Kulturë Marco Bellocchio: Në Tiranë nuk gjeta asnjë gjurmë historie

Marco Bellocchio: Në Tiranë nuk gjeta asnjë gjurmë historie

107
0
SHPËRNDAJE

Regjisori italian viziton Durrësin pas Tiranës. Në një takim me kineastë, studentë dhe dashamirës të kinemasë, Bellocchio ka ndarë përshtypjet e tij mbi vizitën e parë në Shqipëri, si dhe detaje nga puna e tij. Ka tingëlluar disi i hidhur në komentet e tij për Tiranën, kryeqytetin shqiptar që sipas tij nuk ofron asgjë nga pikëpamja arkitekturore, arkitektonike dhe objektet e vjetra të kultit

Vali Qyrfyçi – Pasi ka marrë “Gladiatorin e Artë” për filmin “Vincere” (Të fitosh), regjisori i njohur italian, Marco Bellocchio gjatë një komunikimi me kineastë, studentë dhe dashamirës të kinemasë në Durrës ka ndarë përshtypjet e tij mbi vizitën e parë në Shqipëri, si dhe detaje nga puna e tij. Ka tingëlluar disi i hidhur në komentet e tij për Tiranën, kryeqytetin shqiptar që sipas tij nuk ofron asgjë nga pikëpamja arkitekturore, arkitektonike dhe objektet e vjetra të kultit, ndërsa është ndalur dhe në kurajën e zhvillimit të Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës, qytetin pa kinema. “Kur një njeri i moshës sime dhe me interesat e mia viziton një vend të ri, gjëja e parë që kërkon të bëjë është të njihet me godinat që dëshmojnë stilet arkitektonike dhe arkitekturore, të vizitojë kishat, por në Tiranë nuk gjeta asgjë nga këto. Unë e kuptoj që jeni një popull i ri, me moshë të re”, kështu deklaroi Marco Bellocchio, regjisor i “Vincere”, para shfaqjes së premierës së filmit “Sorelle Mai” në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu”. Një konstatim sa i vërtetë, aq edhe i dhimbshëm për ne shqiptarët, pasi lashtësinë dhe historinë e vendit tonë e mbartin qytete të tjera që Bellocchios ndoshta s’do t’i takojë kurrë t’i shohë. Konstatimi që tingëlloi gati cinik për këdo prej pjesëmarrësve në sallë u thye gjatë orës që dashamirësit e kinemasë ndoqën premierën e filmit të tij. Organizatorja e Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit në Durrës, Anila Varfi, e ka shoqëruar regjisorin e madh në një prej monumenteve më të mëdha në rajon që dëshmon lashtësinë e kombit shqiptar, në Amfiteatrin Antik të Durrësit ku Shqipëria i është shpalosur regjisorit në një tjetër dimension të së resë: në një komb të vjetër, por me moshë të re popullsie. Ndërkaq, kineasti Kujtim Çashku, anëtar jurie i FestFilmit të kaluar, me keqardhje pohoi indiferencën shqiptare ndaj kulturës, artit dhe rëndësinë që marrin pranitë e personaliteteve të fushës së filmit në Europë dhe më gjerë, të cilët përcjellin përvojat e tyre jetësore e profesionale duke dhënë dhe mesazhe përmes tyre. Ndërkaq, shfaqja e filmit “Motrat Mai” përforcoi deklaratën e Belocchio-s për realizimin e filmave të mëdhenj me një buxhet modest, problem ky mjaft i diskutuar mes njerëzve të kinemasë në Shqipëri. ‘“Sorelle Mai” është realizuar në kohë të ndryshme, por episodet i bashkon një vend dhe një kohë. Në Bobbio unë kam kaluar gjithnjë në fëmijëri pushimet e verës. Protagonistë në këtë film janë motrat e mia, dy fëmijët, shumë miq në atë vend dhe aktorë profesionistë që kanë ardhur dhe janë përfshirë dhe në laboratorin e kinemasë që unë kam realizuar në vitin përkatës në Bobbio. Ky është një film i improvizuar. Është një histori që zgjat në 10 vjet dhe ju mund të shihni vajzën time që në fillim është 3 vjeçe dhe në fund të filmit 13 vjeçe. Të tjerët nuk e dëshmojnë kaq shumë diferencën në moshë. E kam ndier shumë këtë film, por ndryshe nga ‘Vincere’ që është epik dhe dikush e ka krahasuar me simfoninë e Bethovenit, ky është më i mbyllur, me një formë krejt tjetër. Jam i nderuar që e prezantoj këtë film në Durrës”, u shpreh regjisori. Aktualisht po punon mbi një film që ka në qendër qëndrimet katolike dhe laike mbi eutanazinë. Ai quhet “E bukura e përgjumur” dhe bazohet në historinë e Luanës, vajzës që pasi pësoi një aksident rrugor në moshën 17-vjeçare u mbajt pa asnjë shpresë artificialisht në jetë dhe bazohet në luftën e babait për t’i dhënë fund kësaj jete të pakuptimtë. “Kjo çështje ka krijuar gati një luftë politike në Itali mes laikëve dhe katolikëve. Ky episod gjithnjë qëndron në sfond dhe janë krijuar histori, ngjarje që bazohen në ditët kur vendoset mbi jetën e personazhit”, përfundoi Bellocchio, i cili ka ardhur në Shqipëri në kuadrin e “Javës Europiane të Filmit”, me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës. Durrësi ishte stacioni i dytë i ndalimit të regjisorit, pas Tiranës.