë së spitalit të Durrësit. Gjatë ditës së hënë gjendja e saj është paraqitur e qëndrueshme, por rreziku nuk ka kaluar. Shefi i kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Durrësit, kirurgu Ilir Shani, thotë për gazetën se pas ndërhyrjes kirurgjikale, së cilës i është nënshtruar gruaja, i janë vendosur dy tuba në mushkëritë e saj, të dëmtuara të dyja nga goditjet me thikë. Ngjarja ka ndodhur pak pas mesditës së të dielës në qytetin e Kavajës. Xhelozia mes të moshuarve deklarohet të ketë qenë motivi i kësaj ngjarjeje kriminale, që ka çuar në qelitë e paraburgimit 69-vjeçarin Maliq Tafaruçi dhe në spital me mushkëri të dëmtuara rëndë partneren e tij brenda shtëpisë, Sulltane Muharremin. Në shtëpinë e të moshuarve tregojnë se gruaja kishte tre vjet që frekuentonte shtëpinë, ndërsa Maliq Tafaruçi pak më shumë se një vit e gjysmë. Ata kishin një njohje të hershme, që nga koha kur kishin qenë në të njëjtin vend internimi. Pas dështimit të martesave të mëparshme të dy ishin lidhur me njëri-tjetrin, por lidhja kishte krijuar mjaft probleme te 66-vjeçarja, e cila ndihej e dhunuar dhe e kërcënuar vazhdimisht për jetën nga Maliqi. Në jo pak raste ajo e kishte denoncuar në Policinë e Kavajës, tregojnë të moshuarit e tjerë dhe drejtori i shtëpisë Mehmet Rrapi. I arrestuari nga policia thuhet se vuante nga një xhelozi e sëmurë dhe ishte shpesh agresiv me Sulltanen dhe kjo e kishte detyruar atë të merrte vendimin për ta mbyllur lidhjen, gjë që nuk është pranuar nga 69-vjeçari. Fakti që Sulltania ishte aktive për punë dhe shpesh punonte në Golem për të siguruar të ardhura të nevojshme e nxiste më tej xhelozinë e partnerit të saj. Dy ditë më parë ajo i kishte deklaruar vendimin e saj e bindur për fundin e raportit që i lidhte. Ai ka refuzuar dhunshëm duke qëlluar me thikë mbi gjoksin e saj. Pasi e ka plagosur rëndë është larguar nga vendngjarja, për t’u kapur pak më vonë. Ndërkohë e plagosura ndodhet në reanimacionin spitalor të Durrësit. Sipas mjekut Shani, gjendja e saj është e qëndrueshme dhe arrin të komunikojë.
Aty ku lindin e vdesin dashuritë
Janë mbi 50 veta që i bashkon halli në këtë institucion dhe jo pranë familjeve që nuk mundën t’i krijojnë, ose që emigracioni a rrethana të tjera të jetës ua rrëmbyen. Së bashku ndajnë të njëjtin fat, mungesën e njerëzve të afërt, të gjakut të tyre, në këto vite të jetës. Ndihen të braktisur, por e kanë pranuar këtë megjithëse jo rrallë përloten teksa kujtojnë njerëzit e tyre, të gjallë e të vdekur. Disa mbajnë pranë shtratit fotot e të dashurve që nuk i kanë më. Të tjerë kujtojnë vitet e rinisë, kur të qenët vetëm as nuk e mendonim. Të tjerë akoma kanë krijuar lidhje më intime me njëri-tjetrin për t’u ndier më mirë. Disa kanë probleme të shëndetit mendor. Janë aty dhe jetojnë me njëri-tjetrin si në një shtëpi të madhe, ku nuk mungojnë konfliktet, mëritë, por as shakatë, festat e rralla dhe ato pak kënaqësi që mund të marrësh nga jeta në këto kushte.
Historiku
Shtëpia e të moshuarve në Kavajë u çel me nismën e Kryqit të Kuq më 6 nëntor 1951. Aty u strehuan 90 të moshuar nga rrethe të ndryshme të vendit, si dhe nga Kosova e Çamëria. Me shuarjen e aktivitetit të Kryqit të Kuq, të gjitha shtëpitë e të moshuarve në vend kaluan në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Në vitin 1993 shtëpia kaloi në varësi të Ministrisë së Punës dhe atëherë daton dhe vendimi për zhvendosjen e të moshuarve në një godinë të re me 38 shtretër, të ndërtuar enkas për këtë qëllim. Shtëpia e re u çel në qershorin e vitit 1997 dhe nuk ofronte kushte të mira. Punime pa cilësi, pa ujë, pa drita dhe lagështi. Bashkëpunimi me donatorë të huaj mundësoi zgjidhjen e një pjese të mirë të problemeve.