Shkodër
Një sasi e konsiderueshme cigaresh kontrabandë është bllokuar dje nga Policia e Shkodrës. Ngarkesa me rreth 25000 paketa u kap në mëngjes në dalje të qytetit. Sipas policisë, kontrabandisti është Ylli Rukaj nga Shkodra, i cili në momentin e arrestimit po lëvizte me një furgon ku ndodheshin dhe cigaret e markave të ndryshme. Po sipas burimeve nga policia dyshohet se cigaret kontrabandë kanë hyrë nga Mali i Zi për në tregun Shqiptar. Ky është rasti i dytë brenda pak ditëve kur Policia e Shkodrës godet rrjetin e kontrabandistëve të cigareve në qytet. Vetëm pak ditë më parë u sekuestruan mbi 15 mijë paketa kontrabandë që dyshohen se kanë hyrë nga Mali i Zi. Aksioni i djeshëm vjen dy ditë pas takimit të drejtuesve të Policisë së Shkodrës me përfaqësues të policisë malazeze, që u fokusua te lufta kundër trafiqeve dhe monitorimi i kufirit për parandalimin e ngjarjeve kriminale.
a.h.