Gjykata Kushtetuese ka pranuar kërkesën e Roxhers Durdës dhe Alketa Hazizajt
Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar Gjykatës së Lartë të rigjykojë çështjen e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, duke pranuar kërkesën e dy prej të mbijetuarve të tragjedisë së Gërdecit, Roxhers Durda dhe Alketa Hazizaj.Në një mendim të përçarë mes anëtarëve të gjykatës Kushtetuese, u vendos që Gjykata e Lartë të rishqyrtojë padinë e ngritur dy vjet më parë nga dy prej të mbijetuarve nga shpërthimi i Gërdecit.
Durda dhe Hazizaj ngritën padi penale për ish-ministrin e Mbrojtjes, duke e akuzuar për plagosje të rëndë nga pakujdesia. Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se Gjykata e Lartë duhet të fillonte procedimin, pasi nuk është kompetencë e saj të refuzojë procedimin penal, që është kompetencë e Prokurorisë.
Sipas Kushtetueses, Gjykata e Lartë duhej të bënte veprime, si vlerësimi i provave dhe thirrja e dëshmitarëve. “Gjykata Kushtetuese e gjeti të papajtueshme me Kushtetutën këtë vendim dhe ka vendosur të rikthejë çështjen për gjykim në Gjykatën e Lartë, pra atje ku çështja duhet të ishte gjykuar po themi që në vazhdim të datës 1 mars 2010. Gjykata e Lartë i vendosi një lloj muri gjykimit që duhet të vazhdonte ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes dhe ky mur sot është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Bëhet fjale për dy raste, por pritet që të njëjtin fat të pësojnë gjithë rastet e tjera të të gjithë të plagosurve”, është shprehur pas vendimit, avokati i të plagosurve, Dorian Metaliaj. Ndërkaq Gjykata Kushtetuese ka vendosur rrëzimin e kërkesës së paraqitur nga kërkuesi Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit, për mungesë legjitimimi. 9 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)