Lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano nuk ka mundur të marrë mbështetjen e kryeministrit Sali Berisha për garën presidenciale. Mesditën e sotme ish-rivalët politikë janë takuar për gati 40 minuta në selinë e Këshillit të Ministrave, ku Nano i ka parashtruar kreut të mazhorancës kërkesën për të mbështetur kandidaturën e tij për postin e kreut të ri të shtetit.
Pas takimit Nano nuk ka preferuar të japë detaje për mediat, ndërkohë që kjo është bërë e mundur nga zyra e shtypit të kryeministrisë.
Në njoftimin zyrtar sqarohet se: “Ish-kryeministri Fatos Nano, i parashtroi kryeministrit Berisha kërkesën për të mbështetur kandidaturën e tij në postin e lartë të Presidentit të Republikës, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi në kuadrin Kushtetues do të ishte i dobishëm për vendin dhe objektivat e tij, si dhe duke evokuar disa nga marrëveshjet e arritura në të shkuarën në zgjidhje të sfidave të vendit. Kryeministri Berisha e garantoi zotin Nano se ai personalisht dhe si kryeministër, vlerëson të gjitha marrëveshjet e arritura së bashku në të shkuarën në interesin më të mirë të vendit dhe kontributin e këtyre marrëveshjeve në zgjidhjen e sfidave e problematikave.
Nga ana tjetër kryeministri theksoi se, qëndrimi i bërë tashmë publik në mënyrë të përsëritur prej tij ndaj kandidaturës së zotit Nano për President të Republikës, ka lidhje tërësisht me spektrin politik, detyrimet që rrjedhin nga përkatësitë e ndryshme në këtë spektër dhe se ai mbështet dhe do të mbështesë një personalitet të shquar të Partisë Demokratike në postin e Presidentit të Republikës”.
Ndërkaq më tej sqarohet se kryeministri Berisha pas kthimit nga Samiti i Çikagos do të hapë negociatat me aleatët e tij, pa përjashtuar edhe faktorë të tjerë, i bindur se mazhoranca aktuale i ka të gjitha mundësitë për ti dhënë vendit Presidentin e ardhshëm të Republikës. Pas refuzimit të sotëm nga ana e Berishës, duket se mazhoranca qeverisëse do të has “probleme” për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Kjo për faktin se deri më tani Fatos Nano ka arritur të bind dhe të marrë mbështetjen e plotë të deputetëve të LSI-së, PDIU-së dhe PBDNJ-së. Nga aleatët kryesorë të PD-së në parlament, vetëm kreu i PR-së, Fatmir Mediu ka deklaruar se partia e tij do të jetë në një linjë me maxhorancën qeverisëse, për sa i përket emrit të presidentit të ri të vendit.
10 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)