KQZ: Abuzuesit, shpenzime jo në bazë të faturave tatimore
BLEDAR HOTI – Shpenzimet marramendëse janë përdorur në zgjedhjet lokale të 8 majit të vitit të kaluar. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e djeshme ka konkluduar se 18 parti politike kanë shpenzuar 3,63 miliardë lekë të vjetra gjatë fushatës elektorale të vitit të shkuar, e cila kishte si qëllim zgjedhjen e drejtuesve vendorë në 66 bashki, 308 komuna dhe 11 minibashki të Tiranës. Në bazë të të dhënave zyrtare rezulton se Partia Demokratike është subjekti politik që ka shpenzuar më shumë se të gjithë garuesit e tjerë më 8 maj. Sipas raportit të auditëve të kontraktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në financat e partive rezulton se PD-ja ka përdorur për 8 majin 182 milionë e 504 mijë lekë reja, ndër to, financime buxhetore dhe private.
Me 46 milionë më pak, lista pasohet nga socialistët, të cilët për këtë fushatë kanë shpenzuar 136 milionë e 500 mijë lekë.
Forca e tretë për shpenzime në zgjedhje pozicionohet Lëvizja Socialiste për Integrim me 18 milionë e 500 mijë lekë. Por auditi i KQZ-së ka konstatuar se jo gjithmonë partitë kanë qenë në rregull me detyrimet tatimore, duke i kaluar disa donacione në mënyrë informale. “Detyrimet që parashikon Kodi Zgjedhor janë respektuar përgjithësisht nga subjektet në përjashtim të faktit që evidentimi i shpenzimeve është bërë jo në të gjitha rastet në përputhje të legjislacionit tatimor, pra jo në çdo rast shpenzimet janë kryer me fatura të rregullta tatimore”, shprehet drejtoresha e Financës në KQZ, Mirela Gega.
Partitë me probleme tatimore
Sipas relacionit të KQZ-së, fondet e përfituara nga donatorë të ndryshëm janë regjistruar në regjistrin e posaçëm të miratuar me vendim të KQZ-së. Për depozitimin e shumave mbi 100 mijë lekë, partitë politike kanë çelur numra të posaçëm llogarie në bankat e nivelit të dytë. Kanë marrë donacione në shuma mbi 100 mijë lekë partitë politike si më poshtë: 1. Partia Socialiste; 2. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet; 3. Lëvizja Socialiste për Integrim.
Në çdo rast, nga ana e këtyre dhuruesve është plotësuar deklarata e posaçme për konfliktin e interesit e miratuar me vendim të KQZ-së. Ndërsa KQZ-ja ka rreshtuar edhe ato 9 subjekte politike që kanë probleme me tatimet. Sipas relacionit të KQZ-së, ato janë: “Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut; Partia e të Drejtave të Mohuara e Re; Partia Aleanca Popullore; Partia MEGA; Partia Ardhmëria Shqiptare; Partia e Unitetit Kombëtar; Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare; Partia Aleanca Demokratike; Partia Demokristiane”. PD-ja u ka paguar amerikanëve 48,218 dollarë, ndërkohë që amerikanët që kanë këshilluar PS-në duket se kanë kushtuar shumë më pak, vetëm 10,000 USD. Sipas relacionit të KQZ-së, asnjë subjekt zgjedhor nuk ka shpenzuar për qëllime të fushatës zgjedhore më shumë se dhjetëfishi i shumës të përfituar nga një subjekt zgjedhor nga buxheti i shtetit për fushatën 2011. Shumën më të madhe për fushatën zgjedhore 2011 nga buxheti i shtetit e ka përfituar PD-ja 30.991.997 lekë, pra asnjë nga subjektet nuk ka shpenzuar më shumë se 309.919.970 lekë për fushatën elektorale 2011.
Ekspertët shprehen se nuk është zbatuar siç duhet legjislacioni tatimor, që do të thotë shpenzimet nuk justifikohen me fatura të rregullta tatimore, kjo kryesisht për kandidatët e pavarur dhe për ndonjë rast edhe për ndonjë parti politike
U emëruan 23 ekspertë kontabël për auditimin e 161 subjekteve zgjedhore, 55 parti politike, 62 kandidatë për këshillat të propozuar nga zgjedhësit dhe 44 kandidatë për kryetarë të propozuar nga zgjedhësit
Partitë me probleme tatimore
1. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut
2. Partia e të Drejtave të Mohuara e Re
3. Partia Aleanca Popullore
4. Partia MEGA
5. Partia Ardhmëria Shqiptare
6. Partia e Unitetit Kombëtar
7. Partia Lëvizja Punëtore Shqiptare
8. Partia Aleanca Demokratike
9. Partia Demokristiane
Fondet e shpenzuara nga partitë politike,
1. Partia Demokratike 182,504,749 lekë
2. Partia Socialiste 136,498,265 lekë
3. Lëvizja Socialiste për Integrim 18,523,014 lekë
4. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 12,979,915 lekë
5. Parti Bashkimi për të Drejtat e Njeriut 4,993,860 lekë
6. Partia Republikane 3,908,919 lekë
7. Partia e të Drejtave të Mohuara e Re 1,236,000 lekë
8. Partia G99 585,000 lekë
9. Partia Aleanca Popullore 300,000 lekë
10. Partia Kristian Demokrate 200,000 lekë
11. Partia MEGA 125,100 lekë
12. Partia Ardhmëria Shqiptare 100,000 lekë
13. Partia e Unitetit Kombëtar 96,050 lekë
14. Lëvizja Punëtore Shqiptare 80,000 lekë
15. Aleanca Demokratike 62,000 lekë
16. Partia Demokristiane 50,000 lekë
17. Partia e Personave me Aftësi të Kufizuara 50,650 lekë
18. Partia Komuniste Shqiptare 42,000 lekë
