Lushnjë


Rreth 228 fëmijë talasemikë nga rrethet Lushnjë, Berat, Vlorë dhe Fier, po përballen me mungesën e rezervave të gjakut. Në Bankën e Gjakut në Lushnjë, në ambientet frigoriferike të saj ndodhen vetëm disa qese, kapaciteti i të cilave nuk arrin të plotësojë kërkesat më minimale të fëmijëve talasemikë. Në rajonin e Myzeqesë janë të diagnostikuar si talasemikë 228 fëmijë. Jeta e tyre është e varur drejtpërdrejtë me rezervat që ka Banka e Gjakut në Lushnjë. Ndërkaq, prindërit e fëmijëve të sëmurë pretendojnë se nuk gjejnë sasinë e gjakut që u duhet për fëmijët, duke u detyruar të presin për ditë me radhë. Disa prej tyre pohojnë se në raste të ndryshme ju është dashur t’u kërkojnë familjarëve të tyre që të dhurojnë lëngun e jetës, pasi në këtë bankë gjaku nuk kanë marrë zgjidhje. Mësohet se për shkak të mungesës së fondeve janë larguar edhe dhuruesit me pagesë. Këtë problematikë e ka pranuar edhe drejtori i Bankës së Gjakut Lushnjë, mjeku Mehmet Xhindole. Ai ka pohuar se banka po mbijeton me vështirësi dhe se vetëm disa flakonë ekzistojnë në frigoriferët e këtij institucioni, që nuk mjaftojnë për të plotësuar nevojat e 228 fëmijëve talasemikë. Ai ka shtuar se sipas urdhrit të ministrit të Shëndetësisë, qendrat e punktit të gjakut nëpër rrethe duhet të dorëzojnë gjak në këtë bankë.


E.Hoxhaj