Ish-kryeministrja e Ukrainës kishte refuzuar të ushqehej prej 19 ditësh, duke protestuar për dhunën e ushtruar ndaj saj në burg
Ish-kryeministrja ukrainase, Julia Timoshenko ka vendosur të ndërpresë grevën e urisë, e cila zgjati rreth 19 ditë si një mënyrë për të protestuar kundër akteve të dhunës që sipas saj i janë ushtruar në burg. Lajmin e ka bërë të ditur vajza e ish-kryeministres ukrainase, Evgenia, e cila ka shpjeguar për gjendjen e rënduar shëndetësore të së ëmës si rezultat i refuzimit të ushqimit për një kohë të gjatë dhe nevojës imediate për t’ju nënshtruar kontrollit mjekësor.
“Sot nëna ime u vizitua nga mjeku gjerman Harms dhe ata biseduan së bashku. Ai i komunikoi një mesazh të këshillit të mjekëve, i cili thoshte se nëse trajtimi nuk nis në të ardhmen e afërt, kjo mund të çojë në paaftësi. Nën vëzhgimin e tij, nëna ime do të transferohet në spital dhe për momentin kurimi nuk mund të nisë shpejt për shkak të grevës së urisë”, – tha vajza e ish-kryeministres, Evgenia Timoshenko.
Julia Timoshenko po vuan dënimin me shtatë vjet burg që mori në tetor të këtij viti, kur u burgos me akuzën për shpërdorim gjatë kohës kur ishte kryeministre e Ukrainës. Komuniteti ndërkombëtar e ka dënuar gjyqin ndaj saj, duke e cilësuar si tërësisht të motivuar politikisht.
Ndërkohë, Timoshenko hyri në grevë urie më 20 prill për të protestuar ndaj dhunës së ushtruar sipas aja nga gardianët e burgut. Deklarata e saj u shoqëruan edhe me foto ku dukeshin shenjat e dhunës së ushtruar mbi ish-kryeministren e Ukrainës.
9 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)