Raporti i Dick Marty


Qeveria: Kuvendi, ligj para 14 majit. PS kërkon kohë për draftin


BLEDAR HOTI – Shqipëria rrezikon të hetohet nga një gjykatë e posaçme ndërkombëtare nga OKB-ja për akuzat e Dick Marty për trafikim organesh, nëse nuk miraton një ligj të posaçëm për lejimin e hetimeve nga Eulex përpara datës 14 maj. Qeveria kërkoi dje në Kuvend miratimin me një procedurë të përshpejtuar të projektligjit “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me task-forcën hetimore speciale të Eulex-it”. Në relacionin e paraqitur të qeverisë kërkohet të miratohet këtë seancë kuvendore, pasi më datën 14 maj mbahet takimi i radhës i Këshillit të Sigurimit, ku nga Republika e Shqipërisë duhet të raportohet ndërmarrja e këtij hapi të rëndësishëm, pasi përndryshe mund të krijohet një gjykatë e posaçme e mandatuar nga ky organizëm ndërkombëtar. Urgjencën në miratimin e këtij drafti, qeveria në relacionin e saj, e lidh dhe me vendimin nr.24 të Gjykatës Kushtetuese të datës 10.11.2006. “Bashkëpunimi me Eulex do të eliminonte në të njëjtën kohë edhe përfshirjen e gjykatave të posaçme të mandatuara nga Këshilli i Sigurimit, si në rastin e krimeve të kryera në ish-Jugosllavi dhe në Ruanda. Në Këshillin e Sigurimit, për këtë çështje, ekziston aktualisht një presion gjithnjë në rritje nga ana e Serbisë me mbështetjen e fuqishme të ndonjë vendi anëtar të përhershëm të KS-së, duke argumentuar se vetëm OKB-ja mund të ketë mandatin e juridiksionin për hetime në territoret e vendeve anëtare të OKB-së. Kjo do të thotë se detyrimi i vendit tonë për të bashkëpunuar sa më shpejt dhe me efektivitet me Task-Forcën e Eulex-it vjen jo vetëm si një domosdoshmëri për të provuar falsitetin e akuzave të Dick Marty-t e për t’iu kundërpërgjigjur lëvizjeve të Serbisë, por edhe si një detyrim i marrë nga Shqipëria për arritjen e rezultateve konkrete për një çështje që vazhdon të cenojë imazhin e luftës në Kosovë dhe çështjes shqiptare në përgjithësi”, thuhet në relacionin e qeverisë.


Imuniteti diplomatik dhe ekstradimet


Drafti i qeverisë i jep një imunitet diplomatik hetuesve të Eulex-Kosovo, nëse ato do të operojnë në Shqipëri. Task-Forca Eulex ka autoritet të pavarur për të dëgjuar dëshmitarë, ekspertë dhe persona të akuzuar në Shqipëri, si dhe të këqyrë mjediset; të marrë prova të tjera dhe të mbajë të gjitha materialet që janë të rëndësishme për hetimin dhe gjykimin. Madje, kjo trupë speciale në bazë të sanksionimeve të neneve 14 dhe 15 ka të drejtën të hetojë, të sekuestrojë materiale të rëndësishme, madje dhe të kërkojë ekstradim të personave. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, gjatë shqyrtimit të këtij ligji kërkoi kohë 24 orë për të riparë draftin. “Edhe vet projektligji nuk është zgjidhja më e mirë dhe e vetmja e mundshme është absurde t’i thuhet Parlamentit që të enjten duhet të vish në sallë ta votosh se dua unë kështu. Jam shumë dakord me shqetësimin dhe ndaj të njëjtin shqetësim për rëndësinë, por të vendosur në këtë mënyrë nuk është serioze”, tha deputeti socialist.


 


5 shkurt: Shqipëria, me anë të letre të kryediplomatit Haxhinasto të datës 5 shkurt 2012 drejtuar KS-së së OKB-së ka garantuar për një bashkëpunim të plotë dhe transparent


14 maj: Më 14 maj, mbledhja e KS të OKB-së për të diskutuar në lidhje me angazhimin e Shqipërisë për hetimin e akuzave të raportit të Dick Marty për trafik organesh gjatë luftës së Kosovës


Urgjenca: Nisur nga rreziku i krijimit të një gjykate të posaçme nga KS-ja, qeveria i kërkon Kuvendit të miratojë me urgjencë këtë projektligj, para datës 14 maj


Ekstradimi: Grupi i posaçëm hetimor Eulex-Kosovo do ketë të drejtën edhe të paraqitjes së kërkesave të ekstradimit të personave të dyshuar si dhe gëzimin e imunitetit diplomatik