Ambasadori i SHBA takohet me Ramën: Kemi folur edhe për emra
Fatjona Mejdini – Ambasadori amerikan në Shqipëri, Aleksandër Arvizu, deklaroi dje se presidenti i ri i vendit duhet të zgjidhej me shumicë të cilësuar votash dhe në raundin e parë të votimit. Kjo deklaratë e qartë dhe e drejtpërdrejtë e ambasadorit të SHBA-së erdhi pas një takimi 60 minutash që ai zhvilloi me kreun e opozitës, Edi Rama, në selinë e PS-së. Pas diskutimeve për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm, Arvizu la të kuptohej se konsultat paraprake bëheshin në mënyrë që konsensusi të garantohej dhe që kreu i ri i shtetit të mos votohej me 71 vota. “Objektiv kryesor do të ishte zgjedhja e presidentit që me votimin e parë. Ju e dini që do të duhen 84 vota për zgjedhjen e presidentit. Pra nuk do të jetë objektivi për raundin e katërt apo të pestë, por ky do jetë objektivi, të votohet që me raundin e parë”, theksoi Arvizu. Ai tha në mënyrë të qartë dhe objektivat e tij në negociatat e para presidenciale. Interesin e SHBA-së në këtë proces, Arvizu e shfaqi në mënyrë të drejtpërdrejt dhe kur theksoi se procesi ishte i rëndësishëm dhe për faktin se Presidenti kishte në dorë të zgjidhte krerët e dy institucioneve kyçe, si Prokurorin e Përgjithshëm dhe kreun e Shërbimit Informativ. “Nga perspektiva e SHBA, e rëndësishme është që nga pikëpamja e Kushtetutës, presidenti i ri të përfaqësojë unitetin e popullit, sepse ai është garantuesi i Kushtetutës. I takon pikërisht atij të thotë fjalën e fundit se cili do të jetë kreu i prokurorisë. Ky është një proces i rëndësishëm për SHBA, por është e vështirë të gjejmë personin e duhur që të plotësojë të gjitha kriteret. Thelbësore është që procesi duhet të zhvillohet me dialog”, deklaroi Arvizu për këtë çështje. Duke shmangur emrat e përveçëm, ambasadori amerikan theksoi se me më shumë rëndësi është marrëveshja për këtë proces mes aktorëve politikë kryesorë në vend, që janë Sali Berisha, Edi Rama dhe Ilir Meta. “Ne kemi folur për procesin, por edhe për personalitete. Mendoj se në këtë moment ka shumë diskutime, por nuk ka një person të vetëm në këtë vend që të vendosë se cili do të jetë presidenti. Disa mendojnë se duhet të quhet marrëveshje politike, por mendoj se duhet të jetë një lloj konsensusi. Pra janë të përfshirë të gjithë krerët e partive, Berisha, Rama dhe Meta”, deklaroi Arvizu. Sipas tij, shtimi i takimeve formale dhe informale mes tyre ishte një ogur i mirë për këtë proces. Ambasadori i SHBA-së u shpreh se në ditët në vazhdim, takimet mes palëve do të shtoheshin dhe më shumë.
“Ne kemi folur për procesin, por edhe për personalitete. Mendoj se në këtë moment ka shumë diskutime, por nuk ka një person të vetëm në vend që të vendosë se cili do të jetë presidenti”
Ambasadori: Ambasadori amerikan Arvizu është treguar shumë aktiv sa i përket zgjedhjes së presidentit
Nano: Arvizu ka takuar dy herë kandidatin e vetëshpallur për kreun e ri të shtetit, Fatos Nano
BE: Edhe Komisioni Europian ka shfaqur interes për këtë çështje, duke kërkuar kompromis mes palëve
Statusi: Mënyra e zgjedhjes së presidentit do të jetë një element i rëndësishëm në vlerësimin për statusin kandidat
