Arsimi i mesëm, rreth 44 mijë të rinj do të testohen në letërsi, 43 mijë në matematikë


Shpresa Mezini – Ankthi i maturantëve të këtij viti sa vjen e shtohet. Kjo, për shkak se për rreth 2 javë maturantët do t’u thonë lamtumirë viteve të shkollës së mesme. Bazuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit, rezulton se mësimi për maturantët përfundon zyrtarisht më datë 22 maj, ndërkohë që të dhënat zyrtare, mbi regjistrimin e tyre, që numërohen në bazë të formularëve të plotësuar, do të bëhen publike më 24 maj. Duke iu referuar të dhënave të deritanishme, drejtori i arsimit të mesëm në Ministrinë e Arsimit, Ndriçim Mehmeti, sqaron për gazetën “Shqip” se rreth 43 mijë e 689 të rinj do t’i nënshtrohen provimit të parë të detyruar, letërsisë, ndërsa 43 mijë e 465 testit të dytë, matematikës, ku diferenca është 224. Nisur nga kjo logjikë dhe duke iu referuar përvojave të mëparshme, do të thotë se më shumë mbetës regjistrohen në shkencat ekzakte, siç është edhe matematika. Kjo, sipas mësuesve të shkollave të mesme për shkak të vështirësisë që hasin nxënësit në përthithjen e njohurive në këtë fushë. Kështu sipas parashikimeve, 224 maturantë nuk vlerësohen me nota kaluese në lëndën e matematikës, për rrjedhojë numri i të rinjve që zhvillojnë testin e kësaj lënde gjatë procesit të maturës është më i vogël krahasuar me pjesëmarrësit në provimin e letërsisë.


Raporti i Bankës Botërore


Nxënësit shqiptarë, në testimet ndërkombëtare vlerësohen me rezultate të ulëta për sa u takon aftësive dhe njohurive në shkencat ekzakte, kryesisht në matematikë. Duke iu referuar raportit të Bankës Botërore, të publikuar në vitin 2011, rezulton se kjo lidhet me nivelin e të ardhurave që Shqipëria shpenzon për arsimin. Sipas Bankës Botërore, kjo vjen për disa arsye, por sidomos për shkak të shumës së parave që qeveria jonë shpenzon për arsimin. Rezultatet nga shpenzimet relativisht të ulëta të Shqipërisë për arsimin duken qartë përmes krahasimeve mes vendeve, në lidhje me rezultatet shkollore. Në grupin më të fundit të rezultateve për vlerësimin ndërkombëtar, Shqipëria ende ndodhet nën atë që mund të pritet nga një vend me nivelin e saj të të ardhurave. Kështu, Shqipëria shpenzon më pak për arsimin, si përqindje e PBB-së, se vendet e tjera në rajon (3,5% të PBB-së në vitin 2009), në krahasim me 4,6% që është mesatarja në Europën Lindore, megjithëse këto vitet e fundit shpenzimet për arsimin janë rritur. Krahas kësaj, shpenzimi për nxënësit në arsimin fillor dhe të mesëm është ndër më të ulëtit në rajon.


Letërsia


Aktualisht ka nisur procesi i hartimit të fondit të pyetjeve për provimet e Maturës Shtetërore të këtij viti. Fillimisht po punohet për lëndët e gjuhës shqipe e letërsisë, më pas për atë të matematikës dhe lëndët me zgjedhje. Specialistët e Ministrisë së Arsimit konfirmojnë faktin se Drejtoria e Zhvillimit të Kurrikulave në këtë institucion ka dërguar zyrtarisht në AVA programet orientuese lëndore të hartuara. Drejtori i Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve ka miratuar ngritjen e grupeve lëndore të hartimit të testeve, si dhe janë emëruar anëtarët e grupeve lëndore të hartimit të testeve.